E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkimi”, profil Isa Boletinit me rastin e protestave të 1981-shit në Prishtinë

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”. Këto janë fjalët e Isa Boletinit, që kanë kaluar gojë më gojë. Ato dëshmojnë për patriotizmin e flakët të këtij biri të shquar të Kosovës kreshnike e të gjithë Shqipërisë. Ishte 17 vjeç kur Isai shtatlartë e fjalëpakë mori pushkën e u radhit në ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata që e patën përkrah në luftë dalluan tek Isai jo vetëm guximin, por edhe aftësinë e tij për t’i drejtuar shokët. Dhe ata e deshën, e respektuan dhe e nderuan luftëtarin e ri, që ziente nga urrejtja për pushtuesit osmanë dhe për padrejtësitë që po i bënin atdheut monarkitë shoviniste të shteteve fqinje e Fuqitë e Mëdha, që donin t’i shkëputnin Shqipërisë trojet e saj. Luftimet e përgjakshme për Pllavën e Gucinë, Hotin e Grudën dhe sukseset e armëve shqiptare në këto beteja e gëzuan zemrën e Isait të ri. Ai lindi dhe u rrit në një mjedis familjar patriotik, në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur kryengritjet e panumërta popullore kundër shtypjes së egër osmane dhe kundër planeve skllavëruese të monarkive shoviniste të shteteve fqinje kishin përfshirë gjithë Shqipërinë. Isa Boletini, duke hyrë si pjesëmarrës në këto ngjarje, u rrit si luftëtar dhe fitoi në të njëjtën kohë tiparet e një udhëheqësi popullor. Porta e Lartë e quajti njeri shumë të rrezikshëm. Edhe fuqitë imperialiste, sidomos Rusia, bënë çmos për ta zhdukur. Përdorën kërcënimet dhe dhunën, dredhitë e premtimet për ofiqe të larta shtetërore, i ofruan edhe para, por Isa Boletini të gjitha këto veprime i përbuzi. Ai, me vendosmëri iu përgjigj kryeministrit osman, Hysen Hilmi Pashës: “Të kisha pranuar me iu përulë Stambollit e me vue zgjedhën në qafë, të kisha mendue për kokë e pasuni isha marrë vesh me kohë e nuk i kisha shti në grykë të topit me qindra shtëpi të farefisit e të miqve”. Ndërsa Nikollës së Malit të Zi, që i ofronte t’i jepte ndonjë ndihmë ushtarake e të gjente shkas për t’u futur në trojet shqiptare, i deklaronte: “Gospodar, ne nuk u vramë e nuk u dogjëm për të përzënë një mbret e të na hyjë brenda nji tjetër”. Shqipëria jetonte ditë të vështira. Duhej luftuar se kundër pushtuesve osmanë dhe kundër synimeve të monarkive shoviniste të shteteve fqinjë e intrigave antishqiptare të agjentëve të Rusisë cariste e Austro-Hungarisë. Isai bashkë me shokët dhe popullin e vet qëndroi heroikisht. Për asnjë çast ai nuk e ftohu grykën e pushkës, por u bëri ballë me trimëri të gjitha rrebesheve që u përplasën mbi truallin shqiptar. Edhe në çastet e vështira, Isa Boletini nuk e humbi kurrë besimin dhe bëri çmos ta çmonte popullin në fitore. Ndonëse i pashkollë, ai ishte i etur për dije e kulturë, për mësimin e përhapjen e gjuhës shqipe, e për këtë ai ngriti një shkollë në Mitrovicë. Isa Boletini diti të futet thellë në jetën e popullit të vet, në botën e tij të pasur shpirtërore dhe njohu mirë bujarinë e besnikërinë e popullit, që e mbështeti dhe e mbajti me “bukë dhe kripë e zemër” gjatë tërë asaj periudhe të gjatë që Isai endej maleve si luftëtar i lirisë. Populli e respektonte dhe e donte udhëheqësin e vetë trim e me horizont. Isai me largpamësi nuhati premtimet e gënjeshtërta të Turqve të Rinj