E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Paratë e përdorura për vepra publike, të taksapaguesve shqiptarë

Lëvizja Socialiste për Integrim bashkohet me shqetësimet e shprehura nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 Qershorit, në raportin e dytë paraprak të tyre për këto zgjedhje. Sipas LSI vonesat në pajisjen me karta vijnë për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë për zgjedhje me standarde. Kryetari i KDK-së, së LSI-së, Edmond Haxhinasto nëpërmjet një deklarate për shtyp ka shprehur shqetësimin për paratë që përdoren nga qeveria dhe nga pushteti vendor për vepra dhe shërbime publike. Këto para sipas tij, janë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe jo para private të Kryeministrit, të Kryetarit të Bashkisë, apo të partive që përfaqësojnë. Nga vlerësimet specifike të partnerëve tanë ndërkombëtarë, mund të konkludohet që Administrimi Zgjedhor dhe Qeveria janë akoma shumë larg në plotësimin e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, të denja për një vend anëtar të NATO-s. Presionet politike nga Qeveria mbi nëpunësit civilë dhe administratën publike për të marrë pjesë në aktivitete politike zgjedhore, ashtu si dhe përdorimi i fëmijëve në mitingje e aktivitete zgjedhore, duhet të ndalojnë, nënvizoi ai. Sipas Haxhinastos, shqetësim përbëjnë parregullsitë në konkurrimin e barabartë të partive politike, më konkretisht përdorimin për qëllime elektorale, nga ana e Kryeministrit Berisha dhe e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës të ngjarjeve e aktiviteteve zyrtare, të institucioneve përkatëse. Paratë që përdoren nga Qeveria dhe nga pushteti vendor, për vepra dhe shërbime publike, janë para të taksapaguesve shqiptarë dhe jo para private të Kryeministrit, të Kryetarit të Bashkisë, apo të partive që përfaqësojnë, theksoi Haxhinasto. Nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, kryetari i KDK-së në LSI, i ka bërë apel disa mediave të cilat kanë vendosur në mënyrë të paragjykuar të paraqesin, siç shprehet edhe Raporti i ODIHR, në mënyrë jo të balancuar PD-PS dhe partitë e tjera politike, të zbatojnë detyrimet ligjore dhe të jenë plotësisht të ndërgjegjshëm për misionin tepër të rëndësishëm që kanë në informimin publik. Në raportin e dytë paraprak të tyre, vëzhguesit e ODIHR kanë shprehur shqetësimin në lidhje me dy partitë e mëdha, ku sipas tyre këto parti politike në vend po përdorin administratën për fushatë elektorale. Dy liderët kryesorë kanë përdorur ngjarjet zyrtare për qëllime të fushatës, pa bërë dallimin midis shtetit dhe partisë. Vëzhguesit kanë regjistruar raste, kur punonjësit e administratës publike janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk marrin pjesë në mitingje. Sipas raportit fushata ka qenë përgjithësisht e qetë dhe paqësore, vetëm me disa incidente të izoluara ndërkohë që janë përdorur tone dhe akuza të ashpra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›