Migen Memelli shenon tre gola kunder Al Itihad
Migen Memelli regjistron një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në Ligën Pro të Arabisë Saudite. Sulmuesi shqiptar ka realizuar tre gola në sfidën e djeshme, që Al Faisali barazoi me rezultatin 3-3 në fushën e Al Itihad. Në takimin që u shndërrua në një festival golash, 30-vjeçari ka pushtuar “skenën”, ndërsa pa asnjë dyshim ka qenë lojtari më i mirë në fushë përballë pretendentëve numër një për titullin kampion. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 11-të të takimit me rrjetën e Sulltan Al Numare, ndërsa Memelli riktheu barazpeshën në të 27-tën. Supremacia e Al Itihad ishte e dukshme dhe kjo u shpërblye me golat e Ziaja (32’) dhe Mohamed Nor (58’). Megjithatë, arma sekrete e trajnerit të Al Faisalit, Zlatko Daliç, quhet Migen Memelli: “bomberi” ka shkurtuar shifrat kur kronometri tregonte 66 minuta lojë, ndërsa vetëm 9 minuta përpara fundit të ndeshjes barazoi rezultatin në 3-3, duke ekzekutuar me gjakftohtësi një 11-metërsh. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Princi Abdullah al-Faisal”, sulmuesi u ndëshkua edhe me një karton të verdhë (në të 30-tën), ndërsa në minutën e 84-rt, trajneri Daliç e zëvendësoi, për ti dhuruar duartrokitjet e merituara të afro 10 mijë tifozëve të pranishëm.
Pas ndeshjes së djeshme, e vlefshme për javën e 15-të të Ligës Pro, Al Itihad humbi vendin e parë në klasifikim. Për shkak të Memellit, kjo skuadër “ngeci” në kuotën e 28 pikëve, aq sa kanë edhe Al Hilal dhe Al Nasr, që mbajnë vendet një dhe dy. Ndërkohë, Al Faisali ngjitet në vendin e pestë, në kuotën e 23 pikëve. Kjo është “tripleta” e dytë e Memellit në Arabinë Saudite, pas ndeshjes së 3 tetorit përballë Najranit. Ish-goleadori i kampionatit shqiptar në sezonin 2008-2009, i cili u shpall edhe si sulmuesi më i mirë i muajit tetor nga gazeta “Al Riadia”, ngjitet në kuotën e 9 golave të realizuar në kampionat.