Meta, takim me veteranët: “Qeveria nuk mund të nëpërkëmbë vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Rrethin e Skraparit me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Brigadës VII sulmuese dhe kontributit që kjo brigadë dha në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këto festime, Meta shoqërohej nga kandidati i LSI-së për deputet në Skrapar, Nasip Naço, si dhe nga deputeti Spartak Braho. Gjatë këtij aktiviteti, lideri i LSI-së ka zhvilluar takime me veteranë, ish-anëtarë të kësaj brigade. Duke vlerësuar sakrificat e mëdha jo vetëm të kësaj brigade, por edhe të të gjithë partizanëve dhe partizaneve në këtë luftë, Meta shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e tij të plotë për kontributin që ata dhanë në çlirimin e vendit. Në fjalën e tij, Meta shprehu pakënaqësinë për mungesën e përfaqësuesve të qeverisë apo të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që i cilësoi të turpshme përpjekjet e maxhorancës për të nëpërkëmbur vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare, ku iu referua edhe vendimit për heqjen e bustit të 5 heronjve në qytetin e Shkodrës. “Është për të ardhur keq që në këtë festë mungojnë përfaqësuesit e qeverisë. Në këtë festë nuk përshëndet askush nga Ministria e Mbrojtjes, sepse ata nuk e kanë kuptuar akoma që në themelet e integrimit të Shqipërisë në NATO qëndron pikërisht angazhimi dhe rreshtimi i drejtë i partizanëve në LANÇ, në krahun që e fitoi betejën kundër nazi-fashizmit. Kjo sjellje, e cila nuk është e re për të gjithë ju që keni dhënë kaq kontribute për këtë vend, pavarësisht përpjekjeve të tjera që bëhen për të sfumuar kontributin tuaj, nuk mund të sfidojë dhe të hedhë poshtë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, sikurse ishte dhe rasti i shëmtuar kur qeveria dhe pushteti vendor në Shkodër hoqën “Pesë heronjtë e Vigut” nga sheshi kryesor i këtij qyteti duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhvlerësojnë luftën tuaj. Fakti që ne jemi kaq shumë këtu, dhe që do të jemi më shumë në të ardhmen, tregon se idealet për liri, për Shqipërinë demokratike, ku njerëzit të jenë të lirë, por edhe që njerëzit të jetojnë më mirë dhe të çlirohen nga varfëria, sikurse ndodh këto vitet e fundit, mbeten të gjalla te sakrificat që kanë bërë ata 300 dëshmorë të Brigadës VII sulmuese apo edhe nga gjithë ato sakrifica që keni bërë të gjithë ju dhe të afërmit tuaj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, - tha Meta.
19 Mars 2009