E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PE rrëzoi përfundimisht çështjen e kutive të votimit”

Fatos Beja

Ndonëse mazhoranca është e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve sipas propozimit të sugjerimeve të rezolutës se Parlamentit Europian, me zbardhjen e materialeve zgjedhore, opozita shqiptare vazhdon të kurdisë reprezalje të momentit, duke anashkaluar frymën e bashkëpunimit. Dokumenti i miratuar dje nga Parlamenti Europian është përgjigja më e mirë për kërkesat e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të kaluar. Këtë konstatim dha dje kryetari i komisionit të Jashtëm, deputeti i PD-së Fatos Beja, gjatë një komunikimi me gazetarët.
Sipas tij socialistët dështuan që të përfshinin në këtë rezolutë propozimet e tyre për të hapur të gjitha kutitë e votimit.
“Dështuan disa përpjekje të opozitës nga Tirana për të futur disa amendamente të propozuara nga ndonjë socialist në Parlamentin europian për të futur si atribut të komisionit parlamentar shqyrtimin e të gjitha materialeve të votimit. U dha përgjigja dhe nga PE që shqyrtoni materialet e votimit, atë që mazhoranca e ka shprehur prej kohësh. Kështu që për mua merr rrugë edhe pretendimi për ‘hapen, s’hapen kutitë’. Nëse opozita përgjigjet pozitivisht që në javën që vjen mund të krijohet komisioni për të diskutuar për rekomandimet e ODIHR-it për të diskutuar ato që do të sugjerohen”, u shpreh kryetari i Komisionit parlamentar të Jashtëm, Fatos Beja.
Beja, i cili ishte vetë i pranishëm gjatë miratimit të rezolutës në PE shprehet i bindur se mazhoranca dhe opozita janë pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve një vjeçare për zgjedhjet dhe tashmë është koha që ata ulen për të vendosur modalitete dhe të fillojë puna edhe për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
“është një çështje që do ta diskutojnë të dy palët. A do të jetë ky komision, a do të jenë dy paralel, është çështje që meriton të diskutohet, por nuk ka kohë. Unë personalisht do të sugjeroja të mos i lëmë njëra pas tjetrës. Po t’i lëmë njëra pas tjetrës d.m.th, që t’i hajë 3 muaj një komision, tre muaj komisioni tjetër, po afrohen zgjedhjet. Si do shkojmë në zgjedhje? Do shkojmë në kundërvënie me atë që rekomandon rezoluta e PE”- vuri në dukje Beja.
Ai tha se një tjetër zhvillim i rëndësishëm i seancës së Parlamentit Europian ishte edhe vendi për të shqyrtuar në shtator liberalizimin e vizave për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›