E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta pret Owen Jenkins: Të vendosur për integrimin në BE

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot në një takim kortezie Drejtorin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin pranë Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, z. Owen Jenkins. Z. Jenkins shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë z. Nicholas Cannon.

Meta, pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, i shprehu z. Jenkins vlerësimin e tij për mbështetjen dhe partneritetin që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në vite, duke vënë në dukje kontributin e veçantë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Z. Meta e informoi z. Jenkins rreth zhvillimeve te fundit politike në Shqipëri, duke theksuar në mënyrë të veçantë kontributin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbarëvajtjen e një klime sa më konstruktive e pozitive mes aktorëve politikë në vend.

Gjithashtu Meta u shpreh se pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, përpjekjet e të gjithë politikës shqiptare duhen fokusuar në përmbylljen e reformave kyçe me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda vitit 2012. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi rëndësinë e rimandatimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore si një hap përpara në arritjen e konsensusit për përfundimin e kësaj reforme në javët e ardhshme.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, z. Jenkins shprehu vlerësimin e Mbretërisë së Bashkuar për rolin konstruktiv të Shqipërisë si një kontribut për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Z. Meta nënvizoi vendosmërinë e Shqipërisë për vazhdimësinë e këtij roli pozitiv dhe theksoi se e vetmja rrugë përpara për vendet e rajonit, është rruga e integrimit evropian.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›