Rama: “I turpshëm refuzimi i Berishës. Kutitë e votimit u hapën edhe në Kabul”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili u shpreh i gatshëm për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, por pa i hapur kutitë e votimit. Rama tha dje se kryeministri Berisha po mban një qëndrim absurd dhe se angazhimi i tij është krejt i kundërt me atë që kërkon Partia Socialiste. “Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik që u mbyll me vendimin e Kolegjit Elektoral. Janë dy gjëra të ndryshme që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që kryeministri i bashkon sepse kërkon t’i ikë me çdo kusht të vërtetës që fshihet në kutitë e 28 qershorit, të vërtetës së madhe, se zgjedhjet janë grabitur, se vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti”, - deklaroi Rama. Kreu i PS-së fajësoi kryeministrin si shkaktar të thellimit të krizës politike. Rama tha se Berisha nuk ka përse të ketë frikë nga e vërteta, ndërkohë që kujtoi se kutitë e votimit dhe rinumërimi i votave po ndodh edhe në Kabul. “Fakti është që sot Shqipëria është, pa dyshim, në një situatë tërësisht të papranueshme, për shkak se ndërkohë që kutitë hapen kudo, edhe në Greqinë fqinje po bëhet një rinumërim, edhe në Afganistanin e largët kutitë u hapën, ndërkohë që në vendin tonë, edhe pse është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj, u ndalua me pushtetin arbitrar të administratës zgjedhore dhe të Kolegjit Zgjedhor, e tashmë kjo gjë i ndalohet edhe vetë Parlamentit, i cili, pa as më të voglin dyshim, mund të hapë çdo çështje, çdo kuti, çdo dosje për hir të së drejtës që të hetojë lidhur me çështje të caktuara”, - u shpreh Rama.
Aksioni politik
Kryesocialisti Edi Rama theksoi se Partia Socialiste është tejet e vendosur për të realizuar transparencën e zgjedhjeve nëpërmjet hetimit parlamentar dhe kutive të votimit. Rama tha se aksioni politik i PS-së do të vijojë me bojkot dhe protesta deri në rrëzimin e qeverisë aktuale. “Sepse nuk mund të ketë kurrë në Shqipëri një proces tjetër zgjedhor pa mbyllur një proces hetimor për zgjedhjet që shkuan. Nuk mund të ketë garanci në Shqipëri për zgjedhësit e zgjedhëset në procesin e ardhshëm zgjedhor pa u dhënë atyre të drejtën që të shohin në dritën e diellit se si qëndron e vërteta me procesin e shkuar zgjedhor. Ne jemi këtu për ta bërë të mundur atë gjë përmes aksionit politik, që pa asnjë dyshim nuk do të ndryshojë trajektoren e vet. Ne nuk do të hyjmë në Parlament. Ne do t’i përshkallëzojmë protestat tonë dhe do t’u japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij, sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është e mbyllur apo ekziston vetëm për opozitën. Ne do të bëjmë çmos që përshpejtojmë fundin e kësaj qeverie dhe Sali Berisha nuk ka dy rrugë, ka vetëm një: t’i hapë rrugë hetimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit nëse nuk dëshiron që rruga e qeverisjes së tij të mbyllet shumë përpara kohe”, - u shpreh Rama.
Vizat
Kryetari i Partisë Socialiste foli gjithashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Rama theksoi se Shqipëria nuk ka për të përfituar nga ky proces edhe në janarin e vitit të ardhshëm. Sipas tij, shqiptarët do të izolohen vitin e ardhshëm vetëm për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kryeministrit Sali Berisha. “Nuk ka asnjë rreshtim të Shqipërisë në janarin e 2010-s. Në janarin e 2010-s, për fat të keq, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe vetëm për faj të Sali Berishës, Europa bëhet pa kufij për serbët, për malazezët, për maqedonasit, dhe jo për shqiptarët. Për të shkuar në Maqedoni dhe në Mal të Zi do të duhet të bëjmë procedura sikur po shkojmë në Gjermani dhe në Angli. Kjo vetëm sepse shqiptarët kanë për kryeministër një njeri të paaftë, të papërgjegjshëm dhe të interesuar vetëm për interesat e familjes së tij dhe oborrit të tij familjar, dhe jo për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kështu që jepini fund kësaj farse, sepse nuk ka në janar të 2010-s, për fat të keq, e përsëris, asnjë lehtësim për Shqipërinë dhe për shqiptarët, dhe kjo vetëm për faj të Sali Berishës dhe të askujt tjetër”, - theksoi kryetari i Partisë Socialiste.
