Braçe: Të mos rriten rrogat e krerëve të shtetit
Rritja e fundit e pensioneve zbulon përmes denoncimit të opozitës aspektin e vet amoral. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka zgjedhur dje sheshin përpara Kryeministrisë për të shoshitur të vërtetën e efekteve të vendimeve të fundit, lidhur me rritjen modeste të pensioneve. Për të bërë të qartë raportin e ekzekutivit me qytetarët dhe për të sqaruar përdorimin e fondeve publike, Braçe ka sjellë në vëmendje rritjen e pagave për ministrat dhe funksionarët e lartë të shtetit. “Kryeministri të mos rrisë pagën e Presidentit, pagën e tij, të ministrave e të mos rrisë pagat e drejtorëve politikë. Kryeministri sot po miraton një vendim që do të rrisë pagën e tij 6 herë më shumë se paga e pensionistëve; po rrit pagën e Kryetares së Kuvendit 9 herë më shumë dhe të ministrave 5 herë më shumë se sa paga e pensionistëve”, u shpreh numri dy i grupit parlamentar socialist. Kështu trumbetat qeveritare të rëna më 1 korrik për rritjen e pensioneve, në të vërtetë duket se i bëjnë jehonë aktit të djeshëm që e rikujton të ardhurën buxhetore të zyrtareve më të lartë të qeverisë dhe shtetit. Shumëfishat e përmendura nga deputeti socialist mjaftojnë për të dëshmuar se kriza dhe ngushtica financiare edhe si të tilla, i rezervohen masës së njerëzve dhe jo një shkurtimi real të shpenzimeve të cilat së fundmi janë prezantuar si “strategji e përballimit” të situatës së vështirë. Për të plotësuar me fakte shqetësimin e ngritur nga opozita dhe efektin real të shtimit të pensioneve në përmirësimin e fuqisë blerëse të kategorisë që përfitoi më 1 korrik, deputetet Ledi Shamku Shkreli dhe Klodiana Spahiu kanë bërë një “këqyrje” në terren të çmimeve të mallrave bazë, që rezultojnë të jenë të papërballueshme për xhepin e qytetarit. Thënë ndryshe, shtesa e 1 korrikut në vështrimin opozitar, mbetet një ikonë e premtimeve që duhen realizuar, edhe pse me rritje për efekt numerik dhe aspak si një ndryshim sadopak modest në të ardhurat e përmuajshme.
#