E Diel, 1 Nëntor 2026

Nait Hasani: “Pas pavarësisë së Kosovës vjen Shqipëria natyrale”

Flet ish-drejtuesi i lartë i UÇK-së dhe deputeti i shtetit më të ri në botë.Anëtari i Kryesisë së PDK-së shprehet për të ardhmen e vendit të tij
Luan Kondi

Ka kontribut absolut në luftën për çlirimin e Kosovës dhe tani politikisht e përfaqëson krahinën e tij në Kuvendin e shtetit më të ri në botë. Angazhimi i tij politik ka skenat e prapaskenat e veta, por më i rëndësishëm është fakti që Nait Hasani mendon për Shqipërinë natyrale. Ja në vijim intervista e tij.

Si do t’i përmblidhni vitet e punës suaj sot, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë?
Të përgjigjem për këtë pyetje është shumë vështirë të përmblidhet e gjithë veprimtaria politike disavjeçare. Të flasësh sot për Kosovën dhe pavarësinë e saj është gjë shumë e lehtë. Të flisje para disa viteve për Kosovën dhe pavarësinë ka qenë sfidë jetësore e shumë gjeneratave që janë marrë me çështjen e Kosovës. Sot ne flasim për pavarësinë e Kosovës kur para disa viteve nuk kanë pasur guximin shumë intelektualë të thonë fjalën e duhur në momentin e duhur. Tash ka shumë që thonë kështu e ashtu. Por jeta ime ka qenë sfidë në vitet e angazhimit tim politik. Ky angazhim ka qenë përballje me të gjitha skenat dhe prapaskenat politike të kohës që kanë qenë në Kosovë. Ka pasur shumë vështirësi, shumë mund për të arritur deri këtu ku jemi sot; është bërë shumë, janë bërë shumë luftëra dhe është derdhur shumë gjak. Po unë ndjehem mirë kur Kosova ka arritur në këtë ditë të jetë zonjë e vetes së vet e do të jetë sovrane. Ketë e kemi merituar më herët dhe jemi të pavarur që më 1999-n, por me gjithë këtë vështirësi ne arritëm në cak, arritëm në shtetin tonë, Kosovë. Tashmë Kosova do të jetë shtet i shqiptarëve dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
A është kjo pavarësia për të cilën keni punuar dhe luftuar ju?
Të flasim a është arritur ajo çfarë kemi punuar, mund të them se jo. Kjo nuk është ajo për çka kam punuar unë dhe për çfarë kanë dhënë jetën dëshmorët. Por kjo mund të them se është një hap shumë i madh për të arritur qëllimin final të shqiptarëve në Ballkan, krijimin e Shqipërisë natyrale. Pra tashmë janë krijuar parakushte për të krijuar Shqipërinë. Sepse e vetmja zgjidhje politike e mundshme për kohën do të jetë Shqipëria natyrale.
Si e shihni Kosovën pas shpalljes së pavarësisë? Sa e vështirë do të jetë kjo pavarësi për qytetarët e saj?
Kosova, mendoj se pas kësaj shpalljeje gjysmake të pavarësisë do të jetë një gjysmëpavarësi. Qytetarët e Kosovës do të përballen me shumë vështirësi dhe shumë sanksione politike në veprimet e tyre. Këto sanksione i vë paketa e Ahtisarit dhe realizimi i saj në praktikë. Këtu e kemi decentralizimin një fushatë ireale të kësaj pakete. Këto janë të ekzagjeruara tej mase. Megjithëkëtë, edhe Kuvendi i Kosovës do të ketë vështirësi në nxjerrjen e ligjeve funksionale të zhvillimit politik e ekonomik të Kosovës. Do të shtohen vështirësitë edhe nga krijimi asimetrik i lidhjeve etnike Prishtinë-Beograd nga ana e serbëve lokalë. Do të ketë vështirësi në menaxhimin e situatave politike në Kosovë. Në këtë sistem politik të krijuar sipas paketës së Ahtisarit, për ta drejtuar apo menaxhuar, duhet të ketë një demokraci platonike. Kjo lloj demokracie nuk ekziston dhe prandaj, si rezultat, nuk do të ketë mundësi asnjë qeveri ta menaxhojë mirë këtë Kosovë të copëzuar në minishtete dhe kantone politike.
Por kam besim te qytetarët e Kosovës, te rinia e saj të vrullshme, te intelektualët e rinj, se do të punojnë për Kosovën dhe do të jenë zotë të vendit tonë. Kosova, meqë e shpalli në shkurt pavarësinë, besoj se do të jetë dhe një “pavarësi e shkurtër”, që do të zgjasë shkurt. Sepse tashmë u duhet lënë rrugë zhvillimeve të reja në rajon dhe në Europë. U duhet hapur rrugë integrimeve shqiptare në fillim dhe integrimit në Europë si shqiptar. Kosova do të jeëe, me kërkesën e Europës, pjesë e Shqipërisë, sepse kjo është dhe ideja e Europës për pavarësi të kushtëzuar. Prandaj unë mendoj se tash Europa ka kërkuar që ne si Kosovë dhe Shqipëri të krijojmë shtetin shqiptar dhe të integrohemi në Europë. Integrimi në Europë do të jetë unik si shqiptarë. Ata që mendojnë se do të integrohemi veç e veç mendojnë gabim, jashtë logjikës integruese. Integrimi kulturor e shpirtëror do të jetë dhe integrimi rrugor; autostrada dhe hekurudha janë dy segmente të integrimit ekonomik të shqiptarëve dhe integrimi thuajse i plotë do të jetë në integrimin e institucioneve shtetërore e politike. Dhe ky integrim shqiptar do të arrihet shumë shpejt, me kërkesën e Brukselit dhe të Uashingtonit dhe me dëshirën e miliona shqiptarëve. Prandaj them se pas pavarësisë së Kosovës vjen Shqipëria natyrale.

