E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PS, Kryesia shoshit kandidaturat

Tahiri: Vlerësimi i emrave për Gjykatën e Lartë, një farsë

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste kanë hyrë dje në një fazë të re teksa Kryesia e saj, është mbledhur për shqyrtimin e kandidaturave që janë depozituar nga rrethet. Bëhet fjalë për një garë, që si pikë kryesore ka garën për 36 degët e rretheve që me ndryshimet statutore janë krijuar rishtas. Sipas informacioneve të përcjella më parë edhe nga gazeta “Shqip”, numri i propozimeve për këtë garë ka qenë shumë i lartë, por Kryesia ka shoshitur listën, për të reduktuar ballafaqimin në emrat më të spikatur apo me më shumë mbështetje. Po kështu, bëhet e ditur se në proces konkurrimi janë edhe 16 njësi vendore, të cilat përfshihen në këtë etapë elektorale, për shkak të vendeve të mbetura vakant. Ky është një hap që jo vetëm lidhet me detyrimet e Statutit, por edhe me përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale që mbahen në vitin 2011. Më herët, PS ka zhvilluar edhe një mbledhje të grupit parlamentar, i cili është përqendruar në procesin parlamentar të vlerësimit të kandidaturave për Gjykatën e Lartë. Menjëherë pas mbledhjes, nënkryetari Saimir Tahiri ka prezantuar qëndrimin e selisë rozë, i cili është thellësisht kritik dhe refuzues ndaj praktikave të ndjekura nga shumica e djathtë. “Grupi parlamentar i PS e konsideron këtë proces si të montuar politikisht që jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti i Republikës, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve, duke imponuar konformitetin dhe bindjen politike ndaj partisë në pushtet, si kriterin kryesor dhe të vetëm për të përfituar pëlqimin e Parlamentit për anëtar të Gjykatës së Lartë”, është shprehur Tahiri. Shqetësimet për situatën politike i ka përcjellë ndërkohë dje edhe deputeti Asllan Dogjani, i cili në emër të PS, ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha për shmangie nga përgjegjësitë e veta para Parlamentit. “Ministri i Brendshëm, në mungesë të plotë të respektit ndaj legjislativit, në shkelje të hapur të rregullores, duke shpërfillur në mënyrë të hapur pushtetin legjislativ, për të dytën herë radhazi, nuk u paraqit për raportim në Komisionin e Sigurisë në një seancë dëgjimore në lidhje me plotësimin e kushteve të mbetura paplotësuar për procesin e integrimit në BE”, ka thënë ndër të tjera Dogjani.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›