Meta propozon Galanxhin në Uashington
Kandidatura e dytë e së djathtës për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Dylber Galanxhi. Diplomati Galanxhi pritet të jetë kandidatura e re e Shqipërisë që do të zëvendësojë jo vetëm ish-ambasadorin Aleksandër Sallabanda, por do të kryejë funksione diplomatike edhe në vendet pranë SHBA-së. Sipas një letre që ministri Ilir Meta i ka dorëzuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në datën 2 korrik 2010, diplomati Galanxhi është propozuar për ambasador fuqiplotë jo rezident edhe në Meksikë, Panama dhe Republikën Domenikane. Komisioni për Politikën e Jashtme do të marrë në seancë dëgjimore Dylber Galanxhin si ambasador në SHBA dhe ambasador jo rezident në Meksikë, Panama dhe Republikën Domenikane dhe kandidaturën e Spiro Koçit, si ambasador fuqiplotë në misionin e OSBE-së në Vjenë. Seancat dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme për dy kandidatët do të zhvillohen përpara mbylljes së sesionit të dytë parlamentar.
#