E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalet zemra e Bep Shirokës

Shuhet aktori shkodran

Zemra e Bep Shirokës, njeriut që na bëri të qeshnim për vite me radhë, ndali dje, duke çliruar shpirtin e tij nga trupi që e mbajti për 77 vjet. Familja e aktorit njoftoi dje vdekjen nga një atak kardiak, duke hidhëruar edhe zemrat e dashamirësve të Bepit buzagaz, në Shkodër dhe anembanë Shqipërisë. Bep Shiroka u lind më 25 shtator të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës. Ai u diplomua në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe pas disa viteve aktivizimi në trupat amatore, në vitin 1960 u thirr të punonte në trupën profesioniste të teatrit “Migjeni” prej regjisorit Tefik Duka. Roli i tij i parë ishte një rol i dytë në dramën “Nora e Kelmendit”, falë interpretimit të të cilit u zgjodh për rolin kryesor në dramën “Histori Irkutase”. Rolet ndoqën njëri-tjetrin duke u bërë plot 150 në teatër e duke e bërë Bep Shirokën të dashur jo vetëm për publikun shkodran, por edhe për atë mbarë shqiptar. Ndër rolet më të spitakura mund të veçohen interpretimet e tij në komedinë “çifti i lumtur”, në dramën “Dasmë me Flamur” të dhënë para shqiptarëve në Maqedoni, dramën “Franku i V-të” e shumë të tjera. Në vitin 1998 pasi doli në pension, Bepi u shkëput nga teatri për t’u rikthyer 10 vjet më vonë në vitin 2008 me rolin e Rezarit në dramën “Putargat e thata” të Stefan çapalikut. Në kinematografi roli i tij i parë ishte ai i Ram Sokolit në vitin 1970 në filmin “Lugina e pushkatarëve”, por roli që do ta bënte të njohur para gjithë artdashësve ishte ai i babait fanatik në filmin “çifti i Lumtur” në vitin 1975. Më tej do të vazhdonin edhe më se 30 role të tjera të interpretuar me shumë mjeshtëri. Roli i fundit për të cilin punoi Bep Shiroka ishte ai i Shefit të sigurimit në filmin shqiptaro-kanadez “Gruaja pa flatra/Women without wings”. Në karrierën e gjatë të tij nuk mund të lemë pa përmendur edhe punën si skenograf në teatrin “Migjeni” e lidhur kjo me pasionin e tij për pikturën. Për meritat e tij artistike Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›