Jolanda Dhamo - Sfida e 44-vjeçares në “Top Fest” përballë këngëtarëve të rinj
klotilda harka
U largua si “koketë” në majë të takave dhe tani udhëton me shumë sportivitet mbi motor, pasionin e saj të ri. Tregon se nuk është ajo që ka qenë dikur. Ka ardhur të konkurrojë me një këngë në “Top Fest 7” dhe tashmë është 44 vjeç. Këngëtarja Jolanda Dhamo zbulon jetën larg Shqipërisë, përballjen e re me botën e artistëve këtu, brezin e ri të kompozitorëve dhe këngëtarëve
Me këngën “Larg je ti” merrni pjesë në “Top Fest 7”. Ka lidhje fabula me ndonjë histori personale?
Në fakt ia kam të dedikuar një shoqes time, e cila kishte një lidhje të bukur dashurie por që përfundoi me ndarje. Ajo më sugjeroi që të shkruanim historinë e saj për këtë këngë, dhe unë e bëra.
Kjo është hera e parë që ju konkurroni në një festival në Shqipëri pas viteve ’90-të. Pse vendosët të provoni në një garë të rinjsh?
Gjatë këtyre viteve s’e kam pasur të nevojshme të marr pjesë në një konkurrim, sepse ka mënyra të tjera për të qenë e pranishme, siç janë koncertet, klipet apo albumet, gjithashtu kam vite që këndoj në ambientet e hotel “Florida” në Durrës. Për të konkurruar në “Top fest 7” ishte dëshira ime. Ndodhesha në Tiranë dhe fola me drejtorin artistik, Dorian Gjoni nëse mund të ishte pengesë mosha ime. Ai më sugjeroi të bëj një këngë të bukur, dhe se ishte nder për këtë festival që të merrja pjesë pasi për herë të parë konkurrentët këndojnë “live”.
Në fakt na shtove kuriozitetin të dimë për moshën tuaj…
Pa problem do t’jua them, jam 44 vjeçe. (qesh)
Kthehemi në kohë për të ditur se çfarë ka ndodhur me largimin tuaj jashtë vendit?
Unë u largova nga Shqipëria në vitet ’91, si shumë shqiptarë të tjerë. Për 10 vjet nuk shkela fare këtu, dhe ndoshta shumë njerëz menduan se unë e kisha lënë karrierën time muzikore. Por jo. Gjatë këtyre viteve unë kam vazhduar të këndoj në Zvicër, Gjermani, Londër. Para disa vitesh bëra rikthimin tim të parë me një album, ku këngët ishin disi të thjeshta, dhe që po ta isha menduar më mirë do kisha sjellë krijime më të bukura. Gjithsesi pas albumit të parë, pati dhe një të dytë, dhe të tretë…. Por realisht aktivizimet e mia që u bënë këtu ishin pa vlerë.
Pse “pa vlerë”, çfarë prisnit pas rikthimit tuaj me albume?
Për hir të këtij publiku, siç ju thashë më sipër unë mendova të rikthehesha me një album si Jolandë, pasi njerëzit do të ishin kuriozë të dinin për mua. Pas të parit album, bëra disa albume, hodha ca para, dhe nuk fitova asgjë nga shtëpitë diskografike. Madje kur më duhej të merrja një kopje të albumit “I lodhuri” për një koncert që do të jepja në diasporë nuk gjeta asnjë kopje. Justifikimi i tyre ishte se albumet janë shitur, dhe ata nuk prodhojnë kopje të tjera për faktin se nuk mund të shiten më. Kjo është dëshpëruese dhe ndaj tani kam vendosur që mos të merrem më me shtëpitë diskografike.
Kush është Jolanda para viteve 90-të dhe tani që po flasim?
Për kohën atëherë kam një nostalgji të madhe, jo aq për moshën sesa për momentet e bukura në skenë. Nuk e gjej dot tani atë ndjesi si këngëtare. Tani jam e shqetësuar për faktin se një këngë kushton shumë, dhe unë nuk kam kushte që të paguaj 2 500 euro vetëm për një krijim. Ndaj shpesh pyes, pse këta kompozitorë me emër nuk i favorizojnë këngëtarët e mirëfilltë?! është fatkeqësi për ne që të detyrohemi të marrim dhe përkthejmë pastaj këngë të huaja bullgare, greke, apo turke dhe t’i këndojmë. Përsa u përket miqësive, vështirë të gjesh sot miq mes artistësh. Ulesh me ta në një tavolinë dhe vetëm intriga dëgjon. është njësoj si te “Big Brother”, fjalë pas krahëve, dhe vë re që artisti i ri nuk ka respekt për më të madhin. Gjithsesi profesionalizmi i ndan këngëtarët, sepse kur vjen puna për të kënduar “live’, nuk i sheh asnjë nga ato këngëtaret e bukura në skenë.
