E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meyler, arsyeja e lirimit të Canës

Forma e përfaqësuesit të ri irlandez, David Meyler ka qenë njëra prej arsyeve që e bindi menaxherin e Sunderland, Steve Bruce, që ta lë të largohet nga klubi Lorik Canën.

Përfaqësuesi shqiptar e la Wearside për t’iu bashkuar Galatasarayt më 8 korrik, ndërsa “Macet e Zeza” përfituan 5 milionë funte nga shitja e tij.

“Arritja e të riut Meyler vitin e kaluat vuri një presion të madh te Cana. Zhvillimi dhe pjekuria e futbollistëve të rinj bëri që ta merrnim vendimin e shitjes së Canës, që ishte një biznes i mirë për ne për të fituar para”, tha Bruce për ueb faqen breakingnews.ie.

Trajneri anglez e ka pranuar se vendimi i Canës ishte befasues, por ka shtuar se ai nuk dëshiron që ta mbajë një futbollist kundër dëshirës së tij.

“Ai erdhi dhe ma tregoi dëshirën e tij. Në punën time unë kurrë, asnjëherë nuk e kam mbajtur në ekip një lojtar të pakënaqur”, vazhdoi Bruce. – “Ai dëshironte të luante në Turqi, të jetë afër Shqipërisë, e cila është afër nga atje”.

Bruce e ka mohuar faktin se rekordi i kartonëve që mori Cana gjatë sezonit të kaluar ishte njëri prej faktorëve që e la atë të lëvizë. “Fizikusi i tij erdhi në konsideratë më shumë sesa rekordi i tij disiplinor”, përfundoi menaxheri i Sunderland.

Me paraqitjet e tij, Lorik Cana ishte zgjedhur futbollisti më i mirë i sezonit te Sunderland. Me lojën e tij agresive dhe me angazhim të pashoq, ai shumë shpejt hyri në zemrat e tifozëve të klubit anglez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›