Mexes, zyrtarisht në Milan

Philippe Mexes është përforcimi më i ri i Milanit. Mbrojtësi francez ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Rossonerët, të cilëve do t’u bashkohet në qershor.
Ish futbollisti i Romës ndihet i nderuar që do t’u bashkohet kampionëve të rinj të Italisë.
“Mund ta zyrtarizoj. Do të jem lojtar i Milanit për katër vitet e ardhshme. Jam i lumtur që do të jem pjesë e njërit prej klubeve më të mëdha në botë”, thotë Mexes në një intervistë për France Football.
“Për mua është një nder i madh që iu bashkova këtij ekipi. Scudetto në fanellë nuk rri keq, apo jo?”, buzëqesh ai.
Mexes iu bashkua Milanit ‘gratis’, pasi që me Romën i përfundon kontrata këtë verë. Ai e pranon se Roma mbetet shtëpia e tij, por shton se iu bashkua Milanit për të fituar trofe.
“Për shtatë vjet jam ndier roman. Roma është shtëpia ime e dytë. Jam zhvilluar atje me Totti, De Rossi, Aquilani, që janë për mua më shumë se shokë skuadre. Por, erdhi koha që ta ndërroj mjedisin. Tash do të jem në Milan, një skuadër e nivelit të Manchester United, Barcelona e Realit. Shkoj atje për ta fituar Ligën e Kampionëve”, përfundoi Mexes.