E Diel, 1 Nëntor 2026

Përpjekje për konsolidim të investimeve në kurriz të pronarëve

15/08/2009  “Pronësi me Drejtësi” shprehet kundër privatizimit të trojeve të fshatrave turistikë

Ergys GJENÇAJ

Tokat mbi të cilat janë ndërtuar fshatrat turistike nuk duhet t’u shiten atyre që kanë ndërtuar këto fshatra - ky është qëndrimi që ka mbajtur shoqata “Pronësi me Drejtësi”, e cila kundërshton propozimin e Kryeministrit Sali Berisha, që në mbledhjen e fundit të qeverisë theksoi se të gjitha fshatrat turistike të ngritura në Shqipëri do të privatizohen duke respektuar të gjitha normat dhe kriteret që do të përcaktohen në një ligj të veçantë. Përfaqësues të shoqatës shprehen kundër shitjes së detyrueshme të tokës, ku jo rrallëherë sipas tyre i presupozuari “fshat turistik” është kthyer në vilë rezidenciale. Duke folur në emër të pronarëve të tokave, përfaqësues të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” theksojnë se megjithëse ndërtuesit e fshatrave turistike u privilegjuan duke marrë tokat pothuajse falas përmes një qiraje qesharake për 99 vjet, tani kërkojnë të konsolidojnë investimet e kryera në fushën e turizmit në vend në kurriz të pronarëve të ligjshëm të trojeve. Sipas tyre, të gjitha këto investime janë kryer në kundërshtim të hapur me ligjin dhe për pasojë duke e shkelur atë. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” deklaron se duhet të bëhet e mundur që prona t’u kthehet pronarëve të ligjshëm dhe më pas ata (pronarët e tokës) të zgjidhin vetë marrëdhëniet me ndërtuesit e fshatrave turistike. Përfaqësuesit e shoqatës theksojnë gjithashtu se ndërtuesit apo pronarët e vilave në këto fshatra turistike duhet të paguajnë me çmimin e tregut jo vetëm tokën, por dhe të ashtuquajturën “tokë mbrojtëse”.

Reagimi erdhi pasi Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e fundit të qeverisë se së shpejti Këshilli i Ministrave do të miratojë projektligjin për privatizimin e fshatrave turistike. Ai nënvizoi se ligji do të jetë tërësisht për privatizimin dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me procesin e legalizimeve, pasi janë dy procese krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Duke prezantuar këtë iniciativë të re ligjore në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri sqaroi se ata që kanë ndërtuar vila në fshatrat turistike do të blejnë tokën me çmimin e tregut, fonde të cilat do të përdoren për pronarët. Ai deklaroi se në Shqipëri tashmë është krijuar shtresa e borgjezisë dhe të gjithë ata që janë pjesë e saj duhet t’i nënshtrohen ligjit dhe të blejnë tokën ku kanë ndërtuar vilat e tyre të pushimit. Kryeministri theksoi se përmes këtij ligji të kënaqur duhet të mbeten të dyja palët, si pronarët e tokave, mbi të cilat janë ndërtuar vilat apo fshatrat turistike, ashtu dhe biznesmenët apo borgjezët, siç parapëlqeu ai t’i quajë pronarët e këtyre vilave. Ndërkohë përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke iu kundërvënë propozimit të kreut të qeverisë, theksojnë çmimet e ofruara për privatizimin e trojeve ku janë ndërtuar fshatrat turistike janë tërësisht qesharake. Sipas tyre, çmimet e tregut që u përkasin trojeve në fjalë janë shumë herë më të mëdha nga ato që ofrohen. Ata shprehet se çmimet e ofruara janë disa dhjetëra herë më të ulëta se çmimet e tregut dhe se gjithçka është thjesht një manovër për të legalizuar shkelësit e ligjit. Sipas shoqatës së pronarëve, nga 32 fshatra turistike të licencuara vetëm dy funksionojnë si të tillë. Një zgjidhje e mundshme për përfaqësuesit e shoqatës, që pretendon se mbron interesat e pronarëve të ligjshëm të pronave, do të ishte rritja e qirasë 99-vjeçare për të gjithë ata që kanë ndryshuar destinacionin e fshatit, zgjidhje kjo që nuk i detyron pronarët legjitimë të shesin tokën.

Propozimi i Kryeministrit

Shefi i ekzekutivit kërkoi përpilimin e një projektligji që do të ketë për qëllim privatizimin e të gjitha fshatrave turistike të ngritura në Shqipëri, duke respektuar të gjitha normat dhe kriteret që do të përcaktohen në një ligj të veçantë. Ai nënvizoi se ligji do të jetë tërësisht për privatizimin dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me procesin e legalizimeve, pasi janë dy procese krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Duke prezantuar këtë iniciativë të re ligjore në mbledhjen e qeverisë, kreu i qeverisë sqaroi se ata që kanë ndërtuar vila në fshatrat turistike do të blejnë tokën me çmimin e tregut, fonde të cilat do të përdoren për pronarët. Berisha kujtoi se statusi i fshatrave turistike ka qenë një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani duhet t’i jepet një përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm. Kështu, ai ka theksuar se përmes këtij ligji të kënaqur duhet të mbeten të dyja palët, si pronarët e tokave mbi të cilat janë ndërtuar vilat apo fshatrat turistike, ashtu dhe biznesmenët, apo borgjezët, siç parapëlqeu ai t’i quajë pronarët e këtyre vilave.

Ligji për qiranë e tokës

Ligji për dhënien me qira të tokës shtetërore lejonte që fillimisht toka të merrej me qira për një periudhë 30-vjeçare, por me të drejtë ripërtëritje të kësaj qiraje deri në 99 vjet. Ky ligj u shfrytëzua në maksimum për të ndërtuar fshatra të shumta turistike pranë brigjeve detare të vendit tonë. Ndërkohë me ligjin e përgatitur dhe të miratuar pak vjet më parë, “Shqipëria 1 euro”, flitej se me rastin e mbjelljes së ullinjve, vreshtave dhe pemëtarive qiraja e tokës shkonte direkt për 99 vjet. Por përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, që pretendojnë se mbrojnë interesat e pronarëve të ligjshëm të pronave, duke kundërshtuar propozimin e fundit për privatizim të trojeve ku janë ngritur fshatrat turistike, shprehen se një zgjidhje e mundshme do të ishte rritja e qirasë 99-vjeçare për të gjithë ata që kanë ndryshuar destinacionin e fshatit, zgjidhje kjo që nuk i detyron pronarët legjitimë të shesin tokën. Në oponencën e tyre ata nënvizojnë se, megjithëse ndërtuesit e fshatrave turistike u privilegjuan duke marrë tokat pothuajse falas përmes një qiraje qesharake për 99 vjet, tani kërkojnë të konsolidojnë investimet e kryera në fushën e turizmit në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›