E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalla: Rama ka frikë nga rezoluta, po shmang përgjegjësitë e dokumentit të evropianëve

Fatos Beja: PE rrëzoi përfundimisht pretendimet e PS-së për kutitë e votimit


Deputeti i Partisë Demokratike Osman Metalla, ka akuzuar sot kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka frikë nga drafti i evropianëve, për zgjidhjen e ngërçit politik dhe konfirmimin e rrugës së integrimit të vendit. Metalla tha se “Edi Rama deklaroi publikisht se nuk e pranon Rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar dje me konsensusin e gjerë të grupeve politike në Strasburg”. “Në një takim me mediat, zoti Rama hodhi poshtë në përgjithësi Rezolutën dhe sidomos pikën 6 të saj, citoj: “Vëren se marrëveshja kryesore për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për të hetuar mbi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009 – kryetari dhe shumica e të cilit të zgjedhur nga opozita, dhe me mandat për të hetuar materialet zgjedhore – duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur; thekson se ky komision hetimor duhet t’i paraqesë konkluzionet e tij në kohën e duhur për të mundësuar parlamentin të miratojë legjislacionin e ri mjaft para zgjedhjeve lokale mbi bazën e koncluzioneve të komisionit dhe propozimeve të bëra nga OSBE/ODHIR”- u shpreh deputeti demokrat. Sipas tij, Rama është në panik dhe dëshpërim të thellë pas votës së djeshme në Parlamentin Europian, ku u votua për të mbështetur Shqipërinë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa kaluar 24 orë, ai refuzoi të marrë përgjegjësitë e qarta që i kërkon ky dokument. “Na duhet t’i kujtojmë zotit Rama se ligji zgjedhor në nenin 178 të tij saktëson se materialet zgjedhore janë procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numrit të fletëve të votimit, dhe jo fletët e votimit. Po ky nen saktëson se, me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së. Kryetari i Partisë Socialiste është i vetmi politikan në botë, i cili pranon vetëm gjysmën e një neni, dhe jo gjysmën tjetër të tij, për shkak se nuk i intereson”- tha Metalla. Ai theksoi më tej se refuzimi i rezolutës së Parlamentit Europian nuk është rasti i parë dhe as fenomen i shkëputur në qëndrimet e zotit Rama ndaj mesazheve të institucioneve ndërkombëtare. “Të njëjtën gjë ai ka dëshmuar edhe në rastin e Këshillit të Europës dhe të përpjekjeve të tjera të faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë një zgjidhje situatës politike në Shqipëri. Me sa duket zotit Rama i duhet që me këtë rast të mësojë edhe peshën reale që ka Parlamenti Europian në vendimmarrjen politike të BE-së në raport me Shqipërinë dhe me procesin e saj integrues”- deklaroi ndër të tjera, deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla.


Beja: Parlamenti Evropian rrëzoi përfundimisht çështjen e kutive të votimit

Ndonëse mazhoranca ështe e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve sipas propozimit të sugjerimeve të rezolutës se Parlamentit Europian, me zbardhjen e materialeve zgjedhore, opozita shqiptare vazhdon të kurdisë reprezalje të momentit, duke anashkaluar frymën e bashkëpunimit. Dokumenti i miratuar dje nga Parlamenti Europian është përgjigja më e mirë për kërkesat e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të kaluar. Këtë konstatim e dha sot kryetari i komisionit të Jashtëm, deputeti i PD-së Fatos Beja, gjatë një komunikimi me gazetarët.
Sipas tij socialistët dështuan që të përfshinin në këtë rezolutë propozimet e tyre për të hapur të gjitha kutitë e votimit.
“Dështuan disa përpjekje të opozitës nga Tirana për të futur disa amendamente të propozuara nga ndonjë socialist në Parlamentin europian për të futur si atribut të komisionit parlamentar shqyrtimin e të gjitha materialeve të votimit. U dha përgjigjia dhe nga PE që shqyrtoni materialet e votimit, atë që mazhoranca e ka shprehur prej kohësh. Kështu që për mua merr rrugë edhe pretendimi për ‘hapen, s’hapen kutitë’. Nëse opozita përgjigjet pozitivisht që në javën që vjen mund të krijohet komisioni për të diskutuar për rekomandimet e ODIHR-it për të diskutuar ato që do të sugjerohen”- u shpreh kryetari i Komisionit parlamentar të Jashtëm, Fatos Beja.
Beja, i cili ishte vetë i pranishëm gjatë miratimit të rezolutës në PE shprehet i bindur se mazhoranca dhe opozita janë pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve një vjeçare për zgjedhjet dhe tashmë është koha që ata ulen për të vendosur modalitete dhe të fillojë puna edhe për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
“është një çështje që do ta diskutojnë të dy palët. A do të jetë ky komision, a do të jenë dy paralel, është çështje që meriton të diskutohet, por nuk ka kohë. Unë personalisht do të sugjeroja të mos i lëmë njëra pas tjetrës. Po t’i lëmë njëra pas tjetrës dmth, që t’i hajë 3 muaj një komision, tre muaj komisioni tjetër, po afrohen zgjedhjet. Si do shkojmë në zgjedhje? Do shkojmë në kundërvënie me atë që rekomandon rezoluta e PE”- vuri në dukje Beja.
Ai tha se një tjetër zhvillim i rëndësishëm i seancës së Parlamentit Europian ishte edhe vendi për të shqyrtuar në shtator liberalizimin e vizave për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›