Gërdeci, shtyhet për mungesë të gjyqtares
TIRANE - Gjykata e Tiranës nuk mundi të zhvillojë normalisht dje seancën gjyqësore të radhës në ngarkim të 29 të pandehurve, të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mosformimi i trupës gjykuese. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi dje para palëve se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk mund të merrte pjesë në proces. Sipas kryesuesit, gjyqtarja Hajdari nuk ishte paraqitur në proces për shkak të arsyeve objektive. Shtyrja e seancës dështoi edhe pyetjen e disa dëshmitarëve të paraqitur në gjykatë. Procesi në ngarkim të të akuzuarve, si përgjegjës të shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Fillimisht u pyetën ish-punonjës të fabrikës së demontimit. Në vijim para gjykatës janë paraqitur ushtarakë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të cilët kanë dhënë shpjegime në lidhje me zbatimin e praktikave ligjore të ndërtimin e më pas aktivitetit të fabrikës së Gërdecit. ar.ba