E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaro-maqedonasi Ibraimi te Shalke 04

Sulmuesi

“Kolonia” shqiptare në kampionatin gjerman vazhdon të rritet. Pas lojtarëve si Altin Lala, Ervin Skela, Mërgim Mavraj, Edmond Kapllani, Jahmir Hyka e kështu me radhë, në Bundesligë do të luajë edhe Besart Ibraimi. 23-vjeçari nga Maqedonia është transferuar te Shalke 04 nga Renova, në një operacion kostoja e të cilit është përllogaritur në afro 500 mijë euro. Sulmuesi ka firmosur kontratë 3-vjeçare me “minatorët” dhe do të luajë në stadiumin “Gelsenkirshen” deri në qershor të vitit 2013. Për afrimin e Ibraimit, i cili ka realizuar 13 gola në 26 javë të luajtur në Superligën maqedonase gjatë sezonit të kaluar (mesatare 0.5 gola në ndeshje), trajneri Feliks Magath tha: “Jam i kënaqur për blerjen e sulmuesit, pasi atë e shohim si një lojtar të perspektivës”. Ai e ka filluar karrierën si profesionist në vitin 2005 te FK Vlazrimi, ndërsa në janar 2007 u transferua te FK Napredok. Pas një sezoni, ku shënoi 14 gola në 43 ndeshje, në shtator 2008 Ibraimi firmosi me FK Renovën. Lojtari është aktivizuar edhe në pesë ndeshje me përfaqësuesen maqedonase të futbollit, ndërkohë që më parë ka qenë pjesë e kontingjentit të ekipit U-21.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›