E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metamorfoza e Brazilit, tani me një mbrojtje të hekurt

BRAZIL- Të gjithë janë mësuar ta shohin Brazilin si skuadrën që bën futbollin më sulmues, por nën drejtimin e Karlos Dungës, brazilianët kanë tashmë edhe një mbrojtje solide. Në Botërorin e Afrikës pritet që të shkëlqejë jo vetëm reparti ofensiv i përbërë nga futbollistë si Kaka, Robinjo, Nilmar apo Luis Fabiano, por edhe ai i prapavijës, ku luajnë futbollistë si Tiago Silva, Huan, Lusio, Luizao apo Maikon. “Kam shumë besim tek Huan, Lusio dhe Luizao, që më ndihmon gjithnjë në seancat stërvitore, - shprehet mbrojtësi i Milanit Tiago Silva. – Mendoj se mbrojtja braziliane do të jetë një nga më të fortat në Kupën e Botës”, shton ai. Karlos Dunga është kritikuar shumë në Brazil për shkak se ka grumbulluar 7 mesfushorë me tipare mbrojtëse dhe se e ka kthyer kombëtaren në një ekip që luan me kundërsulm dhe që bazohet në futbollistë fizikisht shumë të fortë. Por, deri tani ky sistem ka qenë efikas, pasi Brazili ka fituar Kupën e Amerikës Latine dhe atë të Konfederatave, ndërsa u kualifikua e para për në botëror në grupin amerikano-jugor. “Unë besoj te talenti i skuadrës sonë, - thotë mbrojtësi i Romës Huan. – Por, kur fiton turne të rëndësishëm dhe kur mposht kundërshtarë të fortë, atëherë fiton më shumë besim te vetja. E dimë se Kupa e Botës është ndryshe, pasi presioni është shumë i madh, por askush nuk ka eksperiencën tonë”, shton ai. Brazili ndodhet në Grupin G të Botërorit afrikan, një grup që konsiderohet më i vështiri. Pesë herë kampionët e botës do të përballen me kundërshtarë si Portugalia e Ronaldos, Bregu i Fildishtë i Drogbasë dhe Koreja e Veriut. Pavarësisht kësaj, besimi i tifozëve është i madh dhe kjo është parë nga numri i madh i tyre në seancat stërvitore të Seleçaos.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›