E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Meta të bashkohet me ne e të lërë akuzat”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokracia Sociale synojnë që e majta të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e përgjithshme 2009. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në hotel "Sheraton" në Tiranë. Dy partitë e vogla të opozitës i bënë thirrje kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, të bashkohet me koaliconin e majtë si e vetmja zgjidhje për të fituar në 2009. Të dy liderët e PSD dhe PDS u shprehën se Meta është një parti e majtë dhe si e tillë duhet të bashkohet për të mos pasur rrjedhje votash. Gjinushi tha se Meta kishte një vendim të paramarrë politik. Të dy liderët politikë deklaruan se formula e bashkëpunimit do të vendoset pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament. Gjinushi pas takimit tha se “po bisedohet që e majta të hyjë në mënyrë sa më të bashkuar, të optimizojë rezultatin e saj që më 2009 të fitohen zgjedhjet. LSI-ja, e vetme në zgjedhje, mund të jetë pjesë plotësuese e një skeme, që pas zgjedhjeve të 2009 mund të siguronte akoma më shumë deputetë, me kusht që të ndalë akuzat për të majtët e tjerë”. Ndërkohë, edhe Milo e ka mbështetur këtë ide të Gjinushit, duke shtuar se “për të maksimizuar votën e së majtës, mbetet për të diskutuar në të ardhmen dhe me aktorët e tjerë politikë të së majtës, gjithmonë me synimin për të shkuar sa më të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Partia Demokracia Sociale është krijuar me ish-anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialdemokrate.
Ky lajm është publikuar: 28/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›