E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta vazhdon lobingun në Lindjen e Mesme për njohjen e Kosovës

Turi Shefi i diplomacisë shqiptare, vizitë në Bejrut, ku takon Presidentin e vendit

Turi i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, në Lindjen e Mesme, ka vijuar dje me një vizitë në Liban. Ashtu si në Siri, edhe këtu protokolli ka ofruar një pritje të nivelit të lartë, teksa numri dy i qeverisë shqiptare është pritur nga Presidenti libanez, Michel Sulejman. Marrëdhëniet dypalëshe, zgjerimi i komunikimit diplomatik, përmirësimet ligjore në këtë drejtim, si dhe nënshkrimi i marrëveshjeve që do ndihmonin hapjen mes dy vendeve, kanë qenë tema e bisedës së zhvilluar mes dy politikanëve. Një vend me rëndësi ka zënë edhe problemi i Kosovës, që tanimë lidhet me shtimin e vendeve që njohin pavarësinë e saj, sidomos pas mendimit të shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Meta theksoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe kërkoi nga Presidenti i Libanit që vendi i tij ta konsiderojë njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës”, thekson zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Një apel ky i përsëritur në çdo takim të zv.kryeministrit shqiptar, që vijon të mbajë si prioritet të axhendës diplomatike të Tiranës zyrtare njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. Për të dhënë një kuptim të rëndësisë së këtij procesi mund të sillet në kujtesë edhe raportimi i fundit në Senatin amerikan i kandidatit për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexander Arvizu, i cili në vlerësimet paraprake cilësoi se “Shqipëria është nga vendet mbështetëse të politikës amerikane për zgjerimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”. Qasja e Tiranës zyrtare për këtë problem, sidomos drejt vendeve apo rajoneve me peshë, si Lindja e Mesme, është ndërkohë edhe një aspekt praktik i punës për pavarësinë përpos elementit patriotik. Më shumë rëndësi ka ngritja e çështjes së Kosovës në nivele të larta politike të vendeve si Siria, e cila ka influencë të madhe në rajonin në fjalë, por edhe në botën arabe. Po kështu, ndihmë në procesin e nisur është edhe profilizimi i politikës së Jashtme të Shqipërisë si një vend i moderuar dhe pa paragjykime dhe klishe në hapjen e saj drejt vendeve të tjera. Konfirmim i kësaj ka qenë edhe qëndrimi i përcjellë në takimin me Presidentin Sulejman, lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, që është ndër më të mprehtët në mbarë botën. “Meta gjithashtu theksoi qëndrimin e Shqipërisë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara”, citon zyra e shtypit. Nga ana e tij, Presidenti Sulejman vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe politikën e saj të hapjes ndaj rajoneve të tjera, veçanërisht atyre fqinje, si Lindja e Mesme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›