E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migen Memelli: Fiziku është arma ime

Nga Kemeri, Jetmir Halilaj

Luan jashtë prej dy vjetësh, gëzon një formë të mirë fizike dhe ashtu si një pjesë e mirë e sulmuesve të Kombëtares, nuk ka shënuar gol këtë sezon. Megjithatë, Migen Memelli nuk ka qenë pjesë e Kombëtares edicionin e kaluar. 27-vjecari nga Pogradeci mendon se ka ardhur momenti që atij t'i jepet një shans me fanellën kuqezi. "Unë i respektoj gjithnjë vendimet e trajnerit dhe asnjëherë nuk kam për të bërë polemika, por në vetvete jam i bindur se e meritoj Kombëtaren po aq sa edhe sulmuesit e tjerë të përfaqësueses, të cilët janë grumbulluar rregullisht edicionin e kaluar", thotë futbollisti që aktivizohet te skuadra suedeze GAIS. "Këtë sezon kam qenë shumë mirë fizikisht, por goli nuk më ka ecur edhe për shkak të hapësirave të pakta që kam pasur në dispozicion. Megjithatë, unë nuk kërkoj të luaj patjetër titullar në përfaqësuese, thjesht dua të më jepet ndonjë mundësi më shumë. Ky nuk është ultimatum, sepse në fund të fundit vendimet i merr trajneri dhe ne duhet t'i respektojmë ato. Nëse e pyet se cila është arma e tij më e fuqishme për të konkuruar me lojtarët e tjerë të sulmit kuqezi, Memelli përgjigjet: "Nuk mund të konkuroj me të gjithë si i barabartë, por me disa prej tyre po. Dua të them se jam 27 vjec dhe mund t'i shërbej kombëtares edhe për pesë vjet të tjera, gjë të cilën disa prej sulmuesve të tjerë nuk kanë mundësi ta bëjnë më. Përvec kësaj, jam shumë i fortë fizikisht dhe kam shumë uri për të treguar se cfarë mund të bëj me fanelën e Kombëtares", thotë Memelli.
Jeta private
Sulmuesi pogradecar është shumë i rezervuar kur flet për jetën jashtë futbollit, megjithëse e pranon se bën një jetë shumë të rregullt. "Nuk jam i dhënë pas jetës së natës. Më pëlqen që pas punës të pi ndonjë kafe me miqtë ose të clodhem në shtëpinë time", thotë ai. Sulmuesi prej disa kohësh ka një lidhje me një vajzë shqiptare, lidhje që shpreson të zgjatë sa më shumë. "Raporti im me femrat? Unë nuk shquhem si ndonjë ‘gjuajtës' i madh dhe nuk është se e kam pasur qejf ndonjë gjë të tillë. Jam munduar të jem gjithnjë korrekt. Aktualisht jam i lidhur me një vajzë shqiptare dhe lidhja ime funksionon mirë. Vajzat e huaja? Kanë një mentalitet shumë ndryshe nga i yni dhe e kam të vështirë të përshtatem. Ka vajza të mira kudo, por unë preferoj shqiptaret, sepse i përshtaten mentalitetit tim", shprehet Memelli.
Burimi: Gazeta Panorama Sport

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›