E Diel, 1 Nëntor 2026

MPJ dënon sulmin në Bërnjak: Mbështesim misionin paqëruajtës

Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër sulmet e përsëritura ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, në veri të Kosovës. Përmes një deklarate për mediat MPJ shpreh mbështetjen e saj të plotë ndaj trupave të KFOR-it, të cilët, në zbatim të misionit dhe mandatit të tyre për të siguruar lirinë e lëvizjes edhe në veri të vendit, kanë ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave dhe mbylljen e kalimeve kufitare të paligjshme.
 

MPJ përshëndet gjithashtu thirrjet e Qeverisë së Kosovës drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për t`u bërë pjesë e institucioneve demokratike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të mirë të zhvillimit të vendit të tyre.

Mëngjesin e sotëm dy granata dore janë hedhur nga banorë të komunitetit serb në kampin e trupave të KFOR-it në pikën kufitare të Bërnjakut, në Kosovë, ku si pasojë e shpërthimit të një prej granatave një ushtar i KFOR-it ka humbur përkohësisht dëgjimin.

Misioni i NATO-s ka reaguar ndaj ngjarjes, duke dënuar dhunën dhe duke premtuar luftimin “fuqishëm” të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›