dhe mbajti gjithmonë një qëndrim të drejtë ndaj tyre. Ai kishte aftësinë të kuptonte edhe kurthet më të holla, kur ishte fjala se prapa tyre fshihej qoftë edhe më e vogla veprimtari antishqiptare. E kurdoherë përballë këtyre situatave ai vuri grykën e pushkës, që gjatë jetës e nxori faqebardhë. Si prijës popullor, të pjekur dhe me aftësi të rralla për të drejtuar veprimet luftarake, e shikojmë Isa Boletinin gjatë kryengritjeve të njëpasnjëshme të viteve 1910-1912. Ky bir i Kosovës kreshnike e kishte të qartë që lirinë do ta fitonin me gjak dhe sakrifica të panumërta: “Pa e vaditë tokën me gjak të shqiptarit, - thoshte ai, - nuk mund të largohet pushtuesi osman”. Bashkë me udhëheqësit e tjerë të kryengritjeve e me luftëtarët sypatrembur, Isai u bëri ballë hordhive të shumta të armikut. Aq prijës të talentuar ishin Isai me shokët e vet, sa të huajt, që nuk i njihnin, kujtonin se luftëtarët shqiptarë drejtoheshin nga oficerë që kishin kryer akademi ushtarake. Ndërsa Isa Boletini mbartte në vetvete eksperiencën e luftërave popullore kundër sundimtarëve të huaj. Ai nxori mësime të vyera nga këto luftime. Nga dështimi i kryengritjes së vitit 1910, që përfshiu tërë Kosovën, Isai arriti në konkluzion: “... kur të bashkohen gjithë shqiptarët ku janë e të lidhin ndërmjet tyre besën shqiptare, do të jemi të zotët të përzëmë hordhinë turke jashtë Shqipnisë jo ma me armë, por edhe me hujtë e gardhit”. Ky bashkim u arrit në kryengritjen e vitit 1912 prej së cilës xhonturqit u detyruan t’u njihnin shqiptarëve disa të drejta. Të nxitur nga fitoret e shqiptarëve, por edhe të alarmuar nga të drejtat që fituan, shtetet e aleancës ballkanike i shpallën luftë Turqisë. Ushtritë e këtyre shteteve pushtuan tokat shqiptare, ndërsa Fuqitë e Mëdha e copëtuan Shqipërinë. Isa Boletini luftoi sa mundi kundër pushtuesve të rinj të Kosovës. “Kur në Europë, - ka thënë shoku Enver Hoxha, - endeshin ujqërit dhe nuk linin të dëgjohej zëri i popullit shqiptar, atëherë dëgjohej kënga e mauzerëve dhe e nagantëve të bijve të këtij populli. Këtë këngë e kanë dëgjuar krajlët serbë në fushat e Kosovës ku burrat shqiptarë të udhëhequr nga Bajram Curri, Isa Boletini dhe patriotë të tjerë, luftonin për lirinë e Atdheut dhe për ndalimin e shkëputjes së Kosovës nga mëma Shqipëri”. Në këto momente vendimtare për vendin tonë, Ismail Qemali, i ndjekur nga Isa Boletini e të tjerë, ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në këtë ditë të shënuar Isai, me lotët e gëzimit në sy, e puthi flamurin dhe e uroi Ismail Qemalin: “Të lumtë dora”. Ngjarjet që rrodhën pas shpalljes së pavarësisë e detyruan Isa Boletinin të vazhdonte luftën me armë në dorë në truallin e Kosovës. Njerëzit e krajl Nikollës, me pabesi e shtinë në dorë dhe pasi i ngritën kurth më 23 janar 1916, Isa Boletini ra duke luftuar bashkë me shtatë trima të tjerë, midis të cilëve edhe dy djem e dy nipat e tij. Sot, në 65-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Isa Boletini, mbarë populli shqiptar kujton edhe një herë luftërat heroike për liri e pavarësi dhe midis udhëheqësve të shquar të kësaj lufte me pushkë e me penë, edhe Isanë e veprën e tij madhore, heroike, konsekuente për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.

Marrë nga gazeta “Bashkimi” më 23 janar 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›