E Diel, 1 Nëntor 2026

Mihal Luarasi: Drejtorët e teatrove janë censorë politikë

Spektakli i Teatrit Bylis të Fierit, "Shëëëëët! Ule zërin!", pas premierës atje, spektatorët e kryeqytetit patën rastin ta shohin e ta duartrokasin për tre net me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar.

Qyteti artdashës i Fierit, teatri i tij, edhe kësaj here nuk na zhgënjeu në pritmërinë tonë, bëri atë që ka bërë shpesh në këto vite: Teatër të vërtetë profesional dhe rrugëçarës.
Kjo ngjarje, sepse ishte vërtet një ngjarje në kuptimin artistik të termit (që gazetat tani i thonë event), rishtron edhe njëherë mbi "tapet" problemin akut të dramaturgjisë shqiptare aktuale. Mungesën e gjatë të kësaj dramaturgjie nga skenat tona.

Vepra e re e Teatrit të Fierit është dramë origjinale vendase me temë aktuale. E theksoj këtë fakt sepse shikuesit teatërdashës të vendit tonë, "rrallë e për mall" shohin në skenë ndonjë pjesë shqiptare, e aq më pak me tematikë të kohës. Këtë të vërtetë të hidhur e kemi trajtuar shpesh në shtyp gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve të pas përmbysjes së diktaturës. Por pa asnjë rezultat. Krerë të ndryshëm teatrosh "fajin" e kësaj mungese ia venë dramaturgjisë që medemek, nuk po prodhon pjesë të reja; të tjerë, siç është edhe i nënshkruari, thonë dhe faktojnë, se fajin e kanë teatrot, regjisorë dhe drejtorë, që nuk i afrojnë autorët vendas, sidomos veprat e tyre me tema aktuale. Nuk janë të pakta dramat me këtë përmbajtje që flenë prej vitesh nëpër sirtarët e drejtorëve militantë dhe në dhjetëra vëllime të botuara dhe të pabotuara. Sepse fatkeqësisht drejtorët e teatrove, në vend që të jenë specialistë jopartiakë, janë censorë politikë, edhe atëherë kur nuk kanë teser partie në xhep. Militantët mund të jenë të mirë dhe të nevojshëm për punët e politikës, por jo për artin. E ka treguar koha, se në arte janë të dëmshëm. Ata pengojnë realizimin skenik të veprave me tema e probleme aktuale, shpesh herë të etiketuara prej tyre si "me spec", dmth që rrezikojnë karrigen e drejtorit po të vihen në skenë.
I nxitur, siç e thashë nga shfaqja e Fierit, kërkoj të falur që devijova paksa nga tema. Me problemin e sipërm do të merrem në një shkrim tjetër së shpejti.
2.
Drama e dramaturgut Pëllumb Kulla, spektakli i regjisorit Leka Bungo, përcolli një mesazh me peshë të rëndë, një kumt që trondit. A mund të dalin shqiptarët nga vetvetja?! Duhet të dalim, të "fshijmë" nga kodi ynë gjenetik luftën e kotë e kryeneçe mes vendit, po qe se duam të mbijetojmë në ketë botë të mundësive të mëdha, të lirive të mëdha, por edhe të rreziqeve të mëdha.
Në botën e sotme të globalizimit, ku të gjithë të mirët përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre të ndershme duke u "ndeshur" paqësisht me të tjerët, ne s'kemi kohë të kultivojmë siç duhet këto marrëdhënie, sepse më shumë jemi të zënë me luftën mes nesh, domethënë duke i "ngrënë kokën" njëri-tjetrit, në dëm të interesave të vendit.
Në këtë spektakël pamë guximin qytetar e artistik të autorëve për t'u ndeshur brenda një drame, me nepotizmin, me korrupsionin, me ligësinë njerëzore, me keqdashjen dhe hipokrizinë, me intrigat e karrierizmit pafre, me atmosferën e frikës dhe përgjimit, me këto ferra të këqija edhe brenda një institucioni shtetëror.
Në këtë dramë, autori ka krijuar një mjedis, ku gjejmë një Shqipëri të përmbledhur. Kjo ndërtesë e ambasadës, ky rreth njerëzish, i ka të gjitha - të shkuarën dhe të tashmen, pa dallim nga çdo mjedis në atdhe, demagogji, orekse për pasurim, luftë klasash, klane, armë, thyerje deposh, përgjime.
3.
Ngjarjet zhvillohen në një ambasadë shqiptare diku në Perëndim. Brenda saj, veç ambasadorit, që si rregull, duhet të banojë atje, banojnë edhe të gjithë diplomatët dhe punonjësit e tjerë bashkë me familjet e tyre, madje edhe me pleqtë e tyre pensionistë. Kjo situatë, i jep mundësi autorit dhe regjisorit për të ndërthurur, veç konfliktit themelor, edhe përplasje të tjera familjare që në fakt janë degëzime të kundërshtisë së madhe.
4.
Pëllumb Kulla, krijues i njohur disa gjinish, regjisor, dramaturg e prozator. Nga drama e tij e parë, "Mbarimi i shkollës, fillimi i shkollës" e vitit 1966, që arriti deri në provat e përgjithshme në teatrin AZÇ të Korçës, por nuk u lejua të jepej premiera se diktatura u "kujtua" që autori kishte një "njollë në biografi" dhe e "transferoi" në një gurore, nëpër të katër vëllimet me drama, deri te vepra më e re, arti i tij është përsosur e pasuruar më tej. Kulla, ky mjeshtër i madh i teatrit shqiptar, megjithëse jeton jashtë vendit, është më afër problemeve të shoqërisë shqiptare nga ndonjë tjetër që jeton brenda.
Në "Shëëëët!.." veç vlerave të tjera, ai na ka dhënë edhe tre personazhe me karaktere të spikatur. Njëri syresh gdhendur në gur e dy të tjerët modeluar në zift, me cilësime psikologjike të veçanta, të pangjashëm me askënd në veprat e mëparshme të tij e as të tjetërkujt. Këta janë zv.ambasadori Mihal Syku, ky "teknokrat i kulturuar", elegant, usta i të shtirurit dhe intrigës, i pandalshëm e i palodhur në arritjen e qëllimeve të veta; që rivendos në funksionim fshehtas nga ambasadori, sistemin e vjetër të përgjimit brenda ambasadës. Askush nuk ia del në duelet verbale me të, as doktori i shkencave ekzakte, burri i ditur e i ndershëm Petrit Shkoza, ambasadori i sapoemëruar në fillim të veprimit skenik. Nuk ia del se, siç duket, një njeri i ndershëm i vetëm, kurrë nuk fiton dot kundër një intriganti profesionist që të godet pas shpine. Vallë përse, këtë njeri të urtë, inteligjent e njeridashës, të papërlyer e të pastër moralisht si një bebe e porsalindur, e emërojnë ambasador në një shtet të rëndësishëm, në një përfaqësi diplomatike që funksionon si fole grenxash dhe ka trashëguar nga regjimi i kaluar, veç të këqijave të tjera jashtë çdo logjike normale, edhe një depo sekrete armësh?! Ndoshta, ministri i Jashtëm, që "rastësisht" ka qëlluar të jetë kunat i zv.ambasadorit, me dashje ia dërgon kunatit Shkozën, fillestar në zanatin e diplomatit, që ai ta manovrojë siç di vetë. Por ambasadori i ri është i pamanipulueshëm. Atë e rrëzon fuqia "mafioze" që e ka qendrën në Tiranë, në ministrinë e Jashtme, që e urdhëron të kthehet në atdhe. "Forca okulte" veprojnë në prapaskenë për të frenuar dhe ndryshuar vendimet e ambasadorit që ka zbuluar afera korruptive biznesi.
Krijesa e tretë e dramaturgut, është babai i zv.ambasadorit, ish drejtor burgu në kohën e diktaturës. Ky personazh, përfaqësues tipik i nostalgjikëve të maskuar, portretet e të cilëve i hasim çdo ditë në shtypin shqiptar me "rrëfimet" e tyre pambarimisht të gjata për kohën e merhumit Hoxha, ku këta kryenin detyra të rëndësishme në strukturat e diktaturës, por me "humanizëm" dhe herë pas here, lenë të kuptohet, se paskan vepruar ndryshe nga urdhrat dhe nga ligji i luftës së klasave. Por Kostaqi, kështu quhet ish drejtori i burgut, nuk "le të kuptohet", por i shpall me zë të gjitha "mrekullitë" e "mirësitë" që ka bërë në burgun e tij. Ai nuk ka turp të gënjejë edhe kur ndodhet përballë me një ish të dënuar të burgut të tij, të cilit i ka "punuar qindin" me tortura të egra. Dhe kulmi i cinizmit në marrëdhëniet me të, kur arrin t'i kërkojë një bashkëpunim për të shkruar bashkërisht, me emrat e të dyve, "Kujtimet e Burgut" që, sipas tij, nuk ka patur ndryshim nga një kamp pushimi. Me këtë personazh, drama vë gishtin mbi një nga plagët më të dukshme të shoqërisë sonë të sotme, atë të ekzistencës së një "rryme" aspak të fshehtë që përpiqet të verë në dyshim regjimin diktatorial 47-vjeçar të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kjo rrymë është vënë në dukje qysh shtatë vjet të shkuara nga i paharruari Ardian Klosi në komentin e tij mbi esenë e P.Kullës "A ka ekzistuar diktatura në Shqipëri". Klosi thotë: "Në qoftë se fillimi i viteve '90 u shqua nga botimi i dëshmive të shumta mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, vitet e fundit po bie fort erë kundërreformë, një revansh masiv i aktorëve kryesorë të diktaturës, jo për të fshehur veç këmbët personale, por edhe për të idealizuar gjithë një sistem që në fund të fundit, është përgjegjës për plagët më të mëdha që ka sot shoqëria jonë".
5.
Personazhet e dramës. Ata janë 16. Mund të ishin më pak. Shumica janë mirëvizatuar nga autori, e mjaft syresh mishëruar mjeshtërisht nga aktorët interpretues. Regjia në tërësinë e shfaqjes, ka kompozuar një lojë-ansambël dhe i ka zgjedhur mirë aktorët. Natyrisht, nuk ndodh shpesh që të jenë të gjithë në të njëjtin nivel. Pas kryeroleve, Zemanin, Lazen, Dianën, Norën, Tanon, Fatosin, Ermirën, Nedretin, Merxhanin, i pashë të realizuar mirë nga aktorët përkatës, por jo Vasilin, ish të burgosurin politik, rol tepër delikat, që ka duruar shumë në burg nga persekutori i tij, por duron edhe më shumë tani pas rrëzimit të diktaturës. Kjo vendosje pasiviteti, mosveprimi, i justifikuar plotësisht sepse pasqyron qëndrimin real, fisnik e jo hakmarrës të kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare. Mirëpo, kjo gjendje e gjatë durimi e ka "shtypur" aktorin në atë masë, saqë ai nuk ka fuqi të shpërthejë në tablonë e vetme ku atij i soset durimi dhe ia përplas në fytyrë kriminelit të maskuar si bamirës humanitar. Kështu që dialogu mes tyre nuk u rikrijua dot në skenë në nivelin e shkrimit.
Personazh është edhe ministri i Jashtëm që nuk del në skenë, por ia dëgjojmë zërin disa herë kur jep urdhra me anë të lidhjes skajp në momente kyçe të konfliktit.
6.
Protagonistët: Robert Ndrenika nën lëkurën e personazhit grotesk të ish drejtorit të burgut komunist. Edhe në këtë moshë, ky aktor i shquar, na befasoi me energjinë e tij "rinore", risolli temperamentin e çuditshëm të atij plaku kriminel që shitet për engjëll. Ndrenika është aq bindës në gënjeshtrat e Kostaqit, sa që po të mos ishte gjallë dëshmitari i bëmave të tij të zeza, do ta kishim besuar. Ky personazh ndryshe i aktorit, tingëllon si një notë e veçantë në "kompleksin" e ambasadës dhe vërteton edhe njëherë se talenti i madh, nuk shteron në asnjë moshë.
Në rolin e zv.ambasadorit, Viktor Zhusti. Ky akrobat i fjalës artistike, i elegancës dhe plastikës trupore, që mund të merret shembull nga aktorët e rinj, që na çuditi edhe në konkursin "Duke kërcyer me yjet", si balerin i klasit, e ka krijuar personazhin pa mundime të mëdha, prandaj dhe e ka harxhuar kohën e punës me rolin, për të na transmetuar rrymën e nëndheshme që fshihet pas fjalëve me nuanca të holla, me reagime të mprehta në fytyrën e tij shprehëse. Mëkat që vjen rrallë në atdhe për t'u shfaqur në skenat tona.
Astrit Hasani në rolin e ambasadorit Petrit Shkoza, qëndroi shumë mirë përballë antagonistit të vet, Mihalit. Dhe nuk ishte e lehtë të ndeshesh me dikë që prapa një lumi fjalësh, fsheh qëllime të liga karshi teje. Astriti na i dha me qetësi e butësi figurën e veçantë të Petritit, humanizmin, mungesën e plotë të krekosjes për shkak të postit dhe shpirtin e tij të pastër e të ndershëm.
7.
Vërejtje të vogla:
Në këtë ambasadë, skenografi nuk e ka patur të lehtë të krijojë në një tablo të vetme, kombinimin e disa ambienteve natyrash të ndryshme, siç janë dhomat e banimit të familjarëve me zyrat diplomatike. Por ai e ka zgjidhur këtë problem pranueshëm.
Drama vetë, por edhe regjia, ka tepër lëvizje fizike hyrje-dalje, zbritje ngjitje nëpër shkallë, të cilat ndonjëherë na e zhvendosin vëmendjen nga ato çka thuhen. Në altarin e ritmit fizik, nuk mund të sakrifikohet asgjë në një spektakël, aq më pak kur në një shfaqje të nivelit si kjo, ku nuk u ndje asnjëherë rrënja e kërshërisë së shikuesit për të ndjekur veprimin dramatik.
8.
Hepiendi në epilogun e dramës, paçka se është dialog i fortë, i shkruar bukur e në gjuhë diplomatike, fundin nuk ma pranoi mendësia ime prej plaku. Mirë Mihali se është hipokrit e gënjeshtar dhe brenda figurës së tij, që e "lan e lyen" ish ambasadorin e shkretë të cilit i vuri minat, por Petritit as goja nuk mund t'i shpëtojë e ti thotë të sapo emëruarit i ngarkuar me punë: "miku im"! siç i thotë.
Nuk e kuptova pse regjia e mban ende djalin e Mihalit të vërdalloset nëpër ambasadë me të dashurën e tij, kur i ati e ka dëbuar nga shtëpia?!
Që priftërinjtë katolikë nuk martohen, kuptohet, as kardinalët, është një e vërtetë aq shumë e njohur, sa që duket absurde që një intelektual 60-vjeçar, siç është ambasadori shqiptar, doktor i shkencave, nuk e di këtë. Autori duhet të kishte gjetur ndonjë "gafë" tjetër.
9.
Duke mbajtur parasysh edhe interesimin e madh që tregoi publiku i kryeqytetit për këtë dramë, unë ia këshilloj trupës së Teatrit tonë Kombëtar ta verë në skenë, vetëkuptohet me një koncept të ndryshëm regjisorial, siç është e kuptueshme në këto raste, me një regjisor të moshës së re ose të mesme, që priret ndaj dramaturgjisë shqiptare. Miratoheni "Shëëët! Ule zërin!", edhe për të "përgënjeshtruar" ato çka u thanë më lart mbi militantizmin direktorial që pengon realizimin skenik të dramave sociale me tema e probleme të kohës sonë.
*Regjisor

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›