E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau te dogana, autori dorëzohet në polici

 

TIRANE - Plaga e rëndë në kokë, që Bashkim Qefalia mori gjatë përleshjes me viktimën Artan Allushi, të dielën, e ka detyruar atë që të dorëzohet në polici pas tri ditë kërkimesh nga forcat e rendit. Autori i dyshuar i vrasjes së 26-vjeçarit Allushi dhe plagosjes së Kujtim e Nertil Allushit, është arrestuar në Kamëz në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas 3 ditësh që ishte në arrati. Burime nga policia konfirmuan arrestimin e tij, duke shpjeguar se Qefalia i është afruar vetë patrullës së policisë së Komisariatit Nr.5, duke u prezantuar si autor i ngjarjes së ndodhur të dielën. Procesi i marrjes në pyetje të 39-vjeçarit, vetëm disa minuta, për shkak se ai ka pranuar autorësinë, ka rrëfyer shkaqet dhe intenerarin e lëvizjeve në arrati prej ditës së dielë. Pyetja e tij nuk ka zgjatur shumë për shkak të plagës që ai ka marrë në kokë, e cila kishte nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Menjëherë pas deklarimeve që ai ka dhënë për oficerët e policisë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Qefalia është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak e më pas është rikthyer në qeli. Një ditë para arrestimin të tij, policia e kryeqytetit vuri në pranga edhe njërin nga bashkëpunëtorët në vrasje, Isa Lusha, i cili e kishte ndihmuar edhe që të arratisej nga vendi i ngjarjes. Ndërsa personi i tretë që ka bashkëpunuar me Qefalinë, ende është në kërkim nga policia. Arrestimi i Bashkim Qefalisë është bërë në një kohë kur policia kishte kryer mbi 60 kontrolle banesash, duke kërkuar kapjen e autorit të vrasjes së të dielës, Bashkim Qefalia. Burime nga grupi hetimor thanë se në orën 02:00 pas mesnate ai është arrestuar nga policia, duke u prezantuar si autor i vrasjes së Artan Allushit dhe duke shpjeguar që kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Menjëherë sapo kanë marrë sinjalizimin e kolegëve në Kamëz, oficerët e grupit hetimor janë nisur në drejtim të vendit ku ndodhej i kërkuari. Ai është transportuar në Drejtim të Policisë së Tiranës, ku dhe është marrë në pyetje për disa minuta. Qefalia u shpall në kërkim, pasi iku nga vendi i ngjarjes ku vrau Artan Allushin dhe plagosi Kujtim e Nertil Allushi, pas një konflikti me ta për ngacmimin e një vajze të afërme të viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›