Luajmë në sulm,s’ka eksperimente
Jetmir Halilaj
Shqipëria ndeshjen e parë ndërkombëtare e ka luajtur 64 vite më parë, pikërisht kundër Malit të Zi, duke fituar 5-0 në takimin miqësor të luajtur më 22 shtator të vitit 1946 në Shkodër.Golat u shënuan nga Teliti 29’, 66’, Bizhuta 35’ dhe Juka 60’, 62’. Sot, pas më shumë se gjysmë shekulli kuqezinjtë e drejtuar sërish nga një trajner i huaj (asokohe trajner ishte Ljubisha Broçiç), kërkojnë të përsëritin një tjetër sukses, duke shpresuar të bëjnë “dopietë” ndaj fqinjëve tanë.
Formacioni
Dilema e trajnerit të përfaqësueses shqiptare në ndeshjen e sotme kundër Malit të Zi mbetet reparti i mbrojtjes, pasi është i pasigurt nëse Curri apo Dallku duhet të luajnë përkrah Lorik Canës. Tekniku ndërkaq ka përcaktuar që të aktivizojë që nga minuta e parë dyshen sulmuese Bogdani-Salihi. Interesant është fakti që në formacionin titullar të projektuar nga tekniku kroat, nuk ka asnjë nga futbollistët e rinj të thirrur në këtë grumbullim.
Porta
Hidi pritet ta nisë që nga minuta e parë, duke përfituar kështu edhe nga problemet me pasaportën që pati Ujkani. Llani nuk e ka bindur totalisht Bozhiqin dhe ky i fundit i ka sugjeruar Hidin në 11-tëshin titullar.
Mesfusha
Reparti qendror mbetet për t’u parë, pasi gjithçka mund të ndikohet nga ndryshimet në mbrojtje. Deri dje në mbrëmje, Kuzhe ishte i vendosur që të luante me Bulkun dhe Likën para mbrojtjes, ndërsa Skela dhe Duro të luanin nga krahët. Vlonjati në të majtë, duke shërbyer shpesh herë edhe si sulmues i dytë, ashtu sikundër edhe Duro që pritet të pozicionohet në të djathtë. Gjithçka mund të ndryshojë nëse Curri do të spostohet në qendër të mesfushës, pasi në këtë mënyrë Gilman Lika do ta nisë nga stoli.
Mbrojtja
Dallku në krahun e djathtë, Cana dhe Curri në qendër, ndërsa Agolli në të majtë. Megjithatë, Kuzhe deri dje nuk ka qenë plotësisht i sigurt për katërshen e mbrojtjes. Kjo pasi, Lika dhe Agolli nuk kanë bindur në rolet e tyre respektive. Trajneri mund të ndërrojë mendje në momentet e fundit dhe Currin ta spostojë në të majtë, ose në mesfushë para mbrojtjes. Nëse kosovari luan në të majtë të mbrojtjes (në vend të Agollit), atëherë Dallku do të luajë në qendër të mbrojtjes dhe Lila do të aktivizohet në të djathtë të repartit të tërhequr. Në rast se Curri do të luajë në mesfushë, atëherë mbetet Gilman Lika jashtë formacionit dhe nga ky spostim përfiton sërish Andi Lila, i cili mund të vendoset në të djathtë të mbrojtjes.
Sulmi
Skema e parapëlqyer e Kuzhesë mbetet ajo me një sulmues të vetëm dhe Bogdani në këtë rast është i favorizuar më shumë se të gjithë, por sot pritet që kuqezinjtë të luajnë me dy futbollistë në repartin ofensiv. Dyshja titullare do të përbëhet nga Bogdani-Salihi. Kuzhe dëshiron të testojë gjendjen e dy futbollistëve që mendohet të mbajnë edhe peshën e sulmit në edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të Euro 2012.