Mihal Luarasi: Teatri i Komedisë, një strukturë ndryshe nga institucionet e tjera kulturore
Është ndjerë prej vitesh domosdoshmëria e një teatri të komedisë, pasi një institucion i tillë ka munguar, por ndërkohë që një grup pune në përbërje me emra të njohur të artit shqiptar kanë punuar për strukturën e këtij teatri, i cili ka ngjallur jo pak debate
në qarqet artistike. Megjithatë grupi punës, i cili në bashkëpunim me ministrinë do të punojë për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni e ka filluar punën dhe e ka përcaktuar strukturën e tij. Dramaturgu Bashkim Hoxha, regjisori Mihal Luarasi dhe humoristi Bujar Kapexhiu janë emrat e grupit, i cili ka hartuar dhe strukturën e Teatrit Kombëtar të Komedisë, i cili pritet që të fillojë aktivitetin e tij sa më shpejt të jetë mundur. Njëri prej anëtarëve, regjisori i njohur Mihal Luarasi tregon se ky teatër do të ketë një strukturë ndryshe nga dy teatrot e tjerë. Një drejtor, një regjisor, një udhëheqës artistik do të jenë kupola e këtij institucioni, ndërkaq që në bazë të aktivitetit të tij ai do të funksionojë me kontrata. Ky grup e mbaroi strukturën e teatrit të komedisë, e cila pohon se Teatri Kombëtar i Komedisë do të ketë një drejtor, një udhëheqës artistik dhe një regjisor, që do të jenë fiks. Aktorët që do të marrin pjesë nuk dihen akoma dhe kjo kuptohet, por dihet numri i përgjithshëm i tyre në këtë teatër i të gjithë punonjësve që do të ketë do të jetë 40, ndoshta më vonë dhe mund të shtohet. E reja është që do të jetë shumë dhe kontrata, do të ketë një numër aktorësh fiks ndërsa të tjerët do të jenë me kontrata. Do të bëhet audicion që do të zgjidhen aktorët, tregon regjisori Luarasi. Më tej ai tregon se kjo strukturë, e cila e ka marrë miratimin nga MTKRS shumë shpejt do të jetë dhe në VKM. Struktura pritet të marrë vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të ketë dhe miratimin e amendimit të ligjit për teatrin. MTKRS e ka gati këtë amendim mbi ligjin e teatrit që do të kalojë dhe në parlament dhe më pas do të dalë VKM. Kjo strukturë nuk ka qenë më parë p.sh Teatri Kombëtar nuk e ka këtë strukturë, pasi ai ka vetëm drejtor dhe jo një udhëheqës artistik dhe një regjisor, Teatri Kombëtar nuk ka as kontratën, cilësoi ndër të tjera regjisori Luarasi. Ndërkaq që zërat kundër ngritjes së këtij teatri regjisori Luarasi i quajti si mendjelehtësi. Për zërat kundër unë jam në dijeni të tyre dhe për mendimin tim me mendjelehtësi e kanë quajtur si një shaka, por kjo është krejtësisht e vërtetë dhe është një vendim për të bërë një teatër komedie me aktivitet të shumanshëm, që do të ketë komedi, farsa, muzikore, etj, u shpreh ai. Ndërkohë që gjatë takimit të parë në ministri për këtë institucion, shkrimtari i njohur Teodor Laço është shprehur se është ndjerë prej vitesh domosdoshmëria e një teatri të komedisë, pasi një institucion i tillë ka munguar. Unë mendoj se hekuri duhet të rrihet sa është i nxehtë, ndaj menjëherë duhet të mendojmë si ta vëmë në funksion këtë teatër. Nëse ende nuk ka përfunduar salla e Piramidës, atëherë ekziston salla e vogël e Teatrit Kombëtar, ku ky teatër mund ta nisë veprimtarinë e tij. Kështu ne do ti afrojmë spektatorit një gjini që ai e preferon dhe e mirëpret. Për këtë projekt mendoj se duhet të bëhet kalimi i disa aktorëve të Teatrit Kombëtar, që janë të profilit të komedisë, në Teatrin e Komedisë dhe të shtohen edhe dhjetë aktorë të tjerë, të rinj kryesisht, të cilët do të bëhen pjesë e këtij teatri në bazë të një konkursi e kurrikulave përkatëse, ka pohuar shkrimtari dhe skenaristi i njohur Laço. Varieteja e Tiranës u themelua më 1952, duke grumbulluar artistët më të mirë të grupeve amatore. Në përbërjen e tij ka sektorin e muzikës dhe atë të humorit. Teatri Varietesë ka dhënë çdo vit mbi 250 shfaqje në mbarë Shqipërinë. Në trupën artistike të këtij institucioni kanë punuar artistë të shquar të humorit e të satirës, të muzikës e të këngës si Mihal Popi, Melpomeni Çobani, Skënder Sallaku, Enver Dauti, Vasillaq Vangjel etj. Bashkëpunëtorë të këtij institucioni janë artistë e shkrimtarë të shquar shqiptar, si Spiro Çomora, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, dhe regjisorët: Pirro Mani, Mihal Luarasi, Kosta Kamberi, Sulejman Dibra, Kiço Londo, Mehmet Xhelili etj.
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Enjte, 06 Maj 2010 19:24