E Diel, 1 Nëntor 2026

Udha e vështirë e de-konstruksionit

“Për ata skeptikë që mendojnë se kaosi nuk ekziston si sistem. Gabojnë dhe do të ri-mendohen. Kaosi është i lirë dhe jeton në Shqipëri”. Këto pak fjalë janë të një autori absurd që ka jetuar në teatrin më absurd që ka pasur gadishulli Ballkanik: pra, burgu i Burrelit; “këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del” ishte tabela e rimuar prej llamarine që simbolizonte tjetërsimin arsyes. Një burg që përfaqësonte izolimin e rëndë që vendi kishte në kurriz. Burreli ishte një mikro-burg, një matrioskë që mbante mbi supe makro-burgun që quhej Shqipëri. Izolimi vazhdon akoma sot të mbahet me kulte demodé të ricikluara nga e kaluara dhe kultura  vrazhdë.
Sot. Ka ardhur koha të bëjmë dy përmbledhje aritmetike për atë që kemi bërë në fronti e lirisë demokratike në këtë vend. Por numrat matematikorë na mungojnë, por falë diktaturës kemi ato të cirkut grotesk post-komunist. Ardhja e “anarkisë” demokratike nuk arriti dot të zbatonte përthellimin cilësor në de-totalitarizimin e mendësisë shqiptare, që akoma sot mban “peng të pavetëdijshëm” një vend që konsiderohet Evropian. Nuk ishim gati? Nuk ishim pjekur akoma? Nuk kishin mekanizmat intelektualë të bënin një de-konstruksion kulturor e social me themel e me qëlizëm. Edhe pse duhet thënë se bota Oksidentale tanimë kishte eksperimentuar avitje de-konstruksioniste në shoqëritë e tyre. Mjerisht në Shqipëri hiç. E siç dukej kufiri shqiptar pranonte vetëm njerëz e ide që u shpërngulnin nga atdheu i ngjyrosur këmbë e krye më të kuq. Afërmendsh çdo gjë që merrej nga Evropa ishte një shabllon i deformuar qysh në lindje. Arsye-hetimi i jonë i sotëm mbi epifenomenet që vrasin jetesën e përditshme bëhet me kalkulime cinike të produktit intelektual të së kaluarës. Edhe format folklorike të regjura gjatë nacionalizmit racist, që kishte karakteristikë të saj mosbesimit preventiv ndaj këshillave të huaja, bashkë me sofistikimet  e kriminalitetit ndaj pronës publike janë simptomat të një shoqërie që bën pak për “shëndetin e saj moral e mendor”.
Me një fjalë po shkruajmë se de-totalitarizimin e shoqërisë shqiptare është një farë që s’ka për të mbirë në tabanin e kombit po s’dolëm nga izolimi kulturor e shoqëror. Qendrat e elitës kombëtare që kanë akoma klishetë e së kaluarës preferojnë të kultivojnë mështjerra të shterpa sesa të lirojnë dallëndyshe në hapësirën shqiptare. Të paktën dallëndyshet do të na jepnin shpresën e një pranvere të re kombëtare, si shenjë lirimi nga një e kaluar tepër e fshehtë, me shumë sekrete e me shumë kufoma mbi kujtesë.
Nuk është e udhës të flasin për de-konstruksion në një vend që kërkon akoma të flejë në dafina e një sistemi vlerash të krijuara në Rilindjen e largët e të amplifikuar keqësisht në terrorin e komunistëve. Pra ideja e një nacionalizmi folkloristik i përbërë nga shqiponja, flamuri kuqezi, malësori me mustaqefek janë produkte rajonale të një shterpësie kulturore. Pellgëzimi i diskursit publik shqiptar behte akoma me i padobishëm e i rrezikshëm kur hyjnë metoda e ide marksiste, për të mos thënë staliniste. Si ka mundësi që ne nuk dyshojmë kur ne shohim më shumë të kaluarën tonë sesa të ardhmen e pritshme në debate. Si një pasqyrë kjo shfaq dukshëm nivelin e katandisur të një shoqërie të izoluar nga shumë kohë. Madje kompleksin e inferioritetit kulturor e maskojmë me folklorizëm patriotik sepse kështu na duhet ne dhe kështu s’na duan fqinjët. Një logjikë e tillë e cila nuk është perverse, as irracionale, por është më keq është një gabim. Një gabim fatal të një këndvështrimi intelektual. Sepse po ta shohim botën në mënyrë manikeiste, d.m.th e mira dhe e keqja, nuk do të kishte vend për neutralitetin e paqes. Për ekuilibrin mendor e social të një shoqërie që ka pasur dhe ka shumë brenga. Reliktet e qendrave të elitës totalitare na shfaqet edhe sot në forma publicistike, që vetëm radarë të prodhuar në oksident arrijnë të perceptojnë dhe t’i identifikojnë në ekranin e tyre intelektual. Por janë pak ata që e kane ekranin me ngjyra, e janë të shumtë ata që e kanë akoma bardhezi, taman si marka “Lura”.
Egoizmi monist na bën të themi ne jemi në të drejtë e ju në faj e prandaj armik: edhe kacafytemi dhëmbpërdhëmb e sypërsy; e pastaj ngelemi qorr në qorrsokakun tonë intelektual. Edhe pse qëndisja e etiketave morale na bën të dyshojmë për rëndësinë e saj reale dhe faktike, për të cilën njeriu ka nevojë për një mbresë patriotike por jo monopolizim të arsyes kundrejt. Brenda vetes njeriu ka pak urtësi dhe logjikë, për t’u mos u zhytur në këtë llum të riciklimit nacionalist-komunist shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›