PD: Rama shiti “Tajvanin” 16 herë më lirë se “Dajtin”
PD-ja përmes zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni denoncoi dje kryebashkiakun Edi Rama për shitjen 16 herë më lirë të truallit të “Tajvanit” se atë të “Dajtit”. "Nga Bashkia e Tiranës thuhet 'çmimi i blerjes së truallit bazuar në vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Truallit, sipas procesverbalit numër 1, datë 14.10.2004, është 1500 euro për m2'. Një dokument që tregon sa është vlerësuar trualli te hotel "Dajti". Truall për të cilin Edi Rama s’kishte ndonjë interes, për të cilin nuk ishte involvuar. Pak muaj më vonë, pra në 10 mars, është kjo kontratë shitjeje midis dy palëve, pala shitëse Bashkia e Tiranës, që do të thotë Edi Rama dhe pala blerëse, shoqëria "Taiwan sh.p.k", për truallin që po flasim”, - tha z. Poni. “Dhe, - shtoi ai, - thotë 'çmimi i truallit 12 mijë lekë për m2, kaq është çmimi i truallit të ngastrës në anën tjetër të bulevardit ku ndodhet hotel "Dajti" dhe parku “Rinia”. Kjo do të thotë 16 herë më lirë, në të njëjtin hark kohor për dy objekte që ndodhen pothuajse në të njëjtën zonë kadastrale, me të njëjtën rëndësi dhe kemi një vlerësim 16 herë më pak", - u shpreh z. Ferdinand Poni.