Rehabilitimi, si fitohet statusi “i padënuar”
Një i dënuar para viteve ‘90 në Shqipëri i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për “pastrimin e emrit”, pasi pretendon se gjatë marrjes së një vërtetimi të gjendjes gjyqësore rezultonte “i dënuar”. Ai pretendoi se zyra e Gjendjes Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kishte gabuar, pasi koha e gjatë e mbarimit të dënimit konsiderohet si “rehabilitim”. Si rrjedhojë, vërtetimi që duhet lëshuar nga kjo zyrë duhet të jetë i “pastër” dhe jo me dënimet e kaluara. Rasti u gjykua disa javë më parë në Gjykatën e Tiranës, ku shtetasi me inicialet E.F, 63 vjeç paditi zyrën e Gjendjes Gjyqësore. Ai pretendonte rehabilitimin prej dënimeve penale të dhëna në datën 29 tetor 1982 dhe në datën 28 janar 1988 të Gjykatës së Durrësit.
Gjithashtu kërkonte të njihej me gjendjen gjyqësore “i padënuar” dhe lëshimin e vërtetimit të gjendjes gjyqësore pa shënime dhe me gjendje gjyqësore “i padënuar”. Personit, në fillim të këtij viti i është lëshuar një vërtetim të gjendjes gjyqësore se është i dënuar. “Ai është dënuar me katër vjet burgim, në vitin 1982 si dhe me pesë vjet burgim e dy vjet internim në vitin 1988 në Durrës. E.F pretendon se, sipas ligjit, ai duhet të konsiderohet “i rehabilituar”. Zyra e Gjendjes Gjyqësore i ka lëshuar vërtetimin e gjendjes gjyqësore me shënimet e dënimeve, sipas tij në mënyrë të padrejtë.
Për këtë shkak, iu drejtua gjykatës duke kërkuar të konsiderohet “i rehabilituar”. Në fund të shqyrtimit gjyqësor, gjykata çmoi se pretendimet e kërkuesit janë shumë të drejta dhe të bazuara në ligj. Sipas saj, kërkuesi i plotëson kriteret e ligjit dhe ai duhet të quhet “i padënuar” dhe “i rehabilituar”.
Raste të tilla janë me dhjetëra që paraqiten pranë zyrës së Gjendjes Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të cilët kërkojnë rehabilitimin. Sipas nenit 69 të Kodit Penal quhen të padënuar ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Gjithashtu quhen “të padënuar” ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Në pikën c) të nenit 69 të Kodit Penal thuhet se quhen të padënuar ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Në ç) të këtij neni thuhet se quhen të padënuar ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë deri në njëzetepesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.
Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës është paraqitur edhe shtetasi S.L. Ai është deklaruar fajtor me një vendim të vitit 2006 në Tiranë për “dezertim” dhe është dënuar me pesë muaj burgim. Ai pretendon se në vitin 2007 ka përfituar nga amnistia dhe dënimi është shuar. Ky person pretendoi para gjykatës se preket nga neni 69 i Kodit Penal dhe i kërkoi togave të zeza fshirjen nga gjendja gjyqësore si “i dënuar”. Ndërkohë, gjykata ka rrëzuar kërkesën, pasi fshirja nga regjistrat e gjendjes gjyqësore është kompetencë dhe detyrë e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore pranë Ministrisë së Drejtësisë. “Kërkuesi S.L përpara se t’i drejtohej gjykatës, duhej t’i drejtohej Zyrës së Gjendjes Gjyqësore pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të bërë fshirjen”, thuhej në vendimin e gjykatës.