Makinat për gjyqtarët, debat në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për antikushtetutshmërinë e disa neneve të ligjit që rregullon transportin e funksionarëve publikë dhe shtetërorë, ku për më se katër orë, përfaqësuesit e qeverisë e Kuvendit kanë debatuar në lidhje me nenet që u heq makinat gjyqtarëve. Ndërsa Unioni i Gjyqtarëve shprehej se heqja e makinave cenon sistemin e drejtësisë, përfaqësuesit e qeverisë dhe Kuvendit u shprehën se makinat për gjyqtarët nuk janë të sanksionuara me ligj dhe ligji që u miratua nga Kuvendi ishte tërësisht kushtetues. Unioni u përfaqësua në Gjykatë nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë Adrian Dvorani dhe gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda Armand Liçi. Unioni parashtroi para GJK-së se ligji binte ndesh me parimet që garantojnë dhe rregullojnë shtetin e së drejtës si ato të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe se nenet e kundërshtuara binin në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës që sanksionin se “…paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen”. Adrian Dvorani argumentoi para GJK-së se transporti ishte një nga përfitimet e tjera që siguron jo vetëm cilësinë, por dhe pavarësinë dhe sigurinë e pushtetit gjyqësor. Sipas tij, transporti është një nga përfitimet e siguruara për pushtetin gjyqësor dhe se vetë buxheti i shtetit, i cili deri tani kishte akorduar buxhet për këtë transport, e kishte pranuar këtë. Po kështu Dvorani u shpreh se ligji ishte aprovuar pa u konsultuar me grupet e interesit dhe ka cenuar pavarësinë organizative. Përfaqësuesi i Kuvendit Lulzim Lelcaj dhe përfaqësuesja e qeverisë Marsida Xhaferrlari kanë mbrojtur para GJK-së ligjin duke shpjeguar qëllimin e ligjit, i cili synon rregullimin e transportit të gjyqtarëve me ligj, për sa kohë atyre do t’u jepet një bonus në lekë që do ta përdorin për transportin si dhe ndërprerjen e abuzimit që bëhej për këtë shpenzim, i cili kushtonte një faturë të madhe financiare për buxhetin e shtetit. Por as Lelcaj dhe as Xhaferllari nuk mundën të jepnin përgjigje për pyetjet e gjyqtarëve kushtetues se si do të quhej ky bonus, nëse ai mund të hiqej apo jo nga një tjetër mazhorancë, se cili ishte kriteri mbi bazën e të cilit funksionarët e shtetit ishin klasifikuar në lidhjen 1 dhe 2 të ligjit që ankimohet dhe as dhanë përgjigje për ligjin e buxhetit 2010, i cili shkurton numrin e punonjësve të GJK-së dhe të Gjykatës së Lartë, kur përcaktimi i numrit të punonjësve për këto institucione është diskrecion vetëm i tyre. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor që zgjati për më se katër orë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka përsëritur kërkesën e tij për shpalljen si antikushtetuese të neneve të ligjit që rregullon transportin e funksionarëve publikë dhe shtetërorë si dhe shprehjen e GJK-së për ligjin e buxhetit, i cili cenon gjithashtu pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor. Kurse Kuvendi dhe KM-ja u bashkuan në kërkesat e tyre për rrëzimin e kërkesës me argumentin se ligji rregullonte këtë transport dhe se mënyra e rregullimit ishte diskrecion i KM-së.