Box
Kush është Nait Hasani
Nait Hasani lindi më 15 janar të vitit 1965 në fshatin Randobravë, komuna e Prizrenit, nga prindërit: babë Xhemaliu dhe nënë Fahria. Naiti ka kryer Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Veprimtaria e tij ishte e hershme, që nga shkolla e mesme e pastaj në Unionin Studentor. Prandaj, qysh herët filluan përndjekjet nga policia. Herën e parë është dënuar në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit me 3 vite e gjysmë nga kryetari i Gjykatës së Qarkut të asaj kohe, Orhan Rekathati. Dënimin e ka vuajtur deri në ditën e fundit dhe ka qëndruar në shumë burgje nëpër Kosovë (Prizren, Gjilan, Dubravë). Është liruar më 2 qershor të vitit 1987 nga Burgu i Mitrovicës. Për herë të dytë u dënua më 27 shtator të vitit 1988 nga e njëjta gjykatë me 6 vite e gjysmë burg. Kësaj radhe i vuan vetëm 19 muaj burg, meqë bëhet amnistia për të gjithë të burgosurit politikë. Nga burgu lirohet më 23 prill të vitit 1990. Për herë të tretë arrestohet në nëntor të vitit 1992 dhe mbahet 40 ditë në burg. Herën e fundit (të katërtën) arrestohet më 28 janar të vitit 1997. Kësaj here Naiti zhduket dhe për një muaj nuk kishte asnjë të dhënë për fatin e tij. Pas dy ditësh ai ishte dërguar në Spitalin e Prishtinës në gjendje të pavetëdijshme, me lëndime të rënda në kokë, në stomak dhe kraharor (i kishte dy brinjët e thyera). Në spital ishte i evidencuar si personi N. N. Nga spitali nxirret në gjendje të pavetëdijshme dhe vetëm pas një muaji kuptohet se ai ishte mbajtur në një bazë të fshehtë të sigurimit sekretet shtetëror në Ajvali. Gjatë tërë kësaj kohe ndaj tij ishin përdorur torturat më çnjerëzore. Pas gjashtë muajsh mbi të rëndon akuza, kurse pas nëntë muajsh fillon gjykimi, i cili zgjat një muaj e njëzet ditë. Naiti, gjatë seancës kryesore, në fjalën e mbrojtjes dhe fjalën përfundimtare, paraqiti pikëpamjet e tij politike, njoftoi opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar se kush po bën terror në Kosovë, si dhe parashikoi se çka do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ai në gjyq tha: “Kosova do të fitojë, në qoftë se jo me dialog, atëherë do të fitojë me luftë”. Naiti nuk frikohej nga dënimi që do t’i shqiptohej sepse ishte i sigurt se populli i tij nuk po e dënonte. Atë po e dënonte gjyqi i okupatorit, por brengosej se në kohën kur më së shumti kishte nevojë populli për ndihmën e tij, ai nuk mund ta ndihmonte. Ai tha: “Edhe 101 vite po të më dënoni, nuk do të brengosem, por brengosem se nuk po mund t’i ndihmoj popullit tim”. Në këtë gjykim Naiti dënohet me 48 vite burg. Por meqenëse sipas ligjit penal të Jugosllavisë dënimi maksimal ishte 20 vjet, atëherë Naiti dënohet me 20 vjet burg të rëndë. Gjatë gjithë kohës së mbajtjes së tij në burg ai keqtrajtohet fizikisht dhe psikologjikisht nga organet e burgut, por qëndron gjithnjë stoik dhe i papërkulur. Kur lufta kishte filluar në Kosovë, në qershor të 1998-s, në qelinë e Burgut në Prishtinë vjen për ta vizituar ministri serb i Drejtësisë dhe e pyet: “Çfarë mendon të bësh pas njëzet vitesh burgimi?”. Naiti i përgjigjet: “Jo pas njëzet viteve, por pas një kohe shumë të shkurtër unë do të jem i lirë, kurse ju do të jeni të burgosur”.
Sot është drejtues i lartë i PDK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›