SAGEM, s'plotëson kushtin 40% të nënkontraktimit
Sipas rregullave të specifikuara të tenderit, nuk lejohet që më shumë se 40% e vlerës të nënkontraktohet
SAGEM nuk është prodhues kartash dhe nënkontraktorët do kryejnë volumin kryesor të punës
Vazhdojnë të zbardhen shkeljet në tenderin e kartave, të zhvilluar nga ana e Ministrisë së Brendshme. Shkelja tjetër e konstatuar lidhet me SAGEM, pasi firma nuk plotëson një nga kushtet bazë të tenderit, ku përcaktohet që maksimumi i vlerës së nënkontraktuar të jetë 40 për qind e vlerës së tenderit. Ndërkohë që po të bëjmë një analizë të kostos së tenderit, rreth 70 për qind e kostos është vlera e blerjes së blloqeve të pasaportave, blerjes së çipeve, blerjes së kartave të polikarbonatit dhe personalizimi i tyre. Duke qenë se SAGEM nuk është as prodhues pasaportash dhe as kartash, dhe në Europë nuk ka ndërtuar asnjë qendër personalizimi dhe të gjithë procesin do të duhet që ta nënkontraktojë, pra 70 për qind të vlerës së tenderit. Përveç kësaj çështjeje, ka shumë gjasa që SAGEM do të nënkontraktojë dhe punimet lokale që do të bëhen në Shqipëri, kështu që rritet akoma më tepër përqindja e nënkontraktimit të kësaj firme. Atëherë si mund të kualifikohet, kur nuk arrin dot të mbulojë së paku 60 për qind të vlerës së konvencionit? Mos do të ndjekë të njëjtën procedurë siç rezulton në të dhënat e kësaj firme në Emirate, ku ka nënkontraktuar firmën "Gemalto" me 90 për qind të vlerës së tenderit. Ndërsa hidhet pyetja se pse Ministria e Brendshme, që ka marrë për referencë të SAGEM Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk e ka kontrolluar se sa për qind të kësaj pune kjo kompani e ka të nënkontraktuar, pasi nëse ka nënkontraktuar mbi 40 për qind të punës, automatikisht kjo referencë duhet që të bjerë. Kjo e lë SAGEM vetëm me referencën shumë "pozitive" të Nigerisë. Në të njëjtën kohë, ky është një fakt i dytë skualifikues, pasi referencat që kanë ardhur nga ana e kësaj kompanie për t'u paraqitur sipas kërkesave të kërkuara të tenderit janë të nënkontraktuara, pra nuk janë eksperienca të kësaj kompanie. Këto shkelje vijnë në një kohë që "Oberthur" është prodhuesi më i madh i kartave në Europë dhe në të njëjtën kohë plotëson edhe kushtet e nënkontratave. Nga ana e Ministrisë së Brendshme, nuk është bërë e ditur nëse SAGEM i ka paraqitur kontratat që do realizojë me nënkontraktorët. Eksperienca dhe profili i Firmës SAGEM njihen mjaft mirë edhe nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Drejtorisë së këtij institucioni, pasi kjo firmë ka qenë e pranishme edhe herë të tjera në punë të bëra në Ministrisë e Brendshme.
***
Apelimit e bëra nga ana e firmave që kanë marrë pjesë në këtë tender në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe në Avokatin e Prokurimeve, kanë nxjerrë si kritere kryesore kualifikuese të kompanisë së zgjedhur nga ana e Ministrisë së Brendshme, mungesën e specimeneve në polikarbonat të kartave dhe njëkohësisht mungesën e certifikimit të nevojshëm për këtë tender. SAGEM, sipas apelimit të bërë nga tre firmat, "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto", nuk ka plotësuar "Kërkesën për Kualifikim", ku nuk ka arritur të paraqesë "Certifikatë Sigurie ISO 27000 për sistemet e menaxhimit të sigurisë së lartë", të kërkuar në kërkesën 23, të pikës 2/3. Certifikata e ISO 27000 e paraqitur i përket një shoqërie tjetër SAGEM-ORGA Gjermani, sipas animimit, me të cilën SAGEM është aksionere, por që ka personalitet juridik më vete, d.m.th., ka të drejta dhe detyrime të ndara nga vetë SAGEM. SAGEM-ORGA Gjermani nuk është pjesëmarrëse në ofertën për koncesion, as drejtpërsëdrejti dhe as si shoqëri e bashkuar pjesëmarrëse në konsorcium. Sipas kompanive që kanë bërë kërkesë në Agjencinë e Prokurimeve për shpalljen të pavlefshëm të këtij tenderi, certifikatat e nënkontraktuesit nuk quhen dhe shkaku pse SAGEM nuk e ka ISO 27000, është i thjeshtë dhe lidhet me aktivitetin e kësaj kompanie. "SAGEM nuk është printuese dhe si rrjedhojë, printimet gjithmonë i nënkontrakton. Gjithashtu një kriter tjetër që e bën këtë tender të pavlefshëm sipas dokumentacionit, lidhet me faktin se SAGEM nuk ka paraqitur 15 kopje specimenesh të personalizuara të pasaportave dhe kartave. Kjo duket shumë qartë në videoregjistrimet dhe në fotot përkatëse që firmat pjesëmarrëse i kanë bashkangjitur apelimeve të tyre dhe që jepen edhe në fotot e paraqitura gjatë zhvillimit të tenderit. Madje në video shihet qartë, që vetë përfaqësuesja e SAGEM e ka pranuar këtë fakt gjatë zhvillimit të tenderit. Kjo duket shumë qartë dhe në mostrat e paraqitura nga SAGEM, ku për mostrën e pasaportës SAGEM ka dorëzuar 15 specimene të pasaportës së prodhuar nga SDU-Holandë në vitin 2004, të cilat janë materiale promocionale (standard samples) dhe nuk janë të personalizuara. Një fakt i tillë, duket edhe në fotot e realizuara gjatë zhvillimit të tenderit, ku në specimenet e treguar duket qartë viti 2004 i prodhimit të tyre. Pra nuk janë prodhuar specifikisht për këtë tender dhe as nuk janë personalizuar. Edhe mostrat e kartave të identitetit janë dorëzuar (15 mostra me polikarbonat) por të bardha, me chip dhe të pa personalizuara. Ndërsa 15 mostrat e dyta janë pa polikarbonat dhe të personalizuara. Kjo është shkelje e kërkesave të tenderit dhe tregon se SAGEM nuk ka mundur aspak që të sigurojë një vend ku të personalizojë plotësisht kartat, siç parashikohet nga kërkesat e tenderit me gdhendjen në laser.