“FSHF larg nga kompanitë e basteve”
• Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, nuk ka mbetur jashtë polemikave të fundit në lidhje me përfaqësuesen shqiptare të futbollit.Jetmir Halilaj “Ai që kundërshton se në futboll nuk ka pasur pazare është naiv”, ka thënë kreu i shtetit në një intervistë të dhënë dje për “News 24” gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo. Topi ka shkuar më tej, teksa ka thënë se nevojitet reformë jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në sport, dhe më konkretisht në futboll. Ai ka lëshuar shigjeta në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke thënë se administrata e këtij institucioni duhet të mos jetë më pjesë e shoqërive të basteve. “Njerëz që janë pjesë e administratës së Federatës nuk duhet të jenë pjesë e shoqërive të basteve e pastaj dalim në probleme, nëse duhet të merret qeveria. Që të mos marrë nota politike ky debat duhet të bëhet nga njerëzit e sportit dhe nga ministria përkatëse, sepse ajo bën jo vetëm një suport për sportin, por edhe politika për sportin. Mendoj se është një çështje më e ndjeshme që ka të bëjë me elementë të qenësishëm të identitetit kombëtar. Nuk duhet parë si debat politik” deklaroi presidenti i Republikës. Topi ka thënë se ashtu si në çdo aspekt tjetër të jetës në vendin tonë, edhe në futboll duhen bërë reforma. “Bota e sportit nuk ka mbetur jashtë korrupsionit. Duhet mbajtur qëndrim dhe siç do të ndodhë në gjyqësor duhet të ndodhë edhe në federatë”, ka thënë ai. Topi ka sqaruar se fenomeni i korrupsionit apo i trukimeve në botën e sportit nuk është i panjohur dhe se ky problem është evidentuar edhe në vende të tjera më të zhvilluara se Shqipëria. “Po ju marr si shembull ish-menaxherin e Juventusit, Luçiano Moxhi, ndaj të cilit kanë dalë argumente të tjera se ai ka vazhduar të veprojë dhe të ketë një ndikim të madh. Me këtë dua t’ju them se fenomeni i korrupsionit apo i fenomeneve të tjera negative nuk është i panjohur në vende të tjera më të zhvilluara se Shqipëria dhe rrjedhimisht ne nuk mund të pretendojmë se jemi të parët që vuajmë”, u shpreh Topi. “Kombëtarja shiti flamurin”Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzoi Kombëtaren shqiptare se në ndeshjen kundër Rumanisë shitën flamurin. Ai akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtuesit e futbollit shqiptar, duke thënë se ky sport në vendin tonë drejtohet nga një grup mafiozësh. “Kombëtarja shiti flamurin, shiti golat, shiti gjithçka kundër Rumanisë dhe kjo nuk do të kalojë lehtë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare disa ditë më parë. Ndërkaq Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango një ditë pas humbjes së thellë të Shqipërisë kundër Rumanisë i dërgoi letër UEFA-s ku i kërkoi qeverisë evropiane të futbollit të hetonte dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Numri 1 i MTKRS-së akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin e FSHF-së se mund t’i kishte shitur ai ndeshjet. “Dyshojmë se dy ndeshjet mund të jenë shitur nga vetë zoti Duka” thuhej në letrën e Pangos drejtuar UEFA-s. FSHF: Presidenti i paqartëPas deklaratës së djeshme të presidentit Topi ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka thënë se është e paqartë deklarata e kreut të shtetit, pasi askush nga administrata e FSHF-së nuk është pjesë e ndonjë kompanie bastesh. “Deklarata e presidentit është e paqartë pasi askush nga administrata e Federatës nuk është i përfshirë apo i impenjuar në ndonjë kompani bastesh. Ne e kemi theksuar edhe më parë se jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët për të zbuluar nëse ka trukime, por deri sa nuk ka fakte konkrete nuk mund të pranojmë se ka pasur të tilla”, ka thënë zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi.