E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migrena, kush janë më të rrezikuarit

Për herë të parë, variacionet e tre gjeneve që janë të predispozuara që të preken nga migrena, tashmë janë zbuluar. Rezultatet e një studimi të drejtuar nga Tobias Kurth, drejtor i kërkimeve të Inserm 708 "neuroepidemiologji", sugjerojnë se ka një mekanizëm të përbashkët për format e ndryshme të migrenës.

Falë analizës gjenetike për rreth 23 mijë gra, 5 mijë prej të cilave vuanin nga migrena, që morën pjesë në studimin e quajtur "Women's Genome Health Study", ekipi ka identifikuar një lidhje mes migrenës dhe varianteve të tre gjeneve, TRPM8, LRP1 dhe PRDM16. Këto ndërhyrje gjenetike u konfirmuan më pas edhe nga analiza e të dhënave të tre studimeve europiane të pavarura, ku u përfshinë burrat dhe gratë. “Personat që kanë këto variacione janë më të rrezikuar që të preken nga migrena. Kjo ndërhyrje është vënë re në forma të ndryshme të migrenës, gjë e cila tregon rëndësinë e këtyre rezultateve”, pohon Tobias Kurth.

Mes këtyre tre gjeneve, dy prej tyre janë të lidhura ngushtësisht me migrenën: gjeni TRPM8, që ndodhet në neurone, roli i të cilit është vënë re si shkak i ndjeshmërisë së tij ndaj të ftohtit dhe dhimbjes (një nga përbërësit e migrenës) dhe gjeni LRP1, i cili ndërvepron në sistemin nervor me proteina që pengojnë transmetimin e sinjaleve drejt neuroneve.

Gjeni i tretë PRDM16, duket se luan një rol të veçantë te migrena, më shumë se te llojet e tjera të dhimbjes së kokës.

Specialistët pohojnë se migrena prek 20 % të popullsisë. Viktimat e kësaj sëmundjeje pohojnë se kanë dhimbje të forta koke, shpesh të shoqëruara me simptoma të tjera, si të vjella apo ndjeshmëri ndaj dritës apo zhurmave. “Migrena kap 3 deri në 4 herë më shumë gratë. Edhe pse një përbërës gjenetik u zbulua kohë më parë, vetëm disa forma të rralla të migrenës janë lidhur deri tani me gjenet”, vazhdon doktori.

“Edhe pse mekanizmat e migrenës vazhdojnë të mos njihen mirë dhe shkaqet të pakuptuara, identifikimi i këtyre elementëve të përbashkët lejon të hedhë më shumë dritë rreth origjinës biologjike të kësaj sëmundjeje” nënvizon Tobias Kurth.

Së bashku me ekipin e tij, ai inkurajon studiuesit shkencorë të bëjnë studime që iu lejojnë të shpjegojnë kontributin e saktë të këtyre gjeneve, pasi kjo patologji mund të vijë si shkak i shqetësimeve të rrugëve sinjalizuese te tipet e ndryshme të migrenës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›