Tentativë monopolizimi nga "Albtelecom"
Pagesa shtesë për operatorët ruralë dhe përjashtim teknik nga rrjeti. E ndalon ERT. "Albtelecom" rrezikon hetimin për abuzim tregtar
Nëse shpallet fajtor, gjiganti i telefonisë fikse rrezikon gjobë 2 deri në 10% të xhiros së vet vjetore
Një shkresë "e thjeshtë" e "Albtelecom" drejtuar operatorëve të vegjël të telefonisë, në nëntor të vitit të kaluar, për pak sa nuk shkaktoi një monopolizim faktik të tregut të telefonisë në vend, si dhe nxjerrjen jashtë loje të operatorëve ruralë dhe të investimeve të tyre. Shkresa e datës 20 nëntor njoftonte disa dhjetëra kompani të telefonisë se "Albetecom" kishte përcaktuar vetëm dy pika lidhjeje në rrjet (Tiranë dhe Durrës), si dhe kishte vendosur tarifa të reja për përdorimin e rrjeteve të saj, tarifa që më parë nuk ekzistonin. Nëse do të vihej në zbatim, kjo shkresë do të përjashtonte automatikisht nga tregu operatorët e telefonisë rurale që kanë aktivitet në zona të thella malore, ndërkohë që do të ulte ndjeshëm konkurrueshmërinë e operatorëve alternativë që zakonisht ofrojnë telefonata ndërkombëtare përmes kartave të parapaguara me çmime të ulëta.
Problemi u diskutua për tre muaj në Entin Rregullator të Telekomunikacioneve, i cili vendosi në 22 mars që "Albtelecom" të mos e zbatojë vendimin e vet, si të pavlefshëm juridikisht dhe në kundërshtim me marrëveshjet e interkonjeksionit. ERT, thotë se ky veprim i "Albtelecom" përbën edhe shkelje të "Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës".
Si funksionon
Në Shqipëri janë mbi 50 kompani që ofrojnë shërbim telefonik fiks, në fshatra apo zona suburbane, si dhe rreth 20 kompani të tjera që ofrojnë shërbim telefonik me jashtë përmes linjave të internetit duke përdorur si transit rrjetin "Albtelecom". "Albtelecom", i cili është operator me fuqi të ndjeshme në treg, pa të cilin, shërbimet e mësipërme zor se mund të ofrohen për qytetarët, ka detyrim ligjor t'u ofrojë akses në rrjetin e vet këtyre kompanive, në bazë të Marrëveshjeve të Interkonjeksionit të hartuara nën mbikëqyrjen e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve. Marrëveshjet ekzistuese thonë se "Albtelecom" duhet të japë akses për operatorët e tjerë në të gjitha nivelet e rrjetit, gjë që do të thonë se nëse një operator vepron në Peshkopi, nuk mundet që aksesi t'i ofrohet në Tiranë apo në Durrës. "Albtelecom" ka detyrimin që të ofrojë lidhje qarku 2 Mbit/sek ndërsa operatori rural ka detyrimin të paguajë një shumë fillestare instalimi prej 85 mijë lekësh, si dhe një tarifë vjetore prej 20 mijë lekësh. Nën pretendimin se po përmirëson standardet e veta si dhe po investon për rritje të kapacitetit të rrjetit, ka kërkuar nga operatorët e tjerë një tarifë mujore për përdorimin e kapacitetit 2 Mbps, si dhe ka anuluar të drejtën e eksesit në çdo pjesë të rrjetit, duke e kufizuar atë vetëm në Tiranë dhe Durrës. Si vendosja e tarifave shtesë, ashtu edhe kufizimi rajonal i të drejtës së aksesit në rrjet, duket se kishin synimin e qartë për të eliminuar operatorët e tjerë të telefonisë. Më herët, kishte 68 pika në rrjetin "Albtelecom" ku operatorët ruralë mund të lidheshin. Pa lajmërim paraprak, "Albtelecom" uli numrin e pikave të disponueshme për interkonjeksion në 12 rajonale dhe vetëm 2 pika kombëtare. Ligji ekzistues detyron "Albtelecom" që ndryshime të tilla t'i njoftojë gjashtë muaj para se t'i kryejë.
Përveç faktit që kufizimet dhe pagesat shtesë të kërkuara qenë të jashtëligjshme, "Albtelecom" i kërkoi paratë paradhënie, dhe deklaroi se ishin të vlefshme që nga data 1 nëntor 2007, në një kohë që vetë shkresa që e komunikonte këtë qe dërguar për te operatorët alternativë më 20 nëntor.
