E Diel, 1 Nëntor 2026

Migjen Basha puth fanellën kuqezi: Krenar që zgjodha të luaj për vendin tim

Blerja e re e kombëtares tregon emocionet e para si kuqezi
M.Basha_323350Migjen Basha është shfaqur mjaft i emocionuar në ditën e tij të parë si futbollist i kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka marrë pjesë në stërvitje bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri De Biazi për ndeshjet kundër Norvegjisë dhe Lituanisë.
Emocionet
Lojtari luajti në ndeshjen brenda grupit duke marrë pozicionin e zakonshëm para mbrojtjes, ndërsa pas stërvitjes nuk ka ngurruar të tregojë për mediat edhe emocionet e tij të para, duke i shoqëruar me gjestin simbolik të puthjes së fanellës kuqezi. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Gjeta një ambient mjaft të ngrohtë, pasi me disa lojtarë njihem edhe më përpara. Kjo ishte seanca ime e parë stërvitore me Kombëtaren, për të cilën do të jap gjithnjë maksimumin, sa herë që të më kërkohet. U ndjeva mirë. Në fillim pata disi emocione, por më pas gjithçka u normalizua. Pashë se kisha të njëjtin potencial edhe me lojtarët e tjerë, ndaj shpresoj që shumë shpejt të zbres në fushë. Kam shumë dëshirë të udhëtoj drejt Oslos, por kjo varet nga përgjigjja që presim. Ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Unë jam gati dhe po pres me padurim të vesh fanellën e kombëtares, pasi është nder për mua, ka shpjeguar futbollisti kosovar i Torinos. Deklarata e Bashës erdhi para vendimit të FIFA-s.
Pse nuk zgjodha Zvicrën
Ai ka treguar më pas se pse zgjedhja e tij ka qenë Shqipëria dhe jo Zvicra, pavarësisht faktit se kjo e fundit e mbante peng duke mos lejuar aktivizimin e tij te kuqezinjtë. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Zvicra nuk është interesuar asnjëherë për mua dhe as unë nuk jam interesuar për të. Zgjodha të përfaqësoja vendin tim dhe jam krenar për këtë vendim. Dua ti shërbej vendit tim dhe do jem gati sa herë që do të jetë nevoja. Jam gati të jap kontributin tim për ekipin kombëtar. Edhe sikur të isha thirrur nga Zvicra, nuk do pranoja. Unë dua që të luaj dhe me kombëtaren e Zvicrës do ta kisha shumë të vështirë, sepse në rolin tim ka disa lojtarë si: Behrami, Inler etj, të cilët është shumë e vështirë për tua zënë vendin, shpjegoi ai.

Basha merr “Ok” nga FIFA

FIFA ka kthyer përgjigje pozitive për Migjen Bashën, i cili është grumbulluar për herë të parë me skuadrën kuqezi. Mesfushori me origjinë kosovare që luan me Torinon në Seria A mund të debutojë me përfaqësuesen shqiptare në ndeshjen kundër Norvegjisë. Basha kërkohej me ngulm nga trajneri De Biasi, i cili e njihte mirë mesfushorin që në kohën kur drejtonte ekipin e Torinos. Tani pasi ka marrë dhe “OK” nga qeveria botërore e futbollit, lojtari është pjesë e kombëtares shqiptare me të drejta të plota.

Ndeshja me Norvegjinë, lojtarët: Do luajmë të gjitha shanset
Durrës – Njëri në sulm me detyrën për të shënuar, tjetri duhet të mbrojë për të mos lejuar kundërshtarët të shënojnë. Hamdi Salihi dhe Andi Lila janë gati të çojnë deri në fund misionet e tyre për të dalë me një rezultat pozitiv në ndeshjen që kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në transfertën e Oslos kundër Norvegjisë. Dy futbollistët mbajnë të njëjtën linjë me trajnerin De Biasi. Kjo sfidë është shumë e rëndësishme, e vështirë, por kuqezinjtë do të luajnë të gjitha shanset e tyre. “Në dy ndeshjet kryesore duhet të jemi realistë që Norvegjia ka një ekip shumë të mirë, lojtarë shumë të talentuar dhe nuk do jetë ndeshje e lehtë. Në ekip është rritur vetëbesimi dhe ka shanse të bëhet diçka ndryshe nga ajo që kemi bërë edicionet e kaluara”, ka thënë Salihi. “Në varësi të lojës edhe barazimi do të ishte rezultat i mirë. Humbëm ndeshjen e parë me Islandën dhe fituam ndeshjen e dytë me Slloveninë. Ku i dihet, mund të mundim edhe Norvegjinë. Kam shumë shpresë për një rezultat pozitiv”- ka thënë Lila.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›