Rama: “Berisha po kërcënon pronarët e mediave”
Kryetari i Partisë Socialiste, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ka komentuar edhe raportin e “Reporterëve pa kufij”, i cili e rendiste Shqipërinë në vendin e fundit në rajon përsa i përket lirisë së mediave. Rama tha se media në Shqipëri po vuan asimilimin për shkak të sistemit korruptiv që administrohet nga kryeministri. Ai theksoi se Berisha po kërcënon vazhdimisht pronarët e mediave për t’i vënë në tutelën e tij.
“Notat negative të ‘Reporterëve pa kufij’ janë asgjë në krahasim me realitetin shumë më negativ me lirinë e medias në Shqipëri. Sot media në Shqipëri vuan si asnjëherë më parë rrezikun e asimilimit brenda një sistemi të korruptuar dhe korruptiv që administrohet nga Sali Berisha. Kryeministri nuk i padit dhe nuk ka nevojë t’i padisë gazetarët, sepse kërcënon vijimësisht pronarët, që më pas ata bëhen barrë mbi gazetarët. Ky kërcënim më pas është i orkestruar sipas modeleve më kërcënuese për demokracinë, që janë modelet të aplikuara në vende gjysmëdemokratike dhe në vende ku liria është e administruar nga pushteti”, - u shpreh Rama.
PS: Qeveria dhe kryeministri, presion sistemit të Drejtësisë
Partia Socialiste ka reaguar sërish ndaj përmbajtjes së Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, është ndalur në pjesën e raportit, i cili flet për përkeqësimin e gjendjes së sistemit të Drejtësisë. Gjiknuri akuzoi kryeministrin Berisha se po ushtron presion të vazhdueshëm ndaj vendimeve të Gjyqësorit, në mënyrë që të shpallen të pafajshëm ministrat e pandehur të kabinetit të tij. “Një nga fushat më problematike dhe që ka shënuar përkeqësim të dukshëm gjatë qeverisjes së Sali Berishës është Drejtësia. Në Progres-Raportin e radhës dalin në pah problemet e mëdha që kanë pushtuar sistemin e Drejtësisë. Raporti shpreh qartë se autoritetet shqiptare kanë bërë një progres shumë të pakët në fushën e Drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin. Në Progres-Raport vihet theksi edhe në ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së Gjyqësorit, duke konfirmuar atë që opozita shqiptare e ka deklaruar vazhdimisht, që familja Berisha, gjatë mandatit të tij të parë, por edhe në vazhdim, ka ushtruar dhe ushtron trysni mbi pushtetin e pavarur të Drejtësisë. Shembuj të qartë të përuljes dhe intimidimit të Drejtësisë në favor të interesave të Berishës janë pushimi i çështjeve që lidhen me skandalin e rrugës Durrës-Kukës, çështjen e Gërdecit, e pse jo, edhe gjykimet e shpejtuara të Kolegjit Zgjedhor në favor të kërkesave të Partisë Demokratike. Për herë të parë në leksikun politik të ndërkombëtarëve është përfshirë nocioni i kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve, duke përbërë një stad tjetër të kapjes së shtetit nga familja që qeveris vendin.
Partia Socialiste e konsideron Drejtësinë si garantin e demokracisë dhe kërkon nga të gjithë faktorët dhe pushteti në vend, kryesisht nga qeveria, por duke mos lënë mënjanë as Presidentin e Republikës e KLD-në, që të ushtrojë të gjithë ndikimin e duhur që gjendja në Drejtësi të përmirësohet dukshëm”, - tha deputeti socialist, Damian Gjiknuri.
22 Tetor 2009