E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, miting 15-minutësh në Elbasan, kaos në trafik

Elbasani e ka zhgënjyer plotësisht liderin e opozitës dhe PS-së, Edi Rama. Protesta e paralajmëruar për dje pasdite në ora 16:00, është shtyrë për në orën 17:00, pasi sipas krerëve lokalë, që mundoheshin t’i mbushnin mendjen Ramës, “ishte koha e keqe me shi dhe njerëzit nuk po mblidheshin”. Por Elbasani ashtu si edhe herën e kaluar, nuk ka mundur t’i japë sërish kënaqësi Edi Ramës, i cili nga ana e tij mësohet se ka kritikuar ashpër drejtuesit lokalë të PS-së për “mefshtësi dhe mosorganizim të tubimeve”. Duke ndenjur në bar-kafenë e turizmit në qendër të qytetit, Rama ka mbledhur drejtuesit e degës së PS-së dhe ka caktuar persona për ta mbajtur në korent me celular, mbi situatën tek sheshi mes dy godinave, bashkisë dhe prefekturës. Nga ana tjetër Policia e Qarkullimit Rrugor, e cila kishte marrë njoftim dhe urdhër, kishte bllokuar të vetmin aks rrugor që është i kalueshëm për mjetet, duke krijuar kaos të vërtetë të atyre që vinin dhe iknin nga Elbasani. Madje, qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve, të detyruar të presin radhë të gjata me makina, kanë protestuar tek uniformat blu duke kërkuar lirimin e trafikut dhe aksit rrugor. Protesta, e cila nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta, u fokusua tek fjala e liderit socialist, Edi Rama, i cili e ka nisur me kërkesën për “hapjen e kutive, largimin e Berishës” dhe e ka përfunduar me “rritjen e energjisë”, ku sipas tij, shkaktari kryesor mbetej “vetëm Sali Berisha”. Rama në fjalën e tij të shkurtër, para një grushti njerëzish të ardhur ndoshta me detyrim nga institucionet ku drejtohen nga socialistët, kërkoi prerazi dhe pa asnjë mëdyshje “hapjen e kutive, zbardhjen e abuzimit me votën e 28 qershorit, ndryshe kjo qeveri duhet të largohet”. Rama tha se “rritja e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind, mbetet një tjetër barrë e rëndë që kjo qeveri po vë në kurrizin e shqiptarëve, lufta ndaj bashkive që drejtohen nga socialistët, shkurtimi i buxhetit të tyre për 2010 do të shkurtojë investimet në qytetet tona, Berisha ka nisur kështu hakmarrjen e tij të verbër ndaj institucioneve tona”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›