Berat, aksidentohen dy të rinj
Dy të rinj kanë ngelur të plagosur rëndë mbrëmjen e së martës si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në aksin rrugor Berat-Lushnjë. Burime të policisë së Beratit bëjnë me dije se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të martës, dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën, e për pasojë kanë mbetur të plagosur dy 25-vjeçarë. Aksidenti mësohet se ka ndodhur në aksin rrugor Berat-Lushnjë, në afërsi të fshatit Poshnjë. Të njëjtat burime saktësojnë se automjeti tip “Ford Focus” me targa të Beratit, BR 482 B, është përplasur me një çiklomotor tip “Sky Go” pa targa, në të cilin udhëtonin drejtuesi Ervin Nuhu dhe Orges Mata, të dy banorë të fshatit çiflik të Komunës Poshnjë. Dy të rinjtë janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Beratit, por 25-vjeçari Ervin Nuhu është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Ndërkohë i plagosuri tjetër Arges Mata, ndodhet në spitalin e qytetit në gjendje më të mirë shëndetësore se bashkëmoshatari i tij. Nga hetimet e para mësohet se shkak i këtij aksidenti është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit tip “Ford”, Lorenc Masko, i cili u ndalua nga policia.
#