E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta zgjidhet me 91 vota pro kryetar i Kuvendit Te leme pas konfliktualitetin

Me 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim, Ilir Meta u zgjodh Kryetar i ri i Kuvendit, duke marrë edhe aprovimin e disa deputetëve të opozitës. Rezultatin e votimit të fshehtë, e shpalli Spartak Braho, LSI-sti që bën pjesë në grupin parlamentar të PS-së, duke shërbyer si urë lidhëse mes dy partive.
Namik Dokle e shpalli zyrtarisht, duke ftuar Metën të ulet në karrigen e kryetarit.

Edi Rama ishte ndër të parët deputetë të së majtës që u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

Në fjalën e tij, Meta vuri theksin në nevojën e gjithpërfshirjes duke ftuar klasën politike të lërë pas periudhën e konfliktualitetit.
“Ky kuvend duhet të përfaqësojë atë që duhet të jetë pritshmëria e shqiptarëve por dhe praktika më e mirë e europianëve, tolerancën dhe bashkëpunimin, respektin për ligjin e parimet demokratike. Shqiptarët kërkojnë nga ne reforma të thella dhe të qëndrueshme që na integrojnë më shpejt me Europën, reforma që u sjellin më shumë vende pune, që u bëjnë jetën e begatë fëmijëve dhe të ardhmes.
Ndaj ftesa ime është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale, jemi për të bërë më të mirën, për popullin tonë, na duhet të japim llogari cdo ditë se çfarë ligje duhet të miratojmë për të bërë jetën më të mirë e më të bukur”- u shpreh Meta.
Ndërsa kryetari i ri, nga emocionet, harroi të mbyllte seancën plenare, po njoftoi mbledhjen e nesërme në orën 11.00. Enigmë mbetën 8 votat që Meta mori nga koalicioni i djathtë.
Aleatët e Partisë Demokratike, garantojnë se kanë votuar kundër.
Fatmir Mediu i Republikanëve, Idrizi I PDIU-së dhe Nard Ndoka i Demokristianëve, bënë të ditur për mediat se nuk i kanë hedhur votat e tyre pro Metës, duke lënë të kuptohet se ato kanë ardhur nga radhët e demokratëve.
Por kjo duket se nuk e shqetësonte shumë kreun e grupit parlamentar të PD-së.
“Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë. Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin. As nuk e dëgjova rezultatin sme interesonte, tani po e marr vesh nga ju.”- deklaroi Paloka.
Për ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi, fakti që Meta u votua edhe nga e djathta është vetëm një shenjë pozitive.
“Dëshiroj t’i jap urimet e mia më të mira zotit Meta për zgjedhjen e tij si kryetar i kuvendit dhe nuk kam dyshim se ai do ta udhëheqë kuvendin në mënyrën më të mirë. Gjatë fjalimit të zotit Meta, ai tha disa fjalë të rëndësishme, të cilat i mbajta shënim. Ai tha se integrimi i Shqipërisë në BE ecën në mënyrë paralele me integrimin mes mazhorancës dhe opozitës. Në fakt edhe unë thashë dje që shpresojmë që në parlamentin e ri të shikojmë më pak konfliktualitet dhe më shumë zgjidhje. Ai përdori fjalët reforma, transparencë, sipërmarrje të përbashkët, gjithëpërfshirje, zbatueshmërine e ligjeve.”- deklaroi ambasadori Sekui.

E pamundur të thuash sa i është bërë qejfi Metës nga votat ekstra. Ajo që hamendësohet lehtë, është se ndër urimet që e kanë gëzuar më shumë, janë ato të vajzës së tij të vogël, Borës.

Betohen 140 deputetët e Kuvendit
Kuvendi nisi procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, pas betimit të 140 deputetëve, të cilët votuan në mënyrë të fshehtë, pro ose kundër zgjedhjes së Ilir Metës si kryetar i ri i Parlamentit të Shqipërisë, i cili garoi i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit. 
Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë u betuan të 140 deputetë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
Komisioni i verifikimit të mandateve nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pas leximit të konkluzioneve të raportit nga Armando Subashi, deputetët bënë betimin njëri pas tjetrit. Sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë "Betohem".
Nga konkluzionet e komisionit Armando Subashi nënvizoi vetëm rastin e Vasil Bicajt, i cili ka deklaruar se refuzon të bëjë betimin duke hequr dorë nga mandati i deputetit.
“Në lidhje me këtë rast, i takon kryesuesit të seancës të veprojë në bazë të rregullores së Kuvendit.”- tha Subashi.
“KQZ ka marrë vendimin përfundimtar për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve i cili përfshin nurin e votave dhe mandateve. Sipas këtij vendimi mandatet janë ndarë: ASHE 83 mandate, PS 65, LSI 16, PBDNJ 1, PKD 1 mandat. APMI 57 mandate, PD 50, PR 3, PDIU 4 mandate. Mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë të vlefshme.”- thuhet në konkluzionet e komisionit.
Vendin e Vasil Bicajt pritet ta zërë kandidati pasardhës në listën e PD-së për Lezhën, Mhill Fufi.

Dje Kuvendi celi punimet e seancës së parë të legjislativit të tetë të dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, të cilat zgjatën vetëm 12 minuta.
Nuk pati asnjë shtrëngim duarsh mes Kryeministrit në detyrë, Sali Berisha dhe pasardhësit të tij, Edi Rama
Punimet e Parlamentit të ri i çeli, Namik Dokle, që në bazë të rregullores është deputeti i dytë më i vjetër në moshë pas Berishës, ky i fundit më herët bëri publik vendimin e tij për të refuzuar hapjen e seancës.
Në Kuvendin e ri, aleanca e majtë ka 83 deputetë, ndërsa aleanca e djathtë 57 deputetë. Ndër 140 deputetët e kësaj legjislature, 55 ulen për herë të parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›