Metaj: Dua të luaj vetëm me Shqipërinë
Athine/ Drini Çaushi
Kosovari nga Peja, Shkodran Metaj, i cili aktivizohet në radhët e ekipit holandez Groningen, rrëfen historinë e tij se si u afirmua në Holandë. Metaj në një intervistë eskluzive për Panorama në Athinë, i cili kishte ardhur me ekipin e tij për një ndeshje miqësore kundra Olimpiakos të Pireut tregon, si arriti të luaj me ekipin shpresa të Holandës dhe çfarë ndjen për Shqipërinë dhe kombëtaren tonë.
Shkodran ku keni lindur dhe ku jeni rritur ?
Jam lindur më 5 shtator të vitit 1988 në Studenicë të Pejës së Kosovës, megjithëse ambienti atje ishte i rënduar nga lufta, unë jetova 5 vjet atje. Në moshën 5-vjeçare babai vendos bashkë me nënën të ikim nga Kosova dhe të emigrojmë në Holandë.
Debutimi i parë ndaj Ajaksit, si arritët deri aty?
Unë jam përgatitur si futbollist nga akademitë e Groningenit dhe kur erdhi dita e debutimit në ndeshjen kundra Ajaksit të madh, përpara ndeshjes më mori trajneri nga ekipi i dytë, për tu përgatitur për ndeshjen. Ishte shumë emocionuese.
Si jeni ndier kur keni parë ndeshjen Holandë-Shqipëri?
Jam ndier shumë i lumtur që ndodhesha në stadium me babain dhe kushëririn tim, duke bërë tifo për Shqipërinë. Kur shënoi gol Shqipëria me anë të Debatik Currit, kemi festuar si të çmendur. Kombëtarja jonë, ka luajtur shkëlqyeshëm në atë ndeshje, ku ju mohuan dhe 2-penallti, nuk do ti harroj komentet e shtypit holandez të nesërmen.
Si qëndron e vërteta juaj, në lidhje me refuzimin për të luajtur me Shqipërinë ?
Dëshiroj të përmend këtu, se gjatë gjithë kësaj kohe, kur unë luaja me ekipet e grup-moshave të Holandës, asnjeri nuk bëri më të voglin interesim për mua, kjo do të thotë që unë nuk kam refuzuar gjë por s’ka qenë interesimi i duhur që unë të vija. Kam pasur vetëm dy kontakte,një herë kur ka qenë trajner Oto Bariç, i cili kontaktoi në telefon me babanë tim, meqë të dy komunikonin serbisht, na lajmëroi që do të vinte të më shikonte në ndonjë ndeshje, gjë që nuk ndodhi kurrë. Kurse një herë tjetër, ka qenë, kur do të bëhej një grumbullim dhe më lajmëruan që të paraqitesha në Tiranë, lajmërimi mu bë nga një zyrë në Gjermani, i thashë që do të vij me pa të voglin hezitim por vetëm më pagoi biletën e avionit, pas kësaj kërkese nga ana ime, nuk u bë më i gjallë asnjeri.
Në ndeshjen e Holandë-Shqipëri kanë qenë të gjithë zyrtarët e FSHF, pse nuk i takuat dhe të bisedonit me ta?
Në radhë të parë unë dhe babai im nuk e njohim z.Armand Duka, së dyti pa të autorizuar dikush, nuk kisha sesi ta takoja, dhe as nuk e dija që ishte aty presidenti i FSHF-së dhe së treti, unë jam futbollist, puna ime është të luaj futboll dhe kush është i interesuar, duhet të vijë të më takojë, sepse unë me të vërtetë luaj për Holandën që nga U-15 deri U-21, por në qoftë se më vjen një thirrje nga kombëtarja jonë e Shqipërisë, unë do ta shqyrtoj seriozisht.
Kjo do të thotë që me ligjin e ri të FIFA-s ju mundet të luani për ngjyrat kuq e zi?
Po, unë jam i interesuar që të luaj për kombin tim, si për Kosovën ashtu dhe për Shqipërinë, tani sapo i kam mbushur 21 vjec dhe nuk kam problem të vendos për të ardhmen time. Më vjen keq gjithashtu që nuk erdhi asnjëherë të interesohej për mua trajneri holandez Arie Haan, meqë unë luaj në Holandë dhe pikërisht Groningeni është vendlindja e tij. Kam marrë vesh që ai vinte shpesh në stadium për të parë ekipin tim, por siç duket asnjëherë nuk e kuptoi që aty luante një shqiptar.