E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis robërisë dhe teprimit të lirisë

Pas festimi të njëvjetorit të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, si dhe pas atyre fjalëve tejet lartësuese, për arritjet e mëdha, për baballarët e pavarësisë, për zhillimet e vrullshme kinse ekonomike, pastaj për premtimet e ardhshme për një Kosovë më të mirë se kjo e para një viti nuk janë gjë tjetër vetëm një retorikë e rrjeshme dhe një vazhdimësi e proceseve të çoroditura të lidershipit (të verbër) të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. T’ia jepësh madhështinë vetëm një dite duke harruar një histori të tërë përpjekjesh të kombit shqiptar për t’u stabilizuar dhe për t’u bërë një grusht i vetëm në një vend të vetëm që edhe vetë Perëndia ia ka dhuruar këtë hapësirë të rëndësishme do të thotë t’i mohosh një sërë përpjekjesh nga e kaluara jonë. Kosova si e tillë nuk ka lindur me 17 shkurt, as ka lindur dje e as para shumë vitesh; ajo ka lindur në thellësi të shekujve, ajo ka pasur një histori dhe e ka ende, ajo histori quhet histori e vetë kombit shqiptar dhe identitetit të tij historik, të determinuar në lashtësi.
Megjithatë, duhet cekur se 17 shkurti i vitit që kemi lënë pas, para së gjithash është një aksident i rëndësishëm dhe një akt i dhënë në kohën e duhur proceseve që janë krijuar në fundshekullin që lamë pas dhe shekullin që jemi, duke ditur se Ballkani tani ka marrë një formë të re dhe ne gjithsesi duhet ta kuptojmë këtë akt. Pastaj duke ditur se Europa është një sistem vlerash të larta civilizuese dhe se të gjitha shtetet janë të thirrura të bëhen partnere serioze,  kjo është mëse e kuptueshme. Por ne - duhet ta dimë edhe këtë - se Kosova dhe tërë kombi shqiptar ishin që nga lashtësia dhe janë vetë pjesë e natyrshme e Europës së bashkuar dhe kjo është një fakt historik i pakontestueshëm. Sidoqoftë mund shohim sot se si shteti i mbikëqyrur i Kosovës ka probleme me vetveten, ajo është zënë rob nga përgjumja dhe mbyllja e hapësirës për një shtet juridik dhe të një stabiliteti të qëndrueshëm ku të gjithë do mund ta konsiderojnë Kosovën si një vend që mund të jetohet e të kontribuohet së mbari, për një të ardhme të sigurt dhe të qartë. Në Kosovë ekzistojnë paradokse të habitshme ku njeriu mund të dyshojë se vërtet Kosova është duke u bërë një shtet i vërtetë apo nga ai lloji i shteteve të cilat kurrë nuk kanë arritur të mësojnë sistemin e ndërtimit dhe formën e demokratike. Kosova është mbushur me lojtarë të dorës së dytë dhe me lojtar që më shumë kanë dëshirë të shíjojnë  se si Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë strehë e pasigurt dhe një  shtet i pakuptueshëm, ngase akoma kemi lojtarë që nuk kanë aspak dëshirë që Kosovësn ta largojnë njëherë e mirë nga robëria e vullnetit të politikave të tyre të sëmura nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi si i sistemit institucional të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Nuk mund të themi se në Kosovë kemi tani pas pavarësisë një këputje zinxhirësh nga keqmenaxhimi dhe keqndërtimi i sisitemit demokratik shtetëror , jo të qëndrueshëmrisë së proceseve të brëndshme, jo zhvillimi ekonomik apo më mirë me thënë asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim, etj, etj.
Sa lojëra fjalësh janë duke bërë pushtetarët tanë këto lojëra ata i kanë mësuar para se të marrin pushtetin, ata si duket ende mendojnë se pluhurin duhet t’ia hedhin sërish syve të popullit, dhe se populli i Kosovës për ta është mësuar të bartë gjithçka apo më mirë të thuash populli është bërë “si gomari që bart samarin”.
Por jo jo gjithçka është e tillë. Ka zëra të ndryshëm që çojnë ujë në mullirin e lirisë së plotë të popullit të Kosovës dhe ky ujë gjithsesi do i marrë me vete edhe këta liderë të verbër e hijerëndë. Kosova tani duhet të dalë nga kjo gjendje ngulfatëse me pasoja të tmerrshme për të ardhmen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›