Çmime më të larta se për konsumatorët e zakonshëm
Operatorët ruralë thonë se skema e re e prezantuar nga "Albtelecom" i vendos ato në një pozicion edhe më të keq se blerësit e zakonshëm të shërbimeve të internetit. "Një operator rural që duhet të lidhet me një central lokal apo rajonal, me distancë 100 kilometra nga Centrali i Durrësit apo Tiranës, me sistemin e propozuar tarifor duhet të paguajë 226 mijë lekë në muaj, në krahasim me 20 mijë lekë në vit që paguante më parë", thuhet në ankesën e operatorëve ruralë. "Kjo është një skemë më e shtrenjtë sesa pagesat që "Albtelecom" ofron aktualisht për linjat me qira në nivel pakice. Për një lidhje 2 Mbps me distancë 100 km, "Albtelecom" kërkon sot 100 mijë lekë, ose 2.5 herë më pak sesa i kërkon kompanive partnere".
ERT: Është e paligjshme
Pas ankesës së operatorëve alternativë të telefonisë, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve shpalli një seancë dëgjimore dhe mori një vendim, më 22 mars të këtij viti. "ERT shprehet se vendimi i "Albtelecom" është i pabazuar pasi detyrimi i vënë prej tij ndaj operatorëve ruralë për tarifimin e përdorimit të kapacitetit 2 Mbps me tarifat e cituara, nuk është i parashikuar nga marrëveshjet e interkonjeksionit, nuk është mbështetur në ligj dhe nuk mund të justifikohet",- deklaroi ERT, në vendimin e vet. ERT, vëren se praktika e fundit e "Albtelecom" bie ndesh jo vetëm me legjislacionin shqiptar, por edhe me direktivën e BE-së për Interkonjeksionin. ERT, shprehu shqetësimin edhe për faktin se kufizimi i pikave të aksesit në rrjet nxjerr jashtë loje investimet e operatorëve ruralë, të cilët kanë shtruar me paratë e tyre rrjetin deri te pikat ekzistuese të aksesit në rrjetin "Albtelecom". Marrëveshja e Interkonjeksionit thotë se ndërtimi i rrjetit duhet të bëhet me investim të përbashkët mes operatorit rural dhe "Albtelecom", por mësohet se, në fakt, operatorët ruralë kanë preferuar të investojnë përtej detyrimit të tyre kontraktual me qëllim që të mos humbasin kohë me burokraci.
Enti thotë shprehimisht se, "Albtelecom ka abuzuar me pozicionin e tij dominues në treg, në kundërshtim me "Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës". Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parashikon gjoba 2 deri në 10% të xhiros vjetore të kompanisë që e shkel këtë ligji.
"Albtelecom" privat
"Albtelecom" u privatizua në korrik të vitit të kaluar, ndërsa pronari i ri e mori kontrollin e kompanisë në tetor. Vetëm një muaj më vonë, erdhi shkresa e mësipërme, e cila është një tentativë e drejtpërdrejtë për monopolizimin e tregut. "Albtelecom" humbi monopolin ligjor të shërbimit telefonik fiks, në të gjithë vendin, në vitin 2001, si dhe humbi monopolin ligjor për këtë shërbim në zonat urbane, në vitin 2004. Ajo ka humbur aktualisht edhe monopolin ligjor të thirrjeve ndërkombëtare.
Treg me prirje monopoli
Telekomunikacionet në të gjithë botën konsiderohen si tregje me burime të kufizuara, gjë që do të thotë se konsumatorët janë gjithmonë të rrezikuar nga tarifa të larta shërbimi në kushtet e mungesës së konkurrencës. Për të zgjidhur këtë problem, vendet e zhvilluara kanë miratuar ligje rregulluese si dhe kanë ndërtuar institucione mbikëqyrëse në mbrojtje të konsumatorëve. Bashkimi Europian ka një direktivë në fushën e telekomunikimit, ku operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg (operatorëve kombëtarë të telefonisë), u ngarkohet detyrimi për t'i dhënë akses për përdorimin e rrjetit të tyre operatorëve të rinj. Kjo është leva ligjore që garanton konkurrueshmëri në një treg. Operatorët e vegjël mund të konkurrojnë realisht operatorët e mëdhenj, për shkak të së drejtës ligjore që zotërojnë për përdorimin e rrjeteve kombëtare.
Operatorët e telefonisë rurale zënë rreth 5% të bazës së klientëve të telefonisë fikse në Shqipëri. Ato shpesh ofrojnë telefon fiks në fshatra ku "Albtelecom" nuk ka shkelur ende, si në Postribë apo Gollobordë. Operatorët e bisedave telefonike përmes internetit Vo/Ip janë shumë popullore për telefonata të lira me jashtë, kryesisht me vendet europiane dhe SHBA-të.