Mbikalimet e paligjshme, treni përplas “Benz”-in, me 4 vetë brenda
• SHKODER – Treni i mallrave përplas makinën me 4 pasagjerë, në kohën kur ajo po kapërcente një mbikalim të paligjshëm. Për fat, udhëtarët shpëtuan me plagë pa pasoja për jetën nga aksidenti i ndodhur paraditen e djeshme.Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Shtoj, në linjën hekurudhore Bajzë–Shkodër. Një autoveturë tip “Benz” 240, me targë SH 0653 C po kalonte pa parë mbi shina lëvizjen e trenit. Për pasojë treni e ka përplasur duke e tërhequr zvarrë makinën për rreth 40 m, derisa e ka nxjerrë jashtë trasesë. Policia ka mbërritur me urgjencë, bashkë me punonjës të hekurudhës dhe menjëherë pas ekspertimit është konstatuar se makina ka kaluar në mënyrë të paligjshme. Sipas policisë, vetëm 100 metra më larg vendit të aksidentit ndodhet mbikalimi i rregullt. Nëse drejtuesi i mjetit do të kishte respektuar rregullat, aksidenti nuk do të kishte ndodhur, aq sa të rrezikonte jetën e 4 vetëve. Sipas përfaqësuesit të hekurudhës, të pranishëm në vendngjarje, mësohet se mbikalimet e paligjshme janë bërë mjaft problematike. Vetëm në linjën hekurudhore Shkodër-Hani Hotit numërohen mbi 30 mbikalime të tilla, të ndërtuara nga vetë banorët e zonave për të shkurtuar rrugën, por pa marrë parasysh rrezikun. Këto veprime kanë bërë që makinistët të lëvizin me shpejtësi minimale e për pasojë të shtojnë dhe vonesat për të arritur në stacione, ndërsa shpenzimi i karburantit është më i madh. r.d