E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, thirrje Berishës e Ramës: Gjeni kompromisin

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u bëri dje thirrje dy liderëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, të ulen në negociata për të zgjidhur ngërçin politik në shërbim të proceseve integruese të vendit. Sipas Metës, pas dorëzimit të pyetësorit për statusin e vendit kandidat, politika duhet t’i lërë retorikat me akuza reciproke dhe t’i kthehet jetës parlamentare për të realizuar reformat integruese që nevojiten sa më parë. “Pa asnjë diskutim që çdo takim mes Kryeministrit Berisha dhe z. Rama është shumë pozitiv dhe z. Berisha e ka ftuar edhe dje dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht z. Rama si kryetar i partisë më të madhe opozitare për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, duke lënë mënjanë gjërat e vogla, duke lënë mënjanë retorikat luftarake dhe të panevojshme, sepse vendi ka nevojë për të ecur përpara në procesin e integrimit dhe ka nevojë për sinergji pozitive”, - theksoi z. Meta. Sipas Metës, qeveria ka shprehur gjithnjë vullnetin për kthimin e çështjes së integrimit të Shqipërisë në një aksion gjithëpërfshirës të klasës politike. “Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë shqiptarët sesa ky ushtrim i ri që fillon me marrjen e pyetësorit dhe do të fillojë me datat e tjera në të ardhmen. Dua të vlerësoj rëndësinë e gjithëpërfshirjes në këtë proces. Ky ka qenë dhe është dhe vullneti i qeverisë, në mënyrë që ta kthejmë çështjen e integrimit në një aksion të të gjithë klasës politike, duke lënë mënjanë gjërat e vogla, retorikat luftarake dhe të panevojshme”, - deklaroi z. Meta pas një takimi të zhvilluar me ambasadorin e Japonisë. Ministri i Jashtëm e vlerësoi dorëzimin e pyetësorit nga ana e Komisionit Evropian për Shqipërinë si një moment historik dhe shumë të rëndësishëm, të cilit politika shqiptare duhet t’i përgjigjet duke angazhuar specialistët më të mirë për të dhënë përgjigjet për 2280 pyetjet e kësaj dosjeje. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur madje se si pjesë e mazhorancës dhe ai është i hapur të bashkëpunojë me opozitën dhe të zhvillojë takim me kreun socialist, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›