E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetë veprimet qe dëmojne trurin

Shëndeti i mirë mendor nuk është diçka që ju keni, por është ajo që bëni. Që të jeni me shëndet të mirë mendor, ju duhet ta vlerësoni dhe pranoni vetveten. Kjo do të thotë që: Ju e respektoni dhe kujdeseni për veten tuaj. Ju e doni veten, nuk e urreni. Ju kujdeseni për shëndetin tuaj fizik. Hani mirë, flini mirë, ushtroni dhe bëni kënaqësi. E parashihni veten si person me vlerë sipas të drejtës suaj. Nuk keni nevojë ta meritoni të drejtën e ekzistencës. Ju ekzistoni, prandaj keni të drejtë për ekzistim. Gjykoni veten sipas standardeve të arsyeshme. Mos e detyroni veten me qëllime të pamundshme, si për shembull “Unë duhet të jem i përsosur në çdo veprim” dhe mos e dënoni veten nëse nuk ia arrini. Nëse ju nuk e pranoni dhe vlerësoni veten, gjithmonë do të frikësoheni se njerëzit e tjerë nuk ju pranojnë. Që t’i ndaloni njerëzit të shohin se sa të papranueshëm jeni, ju shkëputeni nga ata, kështu që mbeteni gjithmonë të frikësuar dhe të vetmuar. Nëse ju e vlerësoni veten, nuk pritni për mospranimin e njerëzve të tjerë. Nuk frikësoheni nga njerëzit e tjerë. Ju mund të jeni mendjehapur kështu që të kënaqeni me marrëdhënie të mira njerëzore. Nëse e pranoni dhe e vlerësoni vetveten, ju jeni në gjendje të ndiheni të qetë dhe të kënaqeni pa ndjenjë faji. Kur ballafaqoheni me probleme ju e dini që pa marrë parasysh sa e vështirë është situata juaj, ju mund ta përballoni. Se si e parashohim veten është e rëndësishme për çdo vendim të marrë. Njerëzit që e pranojnë dhe e vlerësojnë vetveten e përballojnë jetën.
Shqetësimet mentale
Ne vuajmë nga shqetësimet mentale nëse nuk e pranojmë dhe vlerësojmë veten. Këto mendime zakonisht vijnë qysh nga fëmijëria kur ne kemi vendosur se nuk jemi të mirë dhe të papranueshëm, përndryshe familja jonë nuk do të na kishte trajtuar në atë mënyrë. Kjo e bën shumë të vështirë për ne t’i përballojmë vështirsitë dhe fatkeqësitë që hasim. Të gjithë ne rritemi me ide të caktuara se kush jemi, cila ishte dhe çka do të jetë jeta jonë dhe se çfarë është bota. Këto ide burojnë nga përvojat e kaluara dhe nga ajo se dy njerëz kur nuk mund t’i kenë përvojat e njëjta kurrë nuk mund t’i shohin gjërat pikërisht në të njëjtën mënyrë. Idetë tona nuk janë aq të sakta se çfarë është duke ndodhur rreth nesh, por supozime apo teori të caktuara se çfarë ndodh. Nëse ne rritemi duke besuar se bota është ajo se si e shohim, ne pastaj tronditemi shumë kur mësojmë se gjërat nuk janë ashtu si kemi menduar dhe mendimet e mëparshme kanë qenë të gabueshme. Kurdo që hasim në fatkeqësi të papritur, kur ndodhin mosmarrëveshje serioze, ne zbulojmë se jeta jonë nuk është ajo çfarë kemi menduar por çfarë jeta është në të vërtetë. Si shumë amerikanë ndoshta ne kemi menduar se jeta është e sigurt dhe e qetë dhe pastaj kemi pësuar sulm nga terroristët. Ne ndoshta kemi menduar se do ta kalojmë jetën me një person të veçantë, por ky person shkon nga ne apo vdes. Ndoshta ne jemi rritur duke besuar se nëse sillemi mirë asgjë e keqe nuk do të ndodhë, por prapëseprapë ndodh. Kurdo që kuptojmë se kemi bërë gabim të madh, ne fillojmë të dyshojmë për çdo vendim që kemi marrë. Atëherë fillojmë të ndihemi shumë të dobët. Ndihemi sikurse jemi duke u shkatërruar, copëtuar, duke u zhdukur. Nëse ne e vlerësojmë dhe pranojmë vetveten, ne kemi siguri në veten tonë. Edhe nëse jemi të frikësuar ne e sigurojmë veten se kjo ndjenjë do të kalojë dhe se mund t’i përballojmë vështirësitë dhe çdo gjë që vjen. Nëse ne nuk e vlerësojmë veten tonë dhe nuk ndihemi pozitiv, atëherë pason ndjenja e shkatërrimit personal. Ne ndihemi të fshirë dhe të zhdukur si pika e ujit në oqean. Kjo na bën shumë të tmerruar.
Ndihma
Pranoni se mund të ndryshoni. Askush nuk mbetet i njëjtë, kështu që ndryshoni për të mirë. Ndryshimi më i madh që mund të bëni është ta pranoni dhe vlerësoni vetveten. Nëse e kaloni shumicën e jetës suaj duke besuar se ju jeni të papranueshëm dhe me pak vlerë është vështirë të ndryshoheni, sepse të gjitha idetë dhe mënyrat e sjelljeve bazohen në atë besim. Qëllimi është që t’i thoni vetvetes: “Unë nuk e vlerësoj veten shumë, por tani e mbas unë do të sillem si shoku/shoqja më e mirë për vetveten”. Unë do sillem mirë ndaj vetvetes, do të kujdesem për vetveten dhe nuk do ta kritikoj ose ul poshtë veten time. Duke u sjellë me veten si shoku/shoqja më e ngushtë, kjo do t’ju bëjë shokun më të mirë të vetes. Ju duhet të jeni të kujdesshëm se si flitni me veten. Dëgjoni zërin tuaj të brendshëm. I shkruani gjërat që ju lëndojnë, gjërat kritike që ju thotë zëri juaj dhe pastaj mendoni për t’i thënë vetes gjëra më të dashura dhe inkurajuese. Për shembull, nëse kur ju duhet të bëni diçka dhe i thoni vetes se do të dështoni, ju me siguri do të dështoni. Çfarëdo që bëni, gjithmonë bëhet lëmsh. I shkruani këto diku dhe pastaj shkruani: “Ju do të mundoheni të bëni diçka sa më mirë që mundeni”. Nuk është me rëndësi nëse nuk e bëni atë punë në mënyrë të përsosur, sepse kur bëni gabime gjë e mirë është që ju mësoni prej gabimeve. Filloni të praktikoni t’i thoni vetes këto dhe gjëra të tjera inkurajuese. Pyeteni veten se në çfarë bazoheni kur supozoni idetë tuaja. A është e vërtetë që çdokush në botë ju urren, apo çfarëdo që keni bërë e keni bërë keq? A është vërtet që çdo gjë e keqe që ju ndodh është dënim i asaj që ju jeni të ligj? Shikoni konsekuencat e ideve tuaja. Nëse ju nuk bëheni i/e afërt me dikë sepse frikësoheni se ata nuk do t’ju pranojnë, s’do të thotë që ju prapëseprapë do të mbeteni të vetmuar. Mundohuni ta gjeni mënyrën se si keni filluar të mendoni se ju jeni i keq. A është kjo se prindërit tuaj jua kanë thënë gjithmonë? A ishit ju përnjëmend të këqinj, apo vetëm ata i kanë hedhur ndjenjat e tyre të këqija te ju? A jeni ju të frikësuar të mendoni se prindërit tuaj nuk kanë qenë të përsosur? Asnjë prind nuk është i përsosur. Nëse i shkruani këto gjëra ashtu shënohen mendimet dhe ndjenjat jashtë vetes suaj dhe ju mund t’i shihni gjërat më qartë. Librat mund t’ju ndihmojnë. Mos lexoni libra vetëm për vetëndihmë, por edhe romane, poezi dhe biografi të ndryshme.

