Rritet numri i të prekurve, konfirmohen 4 raste të reja
TIRANË - Shkon në 12 numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë. Pas tetë rasteve të para, ditën e djeshme janë konfirmuar edhe katër të tjerë të prekur. Rastet e infektuara me këtë virus u konfirmuan nga Instituti i Shëndetit Publik, pas ardhjes së përgjigjeve përfundimtare nga laboratori i referencës në Rumani. Pas kryerjes së analizave paraprake në laboratorin e ISHP-së në Tiranë, 13 persona rezultuan të infektuar me gripin e derrave. Për të marrë një përgjigje përfundimtare nëse bëhej fjalë ose jo për virusin A/H1N1, mostrat e 13 personave u dërguan në laboratorin epidemiologjik në Bukuresht. Pas ekzaminimit të këtyre mostrave, katër prej tyre kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit A.
TIRANë - Shkon në 12 numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë. Pas tetë rasteve të para, ditën e djeshme janë konfirmuar edhe katër të tjerë të prekur. Rastet e infektuara me këtë virus u konfirmuan nga Instituti i Shëndetit Publik, pas ardhjes së përgjigjeve përfundimtare nga laboratori i referencës në Rumani. Pas kryerjes së analizave paraprake në laboratorin e ISHP-së në Tiranë, 13 persona rezultuan të infektuar me gripin e derrave. Për të marrë një përgjigje përfundimtare nëse bëhej fjalë ose jo për virusin A/H1N1, mostrat e 13 personave u dërguan në laboratorin epidemiologjik në Bukuresht. Pas ekzaminimit të këtyre mostrave, katër prej tyre kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit A.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bënë të ditur, se konfirmimi i këtyre rasteve erdhi pas analizave që u kryen në laboratorin e Bukureshtit. Pasi janë analizuar të gjithë rastet e dyshuara, katër prej tyre kanë rezultuar mbartës të virusit, ndërsa për nëntë të tjerë përgjigja ka qenë negative.
Konfirmimi i këtyre katër rasteve të tjera e çon në 12 numrin e të prekurve nga gripi i derrave në Shqipëri. Megjithatë, mjekët infeksionistë shprehen se të gjithë rastet kanë kaluar një situatë të lehtë të sëmundjes, duke u shëruar shumë shpejt.
Specialistët e Departamentit të Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik shprehen se faktet e fundit të të dyshuarve flasin për një shpërndarje të virusit brenda vendit, për arsye se një pjesë e të sëmurëve nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit, por kanë qëndruar në Shqipëri.
Deri tani janë bërë ekzaminimet e më shumë se 320 personave, mostrat e të cilëve do të verifikohen dhe nëse rezultojnë pozitivë pas përgjigjeve paraprake, ato do të dërgohen në laboratorin e referencës në Bukuresht.
Mjekët infeksionistë shprehen se rastet e paraqitura deri tani në vendin tonë janë të gradës së lehtë dhe mesatare, ndërsa virusi nuk ka pasur një përhapje te moshat pediatrike.
Në lidhje me zgjerimin e pandemisë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se, gjatë fillimit të muajit shtator pritet të ketë rritje të numrit të personave të prekur nga gripi i derrave. Gjithashtu, mjekët bëjnë të ditur se, përveç rritjes së numrit të të prekurve nga ky virus, gjatë vjeshtës pritet të ketë edhe shtim të komplikacioneve, si pasojë e kësaj sëmundjeje. Sipas tyre, shëndeti i një personi që preket edhe nga virusi i gripit sezonal, por edhe nga A H1N1 është i rrezikuar, ndaj këshillohet vaksinimi i të gjithë popullatës.
Në lidhje me masat që duhet të marrin qytetarët për të parandaluar infektimin me virusin e gripit të derrave, mjekët këshillojnë që të lahen duart me sapun sa më shpesh. Gjithashtu, ata këshillojnë që goja dhe hundët të mbulohen me shami, njerëzit të qëndrojnë sa më shumë në gjendje pushimi, të përdorin sa më shumë lëngje, si dhe të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme.
Këshillat e reja për gripin A
Pandemia, si të ruhemi nga virusi duke njohur rrugët e përhapjes
TIRANë - Me ndryshimin që pritet të ketë përhapja e gripit të derrave në Shqipëri gjatë muajit shtator, mjekët specialistë këshillojnë qytetarët të tregohen vigjilentë ndaj masave parandaluese. Kjo, për arsye se virusi pritet të ketë një goditje më të ashpër për sa u përket simptomave gjatë vjeshtës. Sipas mjekëve infeksionistë, në vendin tonë çdo person është i rrezikuar nga infektimi me gripin e derrave. Për të evituar infektimin nga ky virus, specialistët kanë dhënë këshillat paraprake që duhet të ndjekin qytetarët, si dhe informacione për t’u njohur me sëmundjen në fjalë. Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit. Vdekshmëria te derrat është e ulët dhe shërimi ndodh brenda 7-10 ditësh. Viruse të gripit që e kanë origjinën nga derrat vihen re edhe te shpendët e egër, shpendët shtëpiakë, kuajt dhe njerëzit, por transmetimi midis specieve konsiderohet si një ngjarje e rrallë. Deri tani janë evidentuar tre lloje të gripit A te derrat: H1N1, H1N2 dhe H1N3. Simptomat janë të ngjashme me gripin sezonal të zakonshëm të njerëzve si: fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, riniti, kolla, por vërehet edhe diarre. Në shumicën e rasteve transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me derrat. Rastet e transmetimit nga njeriu te njeriu më parë kanë qenë të rralla. Ky virus nuk transmetohet nga ngrënia e mishit apo produkteve të derrit. Në rastet e transmetimit nga njeriu te njeriu, transmetimi ndodh nëpërmjet kontaktit të ngushtë dhe rrugëve ajrore, ndërsa në lidhje me ekzistencën e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje sipas të dhënave nga MSH-ja, ka vaksinë për derrat, por nuk ka vaksinë që mbron njerëzit. Ky lloj gripi ka ngjashmëri midis viruseve H1N1 te derrat dhe njerëzit (ku përfshihet në vaksinën e gripit), por nuk dihet nëse ka mbrojtje ose jo. Pandemia shkaktohet nga një virus i ri i gripit që përhapet në të gjithë botën dhe infekton një numër të konsiderueshëm të popullatës që nuk ka mbrojte ndaj tij. “Gjithsesi, duhet të rriten përpjekjet për të pasur një plan masash konkrete. Udhëtarët duhet të zbatojnë rregullat e higjienës standarde dhe asaj respiratore”, këshillojnë specialistët e MSH-së. Rregullat janë: Të mënjanojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë, në rast se janë të sëmurë, të qëndrojnë në distancë nga të tjerët për t’i mbrojtur ata, të qëndrojnë në shtëpi dhe të evidentojnë daljen nëse janë të sëmurë, të lajmërojnë menjëherë mjekun, të mbulojnë gojën dhe hundën me shami kur kolliten apo teshtijnë, të mos pështyjnë në tokë, shamitë e mbështjella t’i hedhin në koshin e plehrave, të lajnë sa më shpesh duart me ujë e sapun, sidomos pasi janë kollitur apo kanë teshtirë. Larja e duarve me alkool është gjithashtu e efektshme, si dhe nuk duhet të prekjen sytë, hunda dhe goja. Mikrobet përhapen edhe në rastet kur një person prek sipërfaqe të ndotura me mikrobe.