E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta sulmon Ina Ramën: Po përdoret politikisht

SHKRUAN: Irena Vreto 14-02-2011 10:46

Ish-zv.kryeministri Ilir Meta akuzoi dje ashpër Kryeprokuroren, Ina Rama, duke konstatuar se ajo është kthyer në një aktore politike, që i shërben një klani të caktuar. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim shfrytëzoi një takim në Korçë, për të deklaruar se kreu i akuzës “për fat të keq edhe në këtë rast sikurse edhe në raste të tjera tregon se nuk është prokurore e shtetit, se është një aktore politike, në shërbim të një klani të caktuar, dhe nuk ka asnjë vullnet për të sqaruar, për të hetuar në lidhje me videon e dhënë në emisionin Fiks-Fare, mbi bazën e të cilit vetë Prokuroria ka nisur hetimet”. Sipas ekspertit ku është çuar kjo video, sqaroi Meta, thuhet se në këto materiale që janë paraqitur atje, Ilir Meta dhe Dritan Prifti janë persona të patjetërsuar, pra si në materialet që janë në dispozicion, si në videon që është transmetuar në televizion. “Më poshtë thuhet se gabimi është zero. Kjo është një pyetje e panevojshme sepse prokurorja duhet t’ia bënte të ditur edhe këtyre personave, në rastin konkret personit tim dhe personit tjetër, përgjuesit, gjithë mënyrën se si do procedonte. Kush ka thënë që në atë video nuk është Ilir Meta? Atëherë ç’është kjo pyetje. Atëherë gabimi është zero për këtë gjë. Pra që 100 %, këta janë Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Absolutisht që kjo ishte një pyetje krejtësisht e panevojshme”, theksoi Meta. Duke vijuar komentin mbi konkluzionet e ekspertit të kontaktuar nga Prokuroria, Meta nënvizoi se në to thuhet se video që është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB, në fakt është gjysma e videos sepse ajo e plota gjendet në sistemin kompjuterik. “Pra ajo që shqiptarët kanë parë si video është gjysma e asaj që është çuar atje. A nuk mjafton kaq për të kuptuar që kemi të bëjmë me një montim të qartë televiziv të videos”, u shpreh Meta. Më tutje, kreu i LSI-së citon ekspertin që thotë se “nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos, me pajisjet që pata në dispozicion”. Më tutje, Meta i shtroi një pyetje Kryeprokurores duke i konstatuar se videon, ku zërat janë problemi kryesor, ajo e ka çuar në një studio pa veshë. “Unë kam një problem të madh për drejtësinë, që duhet vendosur jo për hir të një videoje, por për hir të 21 janarit. Hetimi për 21 janarin fillon nga hetimi dhe nga përgjigjet ligjore që duhet të jepen për montimin e kësaj videoje. Grupi im i avokatëve dhe i ekspertëve, prej kohësh ka bërë të gjithë ekspertizën, ku del qartë që manipulimet janë skandaloze”, theksoi Meta. Ai akuzoi kryeprokuroren se nuk thotë dot, nëse video është e montuar apo jo, pasi nuk e lejon zoti Rama. Në vlerësimin e kreut të LSI-së, nuk bëhet fjala për dinjitetin e tij personal, pasi atë nuk e vënë dot në diskutim shoqet dhe shokët e bulevardit. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Meta vuri në dukje se nga prokuroria është shtuar një akuzë ku thuhet se “sipas Dritan Priftit, nga shtetasi Ilir Meta i është ofruar oferta financiare për përfitim të paligjshëm, deri në një milion dollarë, të cilat do ndaheshin mes tyre”. “Si mund të jetë fakt një deklaratë e papërgjegjshme, e një personi të njohur tashmë botërisht për papërgjegjshmërinë e tij. Në rast se prokurorja vendos këtë standard, atëherë ajo duhet të japë dorëheqjen si Prokurore e Përgjithshme sepse pak vite më parë është akuzuar publikisht se ka marrë një shumë prej disa qindra mijëra eurosh, për emërimin e një prokurori në një rreth shumë të rëndësishëm dhe në këtë mënyrë t’i japi mundësi vetës të pastrohet nga akuza të tilla”, insistoi Meta. Në këndvështrimin e tij, në rast se vendosen këta precedentë dhe quhen fakt, deklaratat e papërgjegjshme të njërit dhe tjetrit, atëherë mbi bazën e deklaratës së z. Prifti del se ai e ka parë Edi Ramën duke marrë kokainë dhe drogë dy herë, një herë në 2002 dhe një herë në 2005, dhe aq më tepër që ai dha garanci që Edi Rama merrte 3 mijë euro drogë në ditë. “E kuptoni së çdo të thotë, kur ai e ka rrogën 1 milion e gjysmë euro në muaj, si Kryetar i Bashkisë. Në bazë të këtyre deklaratave duhet të kishte nisur me dhjetëra çështje penale ndaj Edi Ramës, për biznesmenë konkretë, me emra konkretë, që kanë deklaruar që Edi Rama u ka kërkuar 1 milion dollarë, u ka kërkuar 600 mijë dollarë për të marrë lejet e ndërtimit. Kjo është drejtësia, që do të vendosë kjo zonjë? Jo, kjo nuk është drejtësia e ligjit”, këmbënguli Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›