10 veprimet dëmtuese
Mosngrënia e mëngjesit – Njerëzit që nuk hanë mëngjes do të kenë sasi të paktë të sheqerit në gjak dhe si rezultat i kësaj truri nuk do të ketë rezerva të mjaftueshme ushqyese, prandaj shkaktohet degjenerimi i trurit.
Ngrënia pa masë – Ky ves shkakton forcimin e arterieve trunore, e cila të shpie deri në zvogëlimin e fuqisë mentale.
Pirja e duhanit – Shkakton tkurrje të shumëfishtë të trurit dhe të shpie deri të sëmundja e Alzheimerit( harresës).
Përdorimi i tepërt i sheqerit – Përdorimi i tepërt i tij, qoftë në ngrënie apo në pije, pengon në thithjen dhe përvetësimin e proteinave dhe lëndëve të tjera ushqyese, duke shkaktuar vështirësi në zhvillimin e trurit.
Ndotja e ajrit - Truri është njëri prej konsumatorëve më të mëdhenj të oksigjenit në organizmin tonë. Thithja e ajrit të ndotur dobëson furnizimin e trurit me oksigjen duke zvogëluar efikasitetin e tij.
Humbja e gjumit – Truri si organ i brendshëm i njeriut ka nevojë për pushim. Pagjumësia e madhe përshpejton vdekjen, mbarimin, e qelizave trunore etj.
Mbulimi i kokës përgjatë fjetjes – Të mbulosh kokën kur
je duke fjetur, çon deri te shtimi i dioksidit të karbonit dhe zvogëlim të oksigjenit gjë që shkakton dëmtimin e trurit.
Aktivizimi i trurit përgjatë sëmundjes – Puna e vështirë apo të studiuarit gjatë sëmundjes të shpie deri te zvogëlimi i efektshmërisë së trurit si dhe prishjen e tij.
Mungesa e mendimeve stimuluese – Të menduarit është metoda më efikase në stërvitjen e trurit tonë. Mungesa e mendimeve stimuluese në tru shkakton tkurrjen e tij.
Të flasësh rrallë – Bisedat intelektuale do të ndihmojnë që truri të jetë sa më efikas.

Përgatiti: JONIDA TASHI

Të reja nga shkenca
Studim mbi gjenet dhe nivelin e serotonit

Në trurin e njerëzve që janë me depresion janë gjetur ndryshime në nivelin e serotonit. Nuk është e saktë të themi se shkaku i depresionit shkaktohet nga kemikalet e panivelizuara në tru. Në qoftë se ndonjë ilaç e bën personin të ndihet më mirë, kjo s’të thotë që shkaku i shqetësimit ishte mungesa e këtij ilaçi. Fakti që aspirina e shëron dhembjen e kokës, s’do të thotë që dhembja është shkaktuar për shkak të mungesës së aspirinës. Shpesh mendohet se studimet e bëra tregojnë që depresioni është trashëgues. Por analizimi i këtyre studimeve ende e lë këtë si pyetje të hapur. Ne marrim shumë gjëra nga prindërit tanë, por shumicën e këtyre e marrim sepse mësohemi nga ata. Ne e mësojmë mënyrën e të menduarit nga familja gjë që mund të na shkaktojë shqetësime. Nëse nëna është vazhdimisht e frikësuar dhe pesimiste, fëmija i saj me siguri mund të rritet me besimin që bota është vend i tmerrshëm kështu që fëmija bëhet i frikësuar dhe pesimist.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›