Flisni me nostalgji për atë kohë, keni qenë “e privilegjuar” në atë kohë?
Kam qenë e privilegjuar dhe ndër këngëtaret më të mira në atë kohë. Por prapë nuk mund të vendosësh një pikë krahasimi si kam qenë atëherë dhe dhe si jam aktualisht. Tani kam arritur të zgjeroj repertorin tim me shumë këngë të lehta, popullore e ritmike.
Ka ekzistuar atëherë rivaliteti i egër mes artistëve , si e shihnin këngëtaret?
Po ka ekzistuar por jo kaq sa sot. Atëherë nëse nuk mund të ishe këngëtare nuk mund të bëheshe. Ndërsa sot elektronika ka bërë që shumë këngëtare të dalin në skenë më zërin e përpunuar në kompjuter.
Së bashku me Parashqevi Simakun njiheshit si këngëtaret më të bukura, sa mikesha ishit me njëra-tjetrën, po tani?
Po e vërtetë që këngëtarja e brezit tim ka qenë Parashqevia. Unë dhe ajo kemi dalë në të njëjtën kohë në skenë, ishte viti 1981 dhe unë kam qenë 16 vjeçe. Kemi qenë shumë shoqe, ajo është rritur në shtëpinë time në Durrës edhe pse ishte nga Kavaja. E ruaj miqësinë me Parashqevinë, por ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë në Greqi është një largësi që gjithësesi të ndan.
Jeta e këngëtarëve atëherë ka qenë gjithnjë një mister, nga ç’familje vinit ju?
Unë jam bija e dy njerëzve të mëdhenj në Durrës. Nëna ime Pina Thani, (motra e aktores Tinka Kurti), atlete dhe hedhëse gjyleje disku ka thyer disa rekorde brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe ka jetuar 20 vite në Zvicër. Ndërsa babai im Petraq Dhamo ishte një nga këngëtarët shumë të njohur të estradës së Durrësit, dhe unë kam punuar me të. Ata kanë qenë të divorcuar, nuk jetojnë më prej tre vitesh pasi u ndanë nga jeta dy javë njëri-pas tjetrit, një enigmë e madhe për ne. Njëriu më i afërt që më ka mbetur tashmë nga familja jonë e vogël është motra Marina, ndërkohë që kam dhe dy vëllezër nga babai.
Po familja juaj aktuale cila është?
Unë vazhdoj të jem si gjithmonë e martuar. Jetojmë me famijen në Athinë, me djalin 24 vjeç Misha, të cilin nuk e ndërroj me asgjë në botë. Ai këndon shumë bukur, por nuk merret me art. Jam martuar që 21 vjeçe dhe kam po atë burrë që kam pasur, një njeri me vlera shumë të larta, me të cilin jemi njohur në qytetin tim, Durrës. Origjina e tij është greke dhe kjo është arsyeja që s’kthehem dot për të jetuar përgjithnjë këtu, edhe pse dëshira ime është e madhe.
Hera jote e fundit në festivalin e RTSH-së ka qenë viti‘89-të, ke menduar të rikthehesh?
Vetëm nëse do këndoja një këngë shumë të bukur. Por prapë them se nuk e shoh të arsyeshme pasi këngëtarët me karrierë si unë, nuk mund t’i vlerësojë një juri e caktuar. S’më duket normale.
Cili është kompozitori që do dëshiroje të bëje këngë tani?
Më pëlqen Flori Mumajesi, me të cilin kam pasur plan të bashkëpunoja para tre vitesh, por nuk vendosa pasi m’u duk shumë i ri atëherë. Por kur i dëgjoj këngët e tij tani them se bën këngë vërtet të bukura.
Keni arritur të jepni gjithçka në skenë, cili ka qenë maksimumi juaj?
Them nuk ka mbaruar arti për mua. Ende kam vlera për skenën. Por do thoja që në skenë unë nuk kam qejf të jap maksimumin, pasi nuk dua ta ushqej publikun me shumë. Në skenë vazhdoj të jem ajo Jolanda e ëmbël, me zë karakteristik dhe që tashmë njerëzit më njohin. Ndërsa në jetë kam ndryshuar shumë. Kam qenë një femër me shumë humor, por jeta e vështirë e një artisteje në emigracion më bën të pranoj që nuk jam ajo që kam qenë.