Djaloshi 300 mln USD, Jeta ndryshe e Efraim Diverolit
Cuaku 23-vjeçar, aferat e të cilit shkaktuan furtunë në Amerikë, dhe në Shqipëri po përpiqet të rigjejë normalitetin. Diveroli po hetohet nga policia për mashtrim të qeverisë së SHBA-së në tregtinë e municioneve me Afganistanin.
MAJAMI-Ka hedhur pas supeve gjithçka që lidhet me armët. Municionin, thotë që as si fjalë nuk e përmend më. Këtë preferon ta quajë si jetën ndryshe të tij. Efraim Diveroli i është përkushtuar vetëm familjes. Kjo të paktën është ajo që pretendon. “Nuk përpiqem të bëj asgjë të rrezikshme”, - shpjegon ai. Analistët në SHBA, për të cilët çështja e kompanisë AEY është ende e freskët, e komentojnë këtë si taktikë të tij për t’i shpëtuar nja 500 viteve burg që rrezikon t’i marrë si dënim. Efraimi akuzohet nga prokurorët federalë në Amerikë për trafik armësh, konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrim. “Jam familjar, kuptova se nuk është më e vlefshme që të ndërmarrësh këto rrisqe”, - shtoi ai. E si për t’ia mbushur mendjen botës se ai nuk është aq i rrezikshëm sa dyshohet, vendos të bëjë publike jetën e tij aktuale. Familja dhe qeni i tij janë dy gjërat më të shtrenjta për momentin dhe për të cilat thotë se përkushtohet shumicën e kohës. “Iu riktheva rinisë aty ku e kisha lënë”, - shton çunaku 23-vjeçar, aferat e të cilit shkaktuan furtunë në Amerikë, por më tepër këtu në Shqipëri. Të gjitha të dhënat për veten e tij, Diveroli i ka hedhur në web, në faqen “Facebook”, një adresë interneti ku secili mund të prezantojë veten e tij nëpërmjet fotove.
“Nuk jam ai që isha”
Ishte vetëm 18 vjeç. Problematik në shkollën e mesme dhe pa asnjë shok. “Të gjithë ta fusin”, do të shkruante në internet. I dhunshëm dhe i alkoolizuar. Qejfli pas alkoolit dhe femrave. Pasioni i tij qysh fëmijë ishin armët, por veç atyre plastike kurrë nuk kishte parë një të vërtetë deri atëherë. Shumicën e kohës e kalonte në internet, por i pëlqente dhe stërvitja në palestër. Në damarët e tij rrjedh gjak hebreu, por njëkohësisht ai është një italian në origjinë. E megjithatë ai zihej shpesh me bashkëmoshatarët, se i pëlqente ta konsideronin thjesht si “mafioz”. Kalonte orë të tëra para televizionit duke parë vetëm dy filma. Ai donte të ishte në jetë si një Al Pacino tek “Njeriu me shenjë”, ose si Marlon Brando tek “Padrino”. Dinte përmendësh çdo batutë të këtyre filmave. “Ky isha unë, Efraim Diveroli, deri në moshën 18 vjeç, kur dhe vendosa të hapja biznes”, - shprehet ai.
Konsiderohej i dështuar, por ai ishte ambicioz. Tani ai mund të cilësohet pa frikë “Golden Boy” (Djalë i Artë). Në moshën 19 vjeç bëhet pronar i kompanisë AEY Inc, themeluar nga babai i tij në 1999-ën, veprimtaria e së cilës ishte tregtia e armëve, pasioni i hershëm. Është pronar i një çerek lagjeje në zemër të Miami Beach dhe ka nënshkruar kontratë me vlerë 300 milionë dollarë me ushtrinë amerikane. Ka fituar simpatinë e shumë femrave të bukura dhe shihej shpesh në timonin e makinave luksoze, prodhim i fundit. Udhëtonte në të gjithë botën dhe pagesat i bënte me karta krediti. Zot i një “perandorie” me rregulla të përcaktuara qartë, ku jo çdokush mund të fuste duart kollaj. Një “perandori” e lakmuar nga çdo adoleshent, por e destinuar të jetonte shumë pak. Rrokullisja filloi pikërisht kur Diveroli mendoi se do t’ia hidhte kollaj në lojën kukafshehti me qeverinë amerikane. Ndaj tij tashmë rëndojnë një mal me akuza.
Si e njohim
Tani gjithë bota e njeh Efraim Diverolin, qysh kur “New York Times” vendosi të hapte me të faqen e parë në 27 mars 2008. Në ndryshim nga vetë amerikanët dhe banorët e vendeve të tjetra të globit, ne shqiptarët e mësuam 10 ditë më herët atë çka pritej të botohej. Disa pjesë nga fillimi, disa paragrafë nga mezi dhe pak nga fundi të këtij artikulli i dëgjuam të zbardheshin nga dy-tre deputetë të opozitës. Foli dhe kryeministri ynë. Ai sqaroi ato që dinte nga ky artikull që pritej të botohej. Ishte pasdite dhe seanca plenare sapo kishte filluar. Kishin kaluar vetëm 48 orë nga tragjedia e rëndë e 15 marsit në Gërdec, kur i madh dhe i vogël këtu në Shqipëri do të mësonte se ky Efraimi na ishte një çunak 23-vjeçar. Dhe se ky çunaku na ishte një trafikant armësh e se kishte një kompani që e quanin AEY. Kjo kompania e tij blinte armë kineze nga qeveria shqiptare. Në fakt ia shiste MEICO, e cila na kishte një drejtor që e quanin Ylli Pinari. Dhe se ky Ylli na bënte pazare me këtë çunakun amerikan. Këtij çunakut, Pentagoni ia ndalonte të blinte armë kineze. Por ky drejtori i MEICO-s ia ndryshonte ambalazhin armëve dhe ia shiste për hungareze. Si shpërblim ky i kërkonte lekë të thata. Lekët ky gjasme na i ndante me ca shefa sipër vetes. Fillimisht u fol për ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Por na doli se kishte dhe një përgjim ku pretendohej se “pjesën e luanit” e merrte kryeministri ynë, Sali Berisha dhe djali i tij, Shkëlzeni. Berisha e dinte për përgjimin, por tha se nuk dinte gjë për lekët. “Është një biznesmen me emrin Kosta Trebicka”, - tha ai, por shtoi se “ky ishte një mafioz”. E na sqaroi se ky “mafiozi” sipas tij, na e kishte përgjuar një bisedë telefonike me këtë çunakun nga SHBA-ja. “Përgjimi është, por afera jo”, - tha Berisha. Kaq sa mësuam atë pasdite këtu në Tiranë për Efraim Diverolin, e lexuam pastaj në 27 mars më të detajuar tek “New York Times”. Kongresi amerikan filloi hetimin. Gjykata amerikane po ashtu. Efraimi akuzohet si trafikant armësh, për konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrim. Ndaj ai mund të përballet me nja 500 vite burg në SHBA.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)