E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, shtabeve lokale: Faturoni financimet në fushatë

Shtabi qendror i PS-së dërgon udhëzim për shtabet lokale për çështjen e financimeve. Deklarimi i financimeve është detyrim i Kodit Zgjedhor

Shaban Sulçe

Shtabi Qendror Elektoral i Partisë Socialiste u ka dërguar një udhëzim të gjitha shtabeve lokale të PS-së në bazë, ku u kërkon të regjistrojnë të gjitha financimet që do të përfitojnë gjatë fushatës elektorale. Ky udhëzim i selisë rozë bëhet në kushtet e Kodit Zgjedhor, ku të gjitha partive u kërkohet që të deklarojnë para datës së zgjedhjeve financimet e përfituara gjatë fushatës elektorale. Në këtë kontekst, shtabi elektoral i Partisë Socialiste kërkon nga shtabet lokale që të faturojnë dhe të regjistrojnë të gjitha të ardhurat që përfitojnë, donacionet monetare apo ato materiale që mund t’u dhurohen nga individë apo biznesmenë të ndryshëm. Faturimi i këtyre të ardhurave duhet të bëhet në regjistra të posaçëm. Më pas këto regjistra duhet të dërgohen në selinë qendrore të Partisë Socialiste, e cila, pasi t’i grumbullojë të gjitha, duhet t’i depozitojë financimet e bëra pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky udhëzim i selisë rozë vjen pas vendimit të marrë në një nga mbledhjet e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste, e cila ka vendosur të respektojë me përpikëmëri detyrimet që mbart Kodi Zgjedhor për çështjen e financimit të fushatave elektorale.

Kodi
Kodi Zgjedhor kërkon nga partitë politike që tri ditë pas fillimit të fushatës elektorale të bëjnë publikë numrat e llogarive bankare ku do të kryhen financimet e fushatave të tyre elektorale. Sipas Kodit Zgjedhor, të gjitha partitë, që do të marrin pjesë në procesin elektoral, duhet ta përmbushin këtë detyrim. Kështu, Kodi thotë se dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Ky numër i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, të miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, donatori nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në konflikt me Kodin Zgjedhor, ku flitet për kriteret e dhuruesit dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.

Financimet

Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar shuma maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Gjithashtu edhe shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të kenë të drejtë të dhurojnë para për subjektet zgjedhore apo për kandidatët, sepse ata do të cilësohen persona fizikë vendas.
“Shuma që çdo person, fizik ose juridik, mund t’i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë, ose kundërvlera në sende ose shërbime”, - thuhet në Kodin Zgjedhor. Në kapitullin e financimit të fushatave zgjedhore përcaktohen edhe kategoritë e personave që nuk do t’u lejohet të financojnë partitë politike apo kandidatët në fushatën elektorale. Sipas Nenit 89, u ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në dy vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, nëse ushtron aktivitet në fushën e medias, nëse ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme apo nëse ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›