Patozi: Publikimi i sekreteve hetimore, prokuroria përgjegjëse
TIRANË- Partia Demokratike nuk e ka pritur aspak mirë faktin që Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ia ka faturuar Kuvendit publikimin e kërkesës së bërë nga organi i akuzës, për autorizimin për procedim penal ndaj dy deputetëve, Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Pas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme se, informimi i publikut mbi këtë fakt mund të menaxhohej vetëm nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi. Edhe pse nuk ka përsëritur kërkesën për padi penale ndaj Ina Ramës, për publikim të hetimeve sekreteve që kanë lidhje me 21 janarin, kryetari i deputetëve demokrat ka sqaruar se me veprimet e një ditë më parë, Ina Rama është përpjekur që të mbulojë implikimin e saj politik dhe amoralitetin e theksuar profesional. “Prokurorja e Republikës, Ina Rama, i lejoi vetes të sulmonte institucionet kushtetuese më të rëndësishme dhe më përfaqësuese të vendit, duke i shtuar një kapitull të ri rolit të saj të shëmtuar në trajtimin e grushtit të dështuar të shtetit. Përmes një deklarate të pacipë, zonja që drejton akuzën në Shqipëri, guxoi ta drejtonte gishtin pikërisht mbi institucionet, që rezistuan dhe bënë që të dështojë dhuna dhe barbaria e 21 janarit, e cila planifikonte përmbysjen e qeverisë legjitime të kësaj mazhorance”, - tha Patozi. Ai vijoi me tej: “Ne mendojmë se me gjestin e djeshëm, Prokurorja e Përgjithshme kërkoi që të mbulojë atë që tashmë është evidente për çdo qytetar shqiptar. Implikimin e saj të qartë politik dhe amoralitetin e theksuar profesional, i cili po dëshmohet për ditë e më shumë, që pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit. Për hir të transparencës me publikun, na duhet të pohojmë se ne nuk habitemi shumë me qëndrimin e zonjës Rama, ndonëse na duhet të evidentojmë që ky është një rast e paprecedentë në historinë e komunikimit mes institucioneve në Shqipëri”. Kryetari i deputetëve demokratë shtoi se, Prokurorja e Përgjithshme është në fakt përgjegjësja e vetme për nxjerrjen e përditshme të çdo elementi të hetimit për “grushtin e shtetit”. “Meqenëse kemi mbërritur në këtë pikë, do t’i drejtoja një pyetje zonjës Rama. Kush ia tha fjalën “lapsus” Edi Ramës, vetëm një gjysmë ore pasi ajo vetë, dhe vetëm ajo, kishte komunikuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit? Është mirë që qytetarët ta dëgjojnë këtë prej saj, sepse mbiemri i përbashkët është gjëja më e vogël që me sa duket e lidh atë me kryetarin e Partisë Socialiste”, - shtoi Patozi. Kryetari i deputetëve demokratë shprehu gjithashtu shqetësimin për vendimin e fundit të Prokurorisë për arrestimin e 4 gardistëve të tjerë, “pa asnjë hetim dhe provë që të mbështesë dyshimin”. “Ne mendojmë që ky vendim arbitrar është i ngjashëm me kërkesën për arrestimin e të gjithë zinxhirit komandues të Gardës, vetëm pak orë pasi këtë gjë e kishte kërkuar Edi Rama, mëngjesin e 22 janarit. Duke dënuar me forcë këto veprime me një sfond të pastër politik, ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë, se pavarësisht përpjekjeve të qarta të “zonjave” dhe “zotërinjve” të Bulevardit, për të bllokuar apo dështuar hetimet, kjo mazhorancë është e vendosur dhe do t’ia dalë që të zbardhë përfundimisht grushtin e dështuar të shtetit. Autorët dhe aktorët e 21 janarit do t’i mbajnë të gjitha përgjegjësitë”, - tha Patozi.